PDK-ja nuk e lëshon drejtësinë nga dora

  • 25 May 2016 - 07:56
PDK-ja nuk e lëshon drejtësinë nga dora

Përveç dy emrave, të cilët i pashë të publikuar, Zenun Pajaziti dhe Gani Koci, atëherë PDK-ja po do edhe një herë ta mbajë të kapur drejtësinë dhe t’i ketë dy emra që i manipulon dhe i shantazhon lehtë dhe dy emra që i ka nën kontroll. Pra, këta mund të jenë gjithçka tjetër, por jo edhe ministra të mirëfilltë të Drejtësisë. Po ashtu, mund të jenë emra të ministrit të Drejtësisë, por asnjëherë ministra të saj. Sidoqoftë, edhe një herë po manifestohet qasja e PDK-së për ta mbajtur drejtësinë e kapur, të kontrolluar dhe gjithsesi drejtësinë e dirigjuar”, u shpreh deputeti Rexhep Selimi

Praktikat e deritanishme kanë treguar se asnjë garniture të pushtetarëve në Kosovën e pasluftës e deri më sot nuk iu ka konvenuar dhe as që po iu konvenon fuqizimi dhe zhvillimi i sistemit të drejtësisë. Për më tepër, këto garnitura të njëpasnjëshme politike e deri te kjo aktuale që po udhëheq me shtetin, asnjëherë nuk janë marrë seriozisht me sistemin e drejtësisë. Rrjedhimisht, siç duket, kjo gjendje e rëndë pritet se do të thellohet edhe më tej, në fushën e drejtësitë që tash e një dekadë është duke u menaxhuar nga PDK-ja, që sipas njohësve të kësaj fushe, tani në prag të emërimit zyrtar të drejtuesit të ri të kësaj ministrie,  po duket edhe një herë se PDK-ja nuk e ka ndërmend që në postin e ministrit të Drejtësisë të dërgojë një ministër të dijshëm dhe me përvojë, i cili do ta zhvillonte drejtësinë e këtij sistemi. Andaj, edhe emrat e përfolur për drejtimin e këtij dikasteri nuk duket se janë seriozë, nëse kihet parasysh pesha dhe rëndësia e kësaj ministrie kaq serioze për vendin. Deputeti nga Lëvizja, “Vetëvendosje!” Rexhep Selimi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se nëse i referohet asaj se pse asnjëherë PDK-ja nuk e ka marrë seriozisht drejtësinë e vendit, në fakt është pak më ndryshe. Selimi mendon se përkundrazi, PDK-ja e ka marrë shumë seriozisht, siç thotë ai, pengimin e drejtësisë, pasi kjo parti, sipas tij, për ta penguar drejtësinë e ka jetike. “Pra, është jetike e PDK-së që të mos ketë drejtësi të mirëfilltë në këtë vend edhe eventualisht të ketë drejtësi të manipuluar, të kapur dhe të kontrolluar”, thotë ai.

Pajaziti apo Koci, kandidatura të dobëta

“ Përveç dy emrave, të cilët i pashë të publikuar, Zenun Pajaziti dhe Gani Koci, atëherë PDK-ja po do edhe një herë ta mbajë të kapur drejtësinë dhe t’i ketë dy emra që i manipulon dhe i shantazhon lehtë dhe dy emra që i ka nën kontroll. Pra, këta mund të jenë gjithçka tjetër, por jo edhe ministra të mirëfilltë të Drejtësisë. Po ashtu, mund të jenë emra të ministrit të Drejtësisë, por asnjëherë ministra të saj. Sidoqoftë, edhe një herë po manifestohet qasja e PDK-së për ta mbajtur drejtësinë e kapur, të kontrolluar dhe gjithsesi drejtësinë e dirigjuar”, u shpreh Selimi. Ndërsa, sa i përket asaj se nëse kësisoj mund të pritet ndonjë ndryshim apo zhvillim i drejtësisë, Selimi nënvizon se ndryshimet në këtë drejtim mund të priten vetëm për keq. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani tha për gazetën “Kosova Sot” se PDK-ja dhe ky koalicion qeverisës nuk po e kanë vullnetin e duhur për të përkrahur reformimin e drejtësisë, derisa, sipas tij, një reformim i tillë mund të ndodhë vetëm nëse kushtëzohet nga faktorët ndërkombëtarë, në të kundërtën, Burjani thotë se gjendja në drejtësi do të mbetet në këtë gjendje që është tani. “Ky sistem duhet të lihet i qetë nga politika dhe ndërhyrjet në vendime eventuale, po ashtu duhet të kërkohet nga KGJK-ja dhe KPK-ja që të bëjnë vetëreformimin pa ndërhyrje. Ndërsa, reforma në drejtësi duhet të jetë thelbësore, pra në kuptimin e reformës edhe kuadrovike, në mënyrë që të rishikohet në tërësi, pasi, siç duket, shumë gjyqtarë dhe prokurorë nuk po kanë njohuri të mjaftueshme për të zbatuar drejt kodet dhe aktet e tjera në fuqi”, theksoi ai.

Njerëzit e dëgjueshëm, në pozita

Më tej, Burjani ka shtuar se tani politika vendos për ministrat përkatës, pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë nga qytetarët dhe mund ta emërojnë kë të duan aty dhe, sipas tij, kështu punohet në Kosovë. “Punohet me servilë dhe përkthyes, po ashtu me njerëz të dëgjueshëm, prandaj edhe punët janë kështu siç i kemi, dhe si rrjedhojë e kësaj gjendjeje shteti është katandisur me interesa personale, familjare, partiake.”, është shprehur Burjani. Analisti Nexhmedin Spahiu ka bërë me dije për gazetën “Kosova Sot” se në përgjithësi populli ynë ka trashëguar një mendësi ku sistemin e drejtësisë nuk e kupton si sistem drejtësie, por si një sistem represiv, derisa, siç ka thënë ai, edhe në traditën tonë kanunore drejtësia nënkuptohet si hakmarrje dhe asgjë më shumë, ose ku i forti i bën ligjet. Kësisoj, Spahiu ka nënvizuar se historikisht nuk trashëgojmë një mendësi të drejtësisë në atë mënyrë që e drejta nuk mund të tjetërsohet, apo duhet të ndahet në mënyrë korrekte, etj. Veç kësaj, Spahiu ka veçuar se edhe Kuvendi i Kosovës ndan një buxhet të vogël për sistemin e drejtësisë në krahasim të buxhetit që e ka dhe rrjedhimisht, Spahiu mendon se edhe ministri i ardhshëm i drejtësisë nuk do të ketë shumë hapësirë për ta menaxhuar këtë dikaster, saqë të vinte me ide të reja, që si rrjedhojë të shtohej edhe numri i prokurorëve dhe gjykatësve, po ashtu të rritej edhe buxheti, pasi aktualisht ai është shumë i vogël në krahasim me nevojat të cilat i ka vendi për një sistem të drejtësisë. Andaj, Spahiu ka thënë se kërkohet një përkushtim më i madh institucional për drejtësinë, por që, sipas tij, nuk mjafton vetëm kjo, pasi edhe vetë shoqëria është ajo, e cila duhet që të investojë më shumë në drejtësi. Nga ana tjetër, Spahiu ka thënë se duhet më tepër që gjykatësit dhe prokurorët të motivohen patriotikisht, pasi, siç ka thënë ai, se deri më tani “ nuk kemi, po e zëmë, asnjë gjykatës apo prokurorë të vrarë që janë viktimë e krimit të organizuar dhe kjo tregon se krimi i organizuar nuk është luftuar për vetë faktin se deri më tani nuk ka viktima në radhët e gjykatësve apo prokurorëve, derisa në anën tjetër dihet se krimi ekziston. Po ashtu nuk kemi medalje që jepen në sistemin e gjyqësisë, pasi ato jepen në emrin e Sali Çekut, i cili nuk ka qenë një gjykatës, por hero i luftës, por nuk është se ai ka qenë viktimë e krimit të organizuar dhe që është vrarë në detyrë, pasi është vrarë si luftëtar dhe jo si gjykatës”, tha ai.

 Ministri, të jetë një menaxher i mirë

Avokati Skender Musa ka vlerësuar se asnjë parti politike deri më tash nuk është marrë në mënyrë serioze me drejtësinë dhe ky fakt, sipas tij, është dëshmuar që nga përfundimi i luftës e së këndejmi. Ndërkaq, sa i përket stafit politik, Musa thotë se nuk është e përcaktuar që ministri të jetë jurist, mirëpo, siç ka thënë ai, për shkak të specifikave do të ishte mirë që ministri të jetë një jurist eminent i Kosovës. “ Përndryshe, nëse ministër vjen ndonjë person, i cili nuk është një menaxher i mirë në këtë situatë, ky do të ishte gabim dhe kësisoj prapë do të vazhdonte gjendja e rëndë në drejtësi. Mirëpo, në këtë aspekt nuk duhet të kemi paragjykime për emrat e përfolur të këtij posti, ngase njëri nga ta ka dëshmuar se është menaxher i mirë si ministër”. Pavarësisht kësaj, Musa beson se PDK-ja do të jetë e kujdesshme me kandidatin për ministër të Drejtësisë, për shkak të asaj se Kosova këtë vit do të përballet me çështje të rënda, siç është Gjykata Speciale me të cilën Kosova do të jetë e obliguar që të bashkëpunojë.

(Kosova Sot)