Rrugët me gropa, shqetësimi më i madh i kurbetçinjve

  • 24 May 2016 - 21:50
Rrugët me gropa, shqetësimi më i madh i kurbetçinjve

Qershori, korriku e gushti janë muajt kur mërgimtarët kthehen për pushime në Kosovë. Ata jo gjithmonë janë të kënaqur me vendlindjen e tyre. Ankesat më të mëdha të mërgimtarëve të regjionit të Gjilanit, viteve të kaluara, kanë qenë për rrugët me gropa, ose mbushja e tyre pikërisht në kohën e pushimeve verore. Për shkak të procedurave të prokurimit, të cilat zgjasin tepër, ka ndodhur që mërgimtarët t`i gjejë shpeshherë rrugët në gjendje shumë të keqe. Sivjet, Komuna e Gjilanit është kujdesur që këtë shqetësim të mos e kenë mërgimtarët, kur vijnë te familjet e tyre. Gjilani llogaritet t`i ketë mbi 35 mijë qytetarë në botën e jashtme,shkruan gazeta Kosova Sot.

Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë, mbi 6 mijë shtëpi janë gjetur të mbyllura. Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit ka theksuar se për herë të parë pas shumë vitesh, sivjet mirëmbajtja verore e rrugëve ka nisur me kohë dhe shumë shpejt do të bëhet mbyllja e gropave dhe rregullimi i tërësishëm i rrugës Gjilan-Pogragjë dhe të tjera. "Rruga e degraduar jashtëzakonisht shumë në drejtim të fshatit Pogragjë do të asfaltohet tërësisht, sepse gjendja në të cilën është ajo tani ka kërkuar intervenim të tillë", ka thënë Korça. Ndryshe, një sërë projektesh të tjera janë në realizim e sipër, siç rruga hyrëse-dalëse në drejtim të Bujanocit, rrugës në fshatin Shillovë, Miresh i Vogël, Bresalc, Livoç i Epërm, Cërrnicë, pastaj rregullimi i kanalizimit, investimet në shkollën "Selami Hallaqi" dhe të tjera. Mërgimtarët do të shohin sivjet edhe lumenj më të pastër, parqe me lule dhe hapësira tjera të gjelbëruara. Gjatë këtyre ditëve është bërë edhe pastrimi i disa deponive të egra në rrugën "Avdullah Presheva".

Opozita: Parqet dhe hapësirat e gjelbra janë meritë e jona 

Por, opozita (PDK) e sheh ndryshe gjendjen, duke thënë se Gjilani u hoq nga projekti "Gara për mjedis të pastër", projekt ky i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe GIZ-it. "Ne e kuptojmë dëshirën e pushtetit që të lavdërohet me punimet e filluara në rrugën hyrëse-dalëse, në drejtimin e Kamenicës, por nuk e harrojmë as çrregullimin e furnizimit të një pjese të qytetit, shkaku i dëmtimit të gypit". Sipas degës së PDK-së, meremetimi i rrugëve ka filluar në prill, por me këtë ritëm, do t`i zërë qershori.

Sa u përket parqeve dhe hapësirave të gjelbra, opozita i merr meritat për vete. "Sikur mos t`i linte qeverisja e kaluar hapësirat publike, parqet dhe drurët dekorativë, ju sot nuk do të kishit pasur çfarë të ujitni apo mirëmbani". Sipas tyre, investimi në lagjen "Dardania", nga AER-i, tashmë ka filluar të degradohet për mungesë të mirëmbajtjes. Dega e PDK-së, e cila në dy mandate ka qeverisur me Gjilanin, vazhdimisht ka qenë kritike ndaj koalicionit LDKAAK. Në të vërtetë, PDK-ja e AAK-ja kanë shkëmbyer kritika edhe mes vete. Rexhep Kadriu, kryetar i AAKsë në Gjilan, ka thënë se ky koalicion (LDK-AAK) do të qeverisë edhe në mandatin e ardhshëm. Kadriu i ka vënë vijë të kuqe partneritetit me PDK-në. "PDK-ja duhet të mësohet të qëndrojë edhe për katër vite të tjera në opozitë", ka thënë Kadriu. Ndërkohë, Riad Rashiti (PDK) është kundërpërgjigjur duke thënë se AAKja është shumë e vogël në Gjilan, që t`i vërë dikujt vija të kuqe.

Ky është viti më i suksesshëm për investime

Salih Kqiku, drejtor i Prokurimit, thotë se ky është viti më i suksesshëm, që nga paslufta. Në Gjilan po ndodhin investime milionëshe në infrastrukturë. Gjatë kësaj periudhe, ka filluar realizimi i projekteve të shumta, në qytet dhe fshatra, si në Bresalc, Cernicë, Dobërçan, Përlepnicë, Shillovë, Velekincë dhe gjetiu. "Sapo është shpallur tenderi edhe për asfaltimin e rrugëve në Capar, Malishevë e Epërme, Malishevë e Ulët, Pogragjë, Arbëri, lagja e Vishnjave, Përlepnicë, Velekincë dhe disa rrugë të qytetit", ka thënë Kqiku. Sipas tij, në periudhën janar-mars 2016 janë zhvilluar 30 aktivitete të prokurimit.

Edhe për tenderët "Ndërtimi i çerdhes në lagjen Dardania", "Furnizim me teknologji informative për të gjitha njësitë shpenzuese në regjionin e Gjilanit" dhe "Ndërtimi i shtëpive për rastet sociale", Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kthyer përgjigje në favor të autoritetit kontraktues. Tenderi "Sinjalizimi vertikal dhe horizontal" është në shqyrtim, ka thënë Kqiku. Ai ka nënvizuar vazhdimin e punimeve në ndërtimin e rrugës me katër krosi, nga drejtimi i Bujanocit dhe ka konfirmuar se Ministria e Infrastrukturës ka shpallur tenderin për ndërtimin e hyrje-daljeve në drejtimet Gjilan-Prishtinë dhe GjilanFerizaj."Këto investime milionëshe, në Gjilan, janë rezultat i punës dhe angazhimit të kësaj qeverisje. Nuk kanë ardhur vetvetiu në Gjilan", thotë Kqiku.

(Kosova Sot)