Sa e djathtë është duke u bërë Evropa?

  • 24 May 2016 - 20:01
Sa e djathtë është duke u bërë Evropa?

Në shumë vende partitë e djathta po dominojnë.

Në mes të krizës së imigrantëve, zhvillimit të ngadaltë ekonomik dhe zhgënjimit gjithnjë e më të madh me Bashkimin Evropian, partitë e krahut të djathtë, disa të vjetra, e disa të formuar rishtas, janë duke arritur sukses në një numër gjithnjë e më të madh të shteteve evropiane,transmeton gazeta Kosova Sot.

Austria

Norbert Hofer nga Partia e Lirisë që është nacionaliste dhe kundër imigracionit pati dalë si fitues në xhiron e parë të zgjedhjeve presidenciale në Austri në fund të muajit prill, duke fituar 35 për qind të votave. Në garë, ai është përballur me Alexander Van der Bellen-in, kandidatin e Partisë së Gjelbër, i cili, megjithatë e mundi Hofer-in në raundin e dytë që u mbajt të dielën duke fituar mbi 50 % të votave. Hofer ka bërë fushatë për forcim të kufijve të shtetit dhe të ushtrisë, duke u kufizuar përfitimet për imigrantët dhe duke i favorizuar austriakët në tregun e punës. Në aspektin social, një nga pikat e politikës së parisë është: "Po familjeve në vend të çmendurisë së gjinive". Partia e krahut të djathtë, moto e së cilës ishte "Së pari Austria", mban 40 prej 183 ulëseve në Këshillin Nacional.
Polonia Partia Ligj dhe Drejtësi e krahut të djathtë në Poloni është kthyer në qeveri duke fituar 39 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015. Partia është themeluar në vitin 2001 nga Lech Kaczynski dhe binjaku i tij identik i quajtur Jaroslaw. Partia së pari fitoi pushtet në vitin 2005. Lech u bë president dhe Jaroslaw, eventualisht, kryeministër i tij. Në vitin 2010, Lech Kaczinsky dhe pjesa më e madhe e lidershipit të Polonisë vdiqën në një përplasje aeroplani gjatë aterrimit në një aeroport në afërsi të Smolenskut në Rusi. Jaroslaw, i cili nuk ishte në aeroplan, tani është duke e udhëhequr ndryshimin në drejtim të djathtë si lider i partisë .

Hungaria 

Viktor Orban dhe partia e tij e krahut të djathtë 'Fidesz' ka fituar tri zgjedhjet e fundit, duke brengosur shumë liderë perëndimorë për sundimin e tij gjithnjë e më autoritar. 'Jobbik', parti e krahut të djathtë, kundër imigracionit dhe për mbrojtje të ekonomisë, ka fituar 20 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare në vitin 2014, duke e bërë atë partinë e tretë më të madhe në Hungari. Platforma e saj politike përfshin mbajtjen e referendumit për anëtarësim në BE dhe thirrjen për ndërprerje të heshtjeve të çështjeve tabu si "përpjekjen e Izraelit zionist për ta dominuar Hungarinë dhe botën". 

Suedia

Partia Demokratët e Suedisë, e krahut të djathtë, e cila ka mohuar rrënjët e saj në lëvizjen për epërsi të të bardhëve, ka fituar rreth 13 për qind të votave në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2013, gjë që ua dha 49 nga 459 ulëset në Parlament. Pasi që askush nga partitë e qendrës nuk do të formonte koalicion me të, shteti është duke u qeverisur nga një koalicion i minoriteteve prej socialdemokratëve dhe Partisë së Gjelbër. Platforma e Demokratëve të Suedisë bën thirrje për kufizim të imigracionit, kundërshton anëtarësimin e Turqisë në BE dhe kërkon referendum për anëtarësim në BE. Partia, e udhëhequr nga Jimmie Akesson, ishte partia më e popullarizuar në sondazhet e dimrit, por që nga ajo kohë ka rënë në vendin e tretë.

Greqia 

E themeluar në vitin 1980, partia neo-fashiste Agimi i Artë tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2012 kur hyri për herë të parë në parlamentin grek, duke fituar 18 ulëse. Rezultatet zgjedhore erdhën në mes të krizës së borxheve të shtetit dhe si rezultat i masave të kursimit. Partia, të cilën komisari për të drejta të njeriut në Këshillin Evropian e përshkroi në vitin 2013 si neonaziste dhe të dhunshme", ka qëndrime ekstremiste kundër imigracionit, favorizon marrëveshjen për mbrojtje me Rusinë dhe ka thënë se euroja do të jetë shkatërrimi i tyre.

Franca

Fronti Nacional është një parti nacionaliste që e përdor retorikën populiste për t'i promovuar qëndrimet e saj kundër imigracionit dhe BE-së. Partia favorizon politika mbrojtëse ekonomike dhe do t'i ndërpriste përfitimet qeveritare për imigrantët, duke përfshirë kujdesin shëndetësor dhe do ta reduktonte shumë numrin e imigrantëve në Francë. Partia është themeluar në vitin 1972; themeluesit dhe simpatizuesit e saj kanë përfshirë ish-bashkëpunëtorë të nazistëve dhe anëtarë të regjimit Vichy. Partia tani udhëhiqet nga Marine Le Pen, e cila e mori drejtimin nga babai i saj, JeanMarie Le Pen, në vitin 2011.Le Pen pritet që të jetë kandidate e partisë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 dhe të arrijë në xhiron e dytë të votimeve.

Gjermania

Alternativa për Gjermaninë, partia e krahut të djathtë, ka filluar para tri viteve si lëvizje kundër valutës euro, ndërsa ka fituar deri në 25 për qind të votave në zgjedhjet federale në muajin mars, duke e sfiduar kështu politikën e bërë me konsensus në Gjermani. Partia dështoi që të fitojë ulëse në Parlament në vitin 2013, duke mos e arritur pragun prej 5 për qind, por tani sipas sondazheve arrin në 10 deri në 12 për qind dhe pritet që të jetë partia e parë e krahut të djathtë që do të hyjë në Parlament që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Mbështetja për partinë u rrit pas sulmeve seksuale të Vitit të Ri në Këln. Frauke Petry, liderja e partisë, ka thënë se rojat kufitare ndoshta do të duhet të përdornin armët ndaj të gjithëve që provojnë ta kalojnë ilegalisht kufirin. Platforma politike e partisë e cila është ndryshuar para pak kohësh thotë: "Islami nuk ka vend në Gjermani" dhe bën thirrje për ndalim të ndërtimit të xhamive.  

 (Kosova Sot)