Ligji i xhunglës po e zbraz Kosovën

  • 27 May 2016 - 07:48
Ligji i xhunglës po e zbraz Kosovën

Pabarazia para ligjit i detyron edhe bizneset të ikin.

Një nga faktorët e largimit tejet të madh të qytetarëve nga vendi, veçanërisht që ka marrë hov në dy vjetët e fundit është edhe zhgënjimi i tyre nga mosfunksionimi i drejtësisë dhe mungesa e sundimit të ligjit në Kosovë. Kësisoj, këta qytetarë të gjendur përballë kësaj situate të rëndë në drejtësi, me të gjitha ato që po ndodhin arsyetohen se janë detyruar të largohen nga vendi edhe 17 vjet pas lirisë së pritur gjatë, si pasojë e sundimit të antiligjit apo të drejtësisë nga mafia, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i instaluar në institucione,shkruan gazeta Kosova Sot.

Kjo ndryshe në qarqet juridike e politike njihet si ligji i xhunglës, apo ai i sundimit mbishtetëror të njerëzve që janë mbi ligjin, ose edhe të pushtetarëve autokratë. Në këtë drejtim bashkëbiseduesit kanë alarmuar se ky realitet në drejtësi po i detyron qytetarët që të largohen në forma të ndryshme nga vendi i tyre drejt perëndimit. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë në këtë drejtim se pasojat janë të gjera, pasi s'ka respektim dhe as zbatim të rendit dhe ligjit, derisa në anën tjetër përpjekjet e një numri të madh të njerëzve të fuqishëm politikë janë në vazhdimësi të njëjtat, që të pasurohen pa bazë sa më shumë, gjersa nuk e çajnë kokën se çfarë mund të ndodhë më vonë.

Vendi i padrejtësive

Burjani thotë se si pasojë e kësaj gjendjeje, qytetarët janë të zhgënjyer tej mase në drejtësinë e vendit, apo, siç e ka quajtur ai, në këtë padrejtësi totale, pa dinjitet dhe respekt për të drejtat elementare të njeriut, " Kësisoj, qytetari është i zhveshur nga drejtësia dhe i painteresuar, madje as çka po ndodh, vetëm nëse situatat e caktuara që prekin interesin e qytetarit atëherë ka reagim individual të qytetarit, por deri më tash nuk ka ndonjë reagim publik të qytetarëve apo reagim kolektiv si problem në ndarje të drejtësisë. Ky sektor ka bërë që të shndërrohet edhe drejtësia në një lloj biznesi për interesa të këtyre njerëzve të këtij sistemi". Më tej, Burjani ka nënvizuar se interesat personale të këtyre njerëzve të drejtësisë janë parësore, derisa ideja e tyre është se drejtësia mund edhe të presë apo edhe rastet e shumta mund të presin po ashtu për t'u zgjidhur dhe se kjo është e keqja më e madhe...(Më shumë mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot) 

(Kosova Sot)