Nëna e një vajze më shumë thith lot sesa oksigjen

  • 26 May 2016 - 17:09
Nëna e një vajze më shumë thith lot sesa oksigjen

Kthimi nga Austria i bëri edhe më të varfër

Shtëpia ku jeton ajo kundërmon nga era e kanalizimeve, dalin minj e gjarpërinj

Emine Syla, 39-vjeçare, ka një mal me derte e halle të jetës. Ajo derdh lot vazhdimisht. Tregon se është në gjendje të rëndë shëndetësore, psikike, saqë nuk ka para të blejë barna. Aktualisht, ajo jeton me familjen pa asnjë të ardhur, madje as pa asistencë sociale

Emine Syla, me moshë vetëm 39- vjeçare, tani e 19 vjet bën jetë të tmerrshme me vajzën dhe bashkëshortin, duke banuar në një shtëpi të braktisur dhe pa pasur mundësi të bëj jetë normale. Ajo më së shumti falënderon psikologen dr. Shukrane Shala, e cila nuk e ka lënë ta braktisë këtë jetë, sepse disa herë ka dashur që të vetëvritej. Në pikëpamje psikologjike, Shala është përpjekur ta shërojë nga kjo vuajtje e skëterrshme. "Disa herë kam dashur t'i jap fund jetës, kam probleme psikike. S 'kam para për të blerë barnat e nevojshme. Jetoj në kushte të vështira. Këtu ku jetojmë, vjen erë e rëndë e kanalizimit", shprehet ajo. Tregon se shpesh ndodhet pranë vdekjes dhe bën jetë mes jetës dhe vdekjes, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

"Minjtë e gjarpërinjtë nuk na lënë rehat"

Ajo jeton në një dhomë përdhese në rrugën "Fehmi Lladrovci" numër 67 në Prizren. Në dhomën ku jeton ajo kundërmon erë e rëndë e kanalizimit. Jeton me vajzën dhe burrin tashmë të papunë e i paaftë për punë. "Vajza po e përfundon klasën e nëntë. Klasa e saj dëshiron të shkojë për ekskursion një ditë në Shqipëri dhe vajza më thotë se i duhen para. Ku t'i gjej unë. Nuk kam para as për barna e lëre më për gjëra të tjera. Mjekët më njohin, sepse qindra herë kam kërkuar shërim, ngase vuaj nga një sëmundje psikike. S'kam barna për shërim", tregon ajo, duke qarë me zë. Ajo aq shumë derdh lot çdo çast, sepse është e pashpresë për një jetë më të mirë. Nuk ka as numër telefoni, as gjërat më elementare që i duhen. S'ka as edhe një mundësi të ushqehet si njeri, jetën ia kanë bërë të tmerrshme tash edhe minjtë, të cilët dalin nga kanalizimi, por edhe gjarpërinjtë. Ajo ka vuajtur shumë edhe gjatë luftës, sepse një vëlla ia kanë masakruar forcat barbare serbe gjatë luftës. Tregon se çdo sekondë mendon të bëjë vetëvrasje, por pasi lexon Kuran dhe beson në Zot, shprehet se nuk do që të bëhet "katile e shpirtit". Megjithatë, thotë se i ka ardhur fundi.

Image

 

Lotët e vajzës

Vajza e Emines ndodhet në gjendje të keqe, sepse nuk i ka kushte si moshataret e saj. "Shpesh më pyet vajza: 'Nënë, pse vetëm ne s'kemi asgjë. Nënë, pse unë s'kam kushte për të jetuar'. Kjo mjafton që pastaj unë të ndjehem si mos më keq psikisht, pothuajse çmendem fare", tregon ajo. Eminja është e vetëdijshme se kështu nuk mund të jetohet. Gjatë eksodit të fundit para një viti, kjo familje ia kishte mësyrë migrimit në Austri. Ishin vendosur në Pemberg. Eminja tregon se, edhe pse kishte katër termine mjekësore për trajtim psikik, ishin kthyer me dhunë në Kosovë. "Para se të shkonim në Austri, merrnim një ndihmë sociale prej 75 eurosh, pas kthimit në Qendrën për Punë Sociale nuk na e japin përsëri atë ndihmë sociale duke thënë se duhet të kalojnë së paku gjashtë muaj", tregon Eminja. Ajo shpreson shumë se do të gjenden njerëz bamirës që të shpëtojnë jetën e kësaj familjeje. Do ta shpëtojnë jetën e nënës Emine Syla, e cila shpreson se më në fund do të ketë së paku një dhomë ku të bëjë një jetë më normale. Vetëm bamirësit mund t'i largojnë nga ai kundërmim i rëndë dhe jetë me vuajtje të mëdha.

(Kosova Sot)