Mehmeti: Po më shkelet e drejta e gjykimit në afat të arsyeshëm

  • 24 May 2016 - 20:37
Mehmeti: Po më shkelet e drejta e gjykimit në afat të arsyeshëm

Nën dyshimin për "terrorizëm", Ardian Mehmeti nga Gjilani është arrestuar në vitin 2013. Janë bërë dy vite e gjysmë dhe ai ende nuk ka pasur mundësi të ballafaqohet me akuzën, të cilën e cilëson të pabazuar. Mehmeti ankohet se po i shkelet e drejta për të pasur një gjykim në afat të arsyeshëm. Drejtësia duhet të ndahet pa vonesë, thotë ai,shkruan gazeta Kosova Sot.

Nga qendra e paraburgimit në Gjilan, ai ka dërguar një letër për drejtues të institucioneve publike e gjyqësore, ku tërheq vërejtjen për vonesa të paarsyeshme të gjyqit në rastin e tij. Letër i ka dërguar edhe Avokatit të Popullit, nën pretendimin se po i shkelen të drejtat e njeriut. Ardian Mehmeti, që me prejardhje është nga Zarbinca e komunës së Bujanocit, me vendbanim në Gjilan, akuzohet për vepra penale që lidhen me terrorizmin. Ai është student i Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Studimeve Islame. Mehmeti është arrestuar më 5 nëntor 2013, në Prishtinë, sipas tij, pas një simulimi të blerjes së armëve nga policia e Kosovës dhe AKI-ja. Në letër thotë se pas 15 muajsh hetime i është ngritur aktakuza për terrorizëm.

Kërkon ta dëshmojë pafajësinë

Mehmeti beson që aktakuzën ta çmontojë në gjyq, prandaj kërkon të mos zgjatet kaq shumë shqyrtimi kryesor. "Me këto zvarritje, mua po më shkelen të drejtat e garantuara për një proces të rregullt gjyqësor dhe shumë të drejta të tjera të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare", thotë Mehmeti dhe nënvizon faktin se ka pasur kontakte e takime edhe me përfaqësues të OSBE-së, KMDLNJ, Avokatit të Popullit, por pa sukses. Tani kërkon ndihmë nga mediat dhe shoqëria civile, për ta lëvizur procesin dhe për t`i dhënë mundësinë të ballafaqohet në gjyq me akuzën dhe dëshmitarët. Këmbëngul se është i pafajshëm. "Unë e kam thënë disa herë para policisë dhe hetuesve se jam i pafajshëm dhe se nuk kam lidhje me rastin. Kërkoj drejtësi dhe përshpejtim të rastit pasi që jam student i dy fakulteteve", ka shkruar Ardian Mehmeti. Ai druan se nëse procesi ndaj tij vazhdon me këtë ritëm, do të kalojnë vite derisa të përfundojë gjyqi."Të gjitha konventat evropiane janë shkelur në rastin tim, është shkelur edhe Kushtetuta e Kosovës" ka shkruar Mehmeti.

EULEX-i e ka dorëzuar lëndën te vendorët 

Ardian Mehmeti (1986), i martuar, baba i në fëmije, është i vetmi person nga grupi i arrestuar në nëntor 2013, nën dyshimin për terrorizëm, që ende ndodhet në paraburgim. Edhe familja e tij konsideron se Ardianit po i shkelet e drejta për të pasur një proces gjyqësor në afate ligjore. Babai Xhevati nuk beson që djali i tij të jetë terrorist, duke thënë se ai është student i dy fakulteteve. Ymer Ibishi, babai i bashkëshortes së Ardianit, thotë se EULEX-i ka hequr dorë nga ky rast dhe lëndën e ka dorëzuar tek gjykatësit vendorë, të cilët po e zvarrisin pa nevojë procesin. Ata duan që djalit të tyre t`i bëhet gjyqi dhe të mos mbahet në paraburgim prej dy vitesh e gjysmë.

(Kosova Sot)