Hiqjani erën e barutit baletit

  • 17 November 2018 - 15:10
Hiqjani erën e barutit baletit

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Le të bëjmë thirrje të gjithë, që balerinëve dhe balerinave, t'ua heqim sa më shpejt erën e barutit dhe t'ua japim hapësirën, për të na kënaqur më pastaj me lëvizjet dhe 'fluturimet e tyre në ajër'! Po kanë para qeveritarët tanë për gjithçka, por për balet dhe operë, s'po gjejnë! P ak ditë më parë, në një televizion relevant kosovar, drejtori i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, kishte rrëfyer gjerë e gjatë për vështirësitë financiare të Trupës së Baletit Kombëtar, e veçanërisht e vlerësoi këtë vit, si vitin me mjetet më të dobëta financiare. Drejtori Brahimaj po tregonte për sukseset jashtë vendit të baletit kosovar, mikpritjen e nikoqirëve evropianë, por përkundër sukseseve të mëdha, po ushtronin në një sallë të vogël të Teatrit, me "erë baruti" - sikurse u shpreh në këtë televizion. Ajo që na shtyu edhe më shumë për të shkruar për baletin dhe rëndësinë e tij, qoftë edhe në histori dhe evoluimin e tij në aktualitet, ishte edhe rrëfimi për borxhet nëpër njerëz të ndryshëm, me të cilin ishte bërë edhe artikull gazete dhe bisedë televizive. Praktika e futjes në borxhe për projekte kulturore, nuk është e pazakontë në Kosovë. Pyesni se si shumica e komunave, drejtorive, organizatorëve për jetë kulturore e kështu me radhë, janë detyruar të marrin hua a 'veresi', derisa janë alokuar paratë nga institucionet shtetërore, Ministria e Financave etj. Por kjo për baletin ishte edhe më keq, pasi që jo vetëm nuk kishte mjete financiare me kohë, por edhe mungonin në masë të konsiderueshme ato. Marrë parasysh edhe baletin dhe Trupën e Baletit me disa pjesëmarrës, vetëm për bileta për një udhëtim me aeroplan, është vështirë t'ia dalësh! Por më shumë se kaq, edhe më keq, kur mungojnë kushtet infrastrukturore. Ushtrojnë në një sallë të vogël me erë baruti - u shpreh në këtë intervistë televizive, drejtori i kësaj Trupe. Shtëpia e Operës dhe Baletit "Ibrahim Rugova" është projekti më i zvarritur në historinë e Kosovës. Madje, as afër nuk është, duke ndërruar herë atë lokacion, e herë një tjetër. Tash ka filluar edhe debati 'pro' dhe 'contra' objektit përsëritës të kohës së ish-Jugosllavisë, pranë objektit të Qeverisë së Kosovës. Edhe është futur në listë të mbrojtjes, edhe është miratuar ndërtimi i sallës nga ana tjetër prej Qeverisë, një situatë absurde e komike, duke mos ditur se si të ndërtohet një objekt kulture, pa aq shumë zhurmë dhe me qasje aq të gabuara e zvarritëse. Është irrituese se si një projekt niset për një dekadë dhe s'mbaron kurrë, dhe në anën tjetër dëgjon drejtorin e Trupës së Baletit të tregojë për erën e barutit dhe sallën e vogël teatrore ku detyrohen t'i bëjnë ushtrimet. Aq më tepër, kur tipi apo lloji i baletit është aq specifik për dallim nga shumica e valleve të tjera. "I gjithë baleti është valle, por jo të gjitha vallëzimet janë balet. Baleti është shumë specifik dhe përshkruan një lloj vallëzimi. Vallja ka ekzistuar pothuajse aq kohë sa njerëzit kanë ecur në Tokë, por baleti është vetëm 400 vjeç. Ndokush mund të vendosë muzikë, të lëvizë trupin e tij ose të saj në ritmin e tij dhe ta quajë vallëzim. Megjithatë, merr vite për të trajnuar një trup në relativisht pak pozicione që përbëjnë fjalorin e lëvizjeve të baletit. Vallja mund të kryhet në rrugë, në një shtëpi, në një gjimnaz në shkollë-në thelb kudo. Një balet, megjithatë, zhvillohet vetëm në një teatër, ose të paktën në një lloj skene. Shumë njerëz mësojnë veten për të kërcyer, por praktikisht askush nuk mund të mësojë balet në mënyrën se si disa mësojnë veten për të vepruar, për të pikturuar, të këndojë, ose të luajë kitarë. Duhet të mësohet në një shkollë nën tutelën e një mësuesi shumë të trajnuar." Rinaldi, Robin. (2010). World of Dance: Ballet. (Botimi i dytë). Nju- Jork: Infobase Publishing BALETI KËRKON SKENË TË MADHE E vëreni gjatë leximit të këtij citimi, se baleti është më specifik dhe i duhet një skenë, madje skenë shumë e përshtatshme, pa erë baruti dhe përmasa më të mëdha se skena e vogël teatrore. Baleti është sikur muzika klasike, të cilësuar si "arte shkollski", apo format më akademike të artit. "Baleti është forma më akademike e valleve teatrale, dhe më së shumti, e vështirë për të mësuar dhe për të kryer. Shumica e valltarëve profesionistë - jo vetëm balerinët por interpretues të Brodueit dhe kërcimtarë modernë janë trajnuar në balet… Trajnerët e Ligës Kombëtare të Futbollit kanë qenë edhe më parë të njohur për të dërguar lojtarët e tyre në klasën e baletit për trajnimin e forcës." (Po aty, f.14) Baleti, pra, vlerësohet në vendet më të zhvilluara të botës, si një art akademik, por edhe si një art ndihmës për sporte. Baleti kërkon skenë të madhe, sepse vetë hapat e këmbëve të baletit, e kanë standardin në 180 shkallë në çdo kohë. "Baza e baletit, dhe dallimi kryesor i tij nga të gjitha format e tjera të vallëzimit, është ajo që kërcyesit e quajnë pjesëmarrjen: pozicionimin e këmbëve… në një vijë 180 shkallë në çdo kohë. Me fjalë të tjera, në vend që të qëndrojë normalisht me këmbët e shikuara përpara, ato "dalin" drejt në vijë me gishtërinjtë që tregojnë larg njëri-tjetrit… Duhet shumë vite të praktikës për t'u zhvilluar. Plus, ata gjithashtu duhet të fillojnë dhe të përfundojnë çdo hap nga një nga pesë pozicionet bazë, të etiketuar siç duhet pozicionin e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë." (Po aty). BALETI NUK KUPTOHET AS NGA 'NJERËZIT MESATARË' Baleti edhe historinë e ka elitare, në gjykata e oborre perandorake. "Për t'i bërë gjërat edhe më të ndërlikuara, të gjitha hapat janë ende në frëngjisht. Kjo vlen nëse klasa e baletit po mbahet në Kinë, Rusi, Egjipt apo Spanjë. Kur mësuesi ose koreografia thotë plié, balerini kërcen gjunjët e tij ose të saj. Kur relevé merret… Dëgjimi jeté, balerini kërcen përpara. Ky repertor i hapave francez është vetëm një nga aspektet që kanë bërë baletin të duket një art i ngurtë, i modës së vjetër, që nuk kuptohet ose vlerësohet lehtë nga personi mesatar." (Po aty) Me fjalë të tjera, politikanët tanë nga fryma e tyre edukuese, nga mënyra e të jetuarit dikur dhe transformimet e shpejta si rezultat i "pasurisë së shpejtë", nuk kanë arritur të kuptojnë rëndësinë e baletit, as të merren më seriozisht për krijimin e kushteve të duhura për ushtrimin e këtij arti të veçantë. Jo rastësisht ka lindur në Itali, Francë e gjetiu, aty ku ka pasur vazhdimësi akademish, oborresh perandorake, zhvillim të hovshëm kulturor dhe financime projektesh nga vetë elitat politike. Pak sa absurde, por përnjëmend, politikanët kosovarë, do të duhej që ta merrnin baletin me seriozitet të madh dhe të investonin më shumë financiarisht, sepse historikisht, ky ka qenë edhe art i vetë elitave politike të kohës, si p.sh., në Itali! "Baleti vjen nga fjala italiane ballo, që do të thotë valle, dhe në shtetet italiane të shekullit të pesëmbëdhjetë, shumë ballo (valle) u mbajtën. Aristokratët kishin kohë dhe para për të ndjekur dhe financuar përpjekjet artistike. Ata punësuan mësues valle për të udhëzuar anëtarët e gjykatës në vallet popullore të ditës, të cilat ishin zakonore në shumë gala të hedhur nga partitë e aristokracisë, dasma, dhe festimet e të gjitha llojeve. Këto balli, apo vallet e gjykatës, përfshinin hapa shumë të veçantë, por dukej më shumë si ajo që tani quhet vallëzim ballroom. Modelet e tyre u ngjanin atyre të skaterëve të sotëm të figurave të cilat i gjurmojnë qarqet dhe harqet nëpër një kat të madh." (po aty, f.25-26) Por më shumë se kaq dhe në këtë vend, politikanët më së shumti e zhvilluan baletin, por jo këta të sotmit, e larg qoftë, politikanët e tipit tanë. "Baleti mori një nxitje të madhe kur Louis XIV u ngjit në fronin e Francës. Mbreti i ri ishte shkolluar në të gjitha artet e oborrit, … si muzika, por vallëzimi ishte padyshim i preferuar i tij. Në moshën 15 vjeç, ai kërceu në rolin e Apollo, Perëndia e lashtë Greke e Diellit, në La Ballet de la Nuit (Baleti i natës), i cili i dhuroi atij titullin popullor… për pjesën tjetër të jetës së tij. Louis XIV mori artin e valleve seriozisht, duke krijuar Academie Royale de Danse në 1661, e cila punësonte 13 mjeshtër baleti, të cilët janë konsideruar mësues të lartë dhe koreografë. Një nga këta ishte Pierre Beauchamps, i cili do të vazhdonte të kodifikonte pesë pozicionet e kthyera të këmbëve, si dhe shumë nga hapat bazë të baletit të kryera ende dhe ende përmenden vetëm në frëngjisht sot." (Po aty, f. 30) HIQJANI BARUTIN BALETIT Shëtitëm shkurtimisht nëpër historinë e baletit dhe pamë se baleti është zhvilluar në organet më të larta shtetërore, akademi dhe perandori. Pamë se ekspertët e historisë së këtij vallëzimi, treguan se baleti kërkon kushte të veçanta, nuk është art i rrugës, i ka të përcaktuara 'fluturimet në ajër' dhe këndet prej 180 shkallësh, prandaj kërkon hapësirë të madhe, të dinjitetshme dhe me kushte të volitshme për ajër të pastër. Pa rregullimin e duhur të frymëmarrjes, pa lirinë për të lëvizur lehtësisht në hapësirë dhe bërë pozicionet e këmbëve ashtu siç e kërkon ky art akademik dhe elitist, nuk mund të bëhet baleti. Ka pasur shpenzime marramendëse nga Qeveritë e pasluftës, për gjëra koti. Ka Ligj për Financimin e Subjekteve Politike, ku partitë politike përfitojnë edhe nga shteti, edhe nga kompanitë që më vonë shpërblehen me tenderë, prandaj tek e fundit, le të shfuqizojmë krejt këtë ligj dhe paratë e dedikuara të buxhetit të Kosovës, për partitë politike, të shkojnë për baletin! Ashtu-kështu, mjete financiare kanë mjaft, kanë sponsorë, kanë militantë, kanë biznesmenë, kanë edhe anëtarë milionerë, ndërsa baleti është duke hyrë veresi në shumë duar njerëzish, sikurse u shpreh në televizion, drejtori i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Më së fundi, më së fundi, le të pezullohet vetëm për katër vjet ky ligj dhe paratë e dedikuara për partitë politike, të shkojnë për balet! Vallëzimi është arti më universal dhe është elementi më përbashkues i njerëzimit, kulturave, etnive dhe religjioneve. Secili popull, secila kulturë, secila etni, secila religjion, edhe nëse në shumë gjëra nuk pajtohen me njëri-tjetrin, pajtohen për ta parë dhe për t'u kënaqur me vallëzimin reciprok. Nuk ka art që merr më vete njerëzit dhe heq paragjykimet, stereotipet dhe diskriminimet sesa vallëzimi. Ka gjithmonë përjashtime, por po flasim në parim, se vallja është gjuha më universale e njerëzimit. Një valltar, qoftë balerin apo balerine, nuk ka nevojë për të njohur një gjuhë të huaj, apo përkthyes. Gjuha e tij e trupit, depërton në secilën skutë dhe popull. Prandaj, politikanët kosovarë, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, duhet përfundimisht të zgjohet e të krijojë kushtet për baletin. Duhet të bëhen iniciativa të kërkimit të përgjegjësisë për krejt vonesat e deritashme. Duhet të vendoset shpejt-e-shpejt në një debat të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët, se objekti i baletit dhe operës, duhet të përfundojë sa më parë. Është tepruar tashmë dhe s'ka kohë për pritje! Po ashtu, argument tjetër duhet të jetë, kultivimi i baletit edhe te grupmoshat e reja, ku prindërit gjithnjë e më shumë po dërgojnë në kurse trajnimi, fëmijët e tyre. As stereotipi i kamotshëm edhe në botë se baleti ndërlidhet edhe me homoseksualizëm, as stereotipi se "nuk bën të çahen këmbët nga çikat tona", nuk është më skenë. Baleti gjithnjë e më shumë fituar terren, popullaritet, praktikë dhe pëlqim. Ky lloj arti tejakademik, po përqafohet nga shumë shtresa dhe nuk është më vetëm atje 'lart', si dikur në Itali dhe në Francë. Le të bëjmë thirrje të gjithë, që balerinëve dhe balerinave, t'ia heqim sa më shpejt erën e barutit dhe t'ia japim hapësirën, për të na kënaqur më pastaj me lëvizjet dhe 'fluturimet e tyre në ajër'! Po kanë para qeveritarët tanë për gjithçka, por për balet dhe operë, s'po gjejnë! Madje, pak nëse do të ishin më të vëmendshëm, ka shumë përkrahje nga donacionet e huaja evropiane e më gjerë, dhe sikur të mos kishin asnjë centë, sërish do të mund të gjenin donatorë! Por jo, ishin të painteresuar dhe të papërgjegjshëm! Mjafton të kujtojmë zvarritjen njëdekadëshe të ndërtimit të objektit për operë dhe balet, dhe serialet komike-tragjike të ndërrimit të shpeshtë të lokacioneve të ndërtimit!


(Kosova Sot)