Fazliu kthehet me ëndrra e kujtime të reja

  • 03 March 2016 - 13:11
Fazliu kthehet me ëndrra e kujtime të reja

Edhe në librin e tij më të ri, poeti Zeqir Fazliu, autor i 18 vëllimeve, dëshmon përkushtimin e tij ndaj vargut, ndaj lirikës, ndaj origjinalitetit. Në hapësirat e tij krijuese zënë vend të barabartë bjeshka dhe milingona. 

Zeqir Fazliu sikur i ka dhënë detyrë vetes që çdo vit ta botojë një libër. Kështu bën ai që prej vitit 1992 e këndej, deri në ditët e sotme, kur vjen me përmbledhjen më të re të poezive, të titulluar “Ëndrra dhe kujtime”, e cila nga kritikët është cilësuar një botë ngjyrash poetike dhe humane, ku lartësohet e bukura dhe sublimja në formën më origjinale. Në hapësirat krijuese të Fazliut zënë vend si bjeshka, ashtu edhe milingona.

Edhe në këtë vëllim, që sjellë fragmente kujtimesh nga fëmijëria dhe rinia e tij, Fazliu dëshmon përkushtimin e tij ndaj vargut, ndaj lirikës, ndaj origjinalitetit. Migena Arllati, recensent, thotë se përgjithësisht, vepra “Ëndrra dhe kujtime” e Zeqir Fazliut përshkohet nga një ritëm i gjallë natyror, i përzier me ndjenja të kulluara, që i japin çdo poezie ndjenja të pafundme freskie. Thjeshtësia dhe modestia krijuese e Fazliut, e bëjnë vëllimin e tij të fundit, të kuptueshëm e të qartë. Në të vërtetë, Zeqir Fazliu tashmë e ka ndërtuar profilin e tij si poet lirik.

Kritiku Ramadan Musliu, poetikën e Fazliut e cilëson përshkruese dhe reflektuese, ku përmes imagjinatës së thellë, fuqizon detajet. Në këtë libër, ai përpiqet të jetë më konkret, më afër jetës dhe realitetit. Sipërfaqësorja në të vërtetë paraqet vetëm anën shkëlqyese nën të cilën gjendet dhembja e thellë e jetës, si përjetim i vërtetë. Poezia e Zeqir Fazliu është klasike për nga trajtat. Ndryshe, Zeqir Fazliu është autor edhe i 17 botimeve tjera, që fillojnë me “Këngë për liri” (1992).    

(Kosova Sot)