Demarkacioni qeveritar provokon tensione të reja

  • 26 May 2016 - 07:46
Demarkacioni qeveritar provokon tensione të reja

"Nëse Qeveria e injoron opozitën dhe vepron sipas mendjes së vet për ta ratifikuar këtë marrëveshje, edhe përgjegjësinë për bllokadën dhe kthimin e dhunës dhe gazit lotsjellës duhet ta marrë mbi vete", tha analisti politik, Islam Krasniqi.

Gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës mund të rikthehen.

Pavarësisht se akoma nuk është përcaktuar një datë e saktë e procedimit në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, pozita po deklarohet se e di datën kur do të nxirret ky dokument në diskutim dhe për ratifikim, por nuk po e bën publik në pritje të bindjes eventuale të deputetëve opozitarë dhe disa kundërshtarëve brenda radhëve të veta. Mirëpo, subjektet politike në opozitë , pavarësisht se tani janë të ndara në dy blloqe, vazhdojnë të zotohen se do të ndërmarrin të gjitha veprimet, do të përdorin të gjitha mjetet dhe metodat demokratike për ta penguar një kontrabandim eventual të marrëveshjes ekzistuese. Opozita po kërkon rinegocimin e kësaj marrëveshje me Malin e Zi, pasi që edhe ashtu fqinji i Kosovës është treguar i gatshëm për ta rishikuar atë, nëse ka devijime të vijës së vjetër kufitare, përndryshe nuk përjashtohet që si mjet kundërshtimi të rikthehen dhuna dhe gazi lotsjellës në Kuvend dhe kundërshtimet me protesta qytetare jashtë Kuvendit. Në Lëvizjen 'Vetëvendosje' theksojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte anulimi i plotë i marrëveshjes aktuale për demarkacion, pasi që të gjitha faktet po flasin se ajo është bërë në dëm të Kosovës. "Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, e nënshkruar më 26 gusht 2015, është e dëmshme për shtetin tonë për shkak se i shkëput mijëra hektarë nga Kosova dhe ia fal Malit të Zi. Si e tillë, kjo marrëveshje është e papranueshme për ne dhe nuk do të lejojmë ratifikimin e saj në Kuvend. Procedimi i saj në Kuvend nuk e zgjidh problemin, përkundrazi e thellon atë. E vetmja zgjidhje është anulimi i marrëveshjes dhe rinegocimi i demarkacionit", theksoi ai.

Thaçi e Mustafa, përgjegjësit kryesorë

Edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është bërë keq dhe kjo marrëveshje si e tillë duhet të kundërshtohet dhe duhet të korrigjohet. "Besoj se deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kuptojnë seriozitetin e çështjes dhe nuk do të nguten dhe ta ratifikojnë një marrëveshje, e cila e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë. Çështja është serioze dhe nuk bëhet fjalë këtu për ratifikimin e një marrëveshje që cakton kufijtë e mëhallëve, por kufijtë shtetërorë të Kosovës", tha Nitaj për "Kosova Sot". Sipas tij, në rast të gjykimit të drejtë nga koalicioni qeverisës, për të mos i dëmtuar interesat e shtetit dhe për të ruajtur stabilitetin në vend, atëherë ende ka hapësirë që marrëveshja të rinegociohet me palën malazeze."Çdo përpjekje tjetër e pushtetarëve të Kosovës që këtë çështje ta kalojnë sikur gjithçka është në rregull, unë druaj se do të reflektojë shumë keq edhe në interesin e Kosovës dhe të Malit të Zi edhe në stabilitetin në vend. Sigurisht se përgjegjësinë për këtë e kanë Mustafa dhe Thaçi", tha Nitaj. Sipas analistëve politikë, sjellja eventuale provokative e qeverisë me këtë marrëveshje, pa e pasur një konsensus nacional, mund të ndikojë në përshkallëzimin e situatës në vend dhe përgjegjësia i bie kryekëput klasës politike në pushtet."Nëse Qeveria e injoron opozitën dhe vepron sipas mendjes së vet për ta ratifikuar këtë marrëveshje, edhe përgjegjësinë për bllokadën dhe kthimin e dhunës dhe gazit lotsjellës duhet ta marrë mbi vete", tha analisti politik Islam Krasniqi.

Veprimi i njëanshëm, me pasoja të rënda Magjistri i shkencave politike, Ali Hertica, tha se opozita është shumë e vendosur që të mos lejojë asnjë centimetër të faljes së territorit të shtetit të Kosovës dhe që të nisen pa vonesë rishikimi dhe rinegoicimi i marrëveshjes në mes të Malit të Zi dhe Kosovës rreth demarkacionit. "Përpjeka që të veprohet njëanshëm, qoftë edhe duke i frikësuar deputetët brenda grupeve parlamentare të pozitës për ta votuar këtë marrëveshje të dëmshme, apo për ta blerë votën me metoda të tjera, sepse kjo do të prodhonte një thellim të ri të krizë pa mundësi të parashikimit të zgjidhjes së saj me mjete demokratike", tha Hertica për "Kosova Sot". Pro zgjidhjes së këtij problemi me marrëveshje politike, rishikim të krejt procesit dhe pa konfrontime politike është edhe politologu Arsim Haziri."Konfrontimet e ashpra politike të zbatuara aq fuqishëm kanë ndikuar vetëm negativisht në imazhin e deritanishëm të Kosovës dhe si të tilla mendoj se duhet ndalur për t'i dhënë mundësi edhe çështjes së demarkimit me Malin e Zi", theksoi ai."Konsideroj se pasi vlerësimi i tanishëm qeveritar për çështjen e demarkimit ka hasur në kundërshtim të plotë prej frontit opozitar, e zëra kundër ka edhe brenda vetë subjekteve në koalicion, atëherë edhe qasja qeveritare duhet ndryshuar nën arsyetimin e krijimit të një komisioni në përbërje vendore e ndërkombëtare, për të qenë një raport më i besueshëm dhe një marrëveshje e re e respektueshme nga të dyja palët", theksoi ai. 

(Kosova Sot)