Hahn dhe Ambasada amerikane në Shkup kërkojnë tërheqjen e tërësishme të faljes

  • 29 May 2016 - 10:21
Hahn dhe Ambasada amerikane në Shkup kërkojnë tërheqjen e tërësishme të faljes

Eurokomisari Johanhes Hahn përmes rrjetit social Twitter ka shkruar në lidhje me vendimin e presidentit maqedonas Gjorge Ivanov që ta tërheqë vendimin për falje të 22 personave të eksponuar politik. Sipas Hanit, "vendimi i presidentit Ivanov të falë vetëm një numër të caktuar nuk është i mjaftueshëm" dhe nevojitet "zgjidhje e tërësishme që të shmanget drejtësia selektive".

Përmes mediave sociale, reagim dërgoi edhe Ambasada amerikane në Shkup. "Siç thamë javën e kaluar, tërheqja e pjesërishme ose selektive e faljes e rrit ndjenjën rritëse të padënueshmërisë në vend dhe ndalon që Maqedonia të përparojë drejt qëllimeve të veta më të rëndësishme, përfshirë edhe drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Maqedonia duhet tërësisht të përgjigjet në këtë çështje", shkruan Ambasada amerikane.

Ivanov të premten kumtoi se ka marrë vendim që t'i tërheqë faljet për 22 persona, derisa personat e tjerë të falur mund të parashtrojnë kërkesa personale për tërheqjen e vendimeve të tyre për falje. "Nuk dua më askush të ketë dyshim. Asnjë politikan nuk është mbi ligjin, asnjë politikan nuk është i paprekshëm, përkundrazi secili do të përgjigjet për veprimet e tij", deklaroi Ivanov.

(Kosova Sot)