Sak Fazlija më shokë, gurë kufiri me Malin e Zi

  • 22 May 2016 - 17:54
Sak Fazlija më shokë, gurë kufiri me Malin e Zi

Fazli Muriqi është shembull për përpjekjen e tij për gjetjen e eshtrave të stërgjyshit të tij që kishte rënë në mbrojtje të tokave shqiptare. Ai është stërnip i Sak Fazlisë, bajraktarit të Rugovës. Përpjekjet e tij kanë nisur para disa dekadash që të sjell eshtrat e Sakut nga Smilevica, ku kishte rënë para shtatë dekadash në mbrojtje të tokave shqiptare në kufirin Kosovë-Mali i Zi. Ai kishte rënë bashkë me Selmon Jashar Uçin nga Bilinishti i Shqipërisë si dhe Bajram Sharin nga Koshutani. Ai këtë ëndërr e bëri realitet dhe më 30 shtator të vitit 2005 këta trima nën patronazhin e presidentit Ibrahim Rugova me nderimet më të larta u rivarrosën aty në Qafën e Koshutanit, që të prehen të qetë dhe në liri në vatrat e tyre,shkruan gazeta Kosova Sot.

Nisi të merret me kthimin e eshtrave qysh në kohën e komunizmit

"Qysh si fëmijë në netët e gjata të dimrit, kur nga më të vjetrit dëgjoja këngët epike në Lahutë, për trimëritë e rugovasve në luftërat e tyre me shekuj për të mbrojtur ato shkrepa dhe vatrat e tyre, por edhe kufirin e Kosovës nga malaziasit e që ua kishin lënë amanet të parët e tyre, disi më përshkonte një valë e nxehtë në zëmër, e mendja dhe e tërë qenia ime ikte nga realiteti dhe filloja ta jetoja jetën me legjendat për këta trima", rrëfen Fazli Muriqi, duke shtuar se kur më vonë e kuptoi edhe për pararendësin e familjes, bajraktarin e Rugovës, Sak Fazlinë, i cili kishte marrë pjesë për shumë vite në shumë beteja për t'i mbrojtur këto troje, atëherë gjithnjë e më shumë e preokuponte mendimi që një ditë eshtrat e tij t'i sjellë në vendlindje, që ai të prehet në qetësi. "Më saktësisht, me këtë jam preokupuar që nga vitet e 80- ta, por rrethanat e atëhershme nuk lejonin që të bëja këtë. Për këtë më këshillonin edhe të tjerët. Mirëpo, pas luftës se fundit në Kosovë edhe pas dëbimit nga Kosova të forcave serbe, vendosa që të gjejë momentin e duhur për t'i sjellë eshtrat e këtyre trimave, heronjve të kombit tonë që të prehen në Kosovën e lirë", rrëfen Muriqi, duke shtuar se nga fillimi i vitit 2004 disa herë ka shkuar në Rozhajë së bashku më Adem Vesel Nikqin dhe atje ka kontaktuar më vëllezërit Rexhë e Muharrem Bralaj dhe me Ali Dacin, të cilëve u është shumë mirënjohës për ndihmën e madhe që kanë dhënë për të realizuar ketë qëllim. Meqenëse Smilevica i takon komunës se Beranës të Malit të Zi kërkesa duhej bërë atje. Mospajtimet për kufirin

"Por, nga disa burime kuptuam se po të bëjmë kërkesë për këtë, kjo do të zgjaste shumë, por dhe druanim ngase, malaziasit nuk e kanë harruar akoma trimërinë e Sak Fazlisë dhe shokëve të tyre, i cili për afro pesë dekada qëndroi si shkëmb në breg kufiri duke mbrojtur më pushkë në dorë trojet shqiptare në këto Alpe të Rugovës. Andaj, edhe pse me plotë rreziqe vendosa që këtë punë ta bëjë pa lejen e tyre, respektivisht në mënyrë ilegale. Ky vendim i imi dhe kthimi i eshtrave të Sak Fazlisë nuk është shikuar mirë nga disa rugovas", thotë Fazli Muriqi, duke shtuar se kinse me këtë veprim e ka tërheq kufirin më Malin e Zi në dëm të Kosovës, ngase atje ku ishte varri i Sakut me shokë paska qenë diku kufiri. "Unë edhe kësaj radhe dua të them ashtu si edhe më parë se Sak Fazlia, bajraktari Rugovës dhe shumë e shumë trima të Rugovës kanë rënë duke mbrojtur trevat e tyre dhe se edhe Smilevica është tokë shqiptare, tokë Kosove, por kufirin me Malin e Zi, për të cilin tani më kemi aq shumë mospajtime dhe konteste, nuk mund ta kthejnë prapa as eshtrat e Sakut me shokë e as ata që e kundërshtuan këtë akt. Nëse këtë mund ta bëjë dikush, atëherë është shteti i Kosovës që duhet bërë", thotë Fazli Muriqi, i cili po ashtu nuk pajtohet më vijën kufitare të bërë më rastin e demarkacionit të kufirit më Malin e Zi nga ana e Komisionit Shtetëror të prirë nga Murat Meha.

Sipas tij, për këtë flasin edhe shumë varre të trimave dhe patriotëve të kësaj treve, që dhanë jetët e tyre dhe lanë eshtrat e tyre duke mbrojtur këtë trevë tonën "dem baba dem".

(Kosova Sot)