Kelmendi: Jo prokurorë dhe gjyqtarë nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën

  • 29 May 2016 - 11:12
Kelmendi: Jo prokurorë dhe gjyqtarë nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën

Eksperti i së drejtës, Muhamet Kelmendi, çështjen e vazhdimit të mandatit të EULEX-it e sheh si një çështje, e cila duhet të analizohet me një përkushtim të veçantë, pasi në këtë drejtim, sipas tij, edhe faktori i brendshëm, përkatësisht shteti i Kosovës, duhet të jetë më këmbëngulës në kuadër të kërkesave të tij në bisedimet që i zhvillon me BE-në në përcaktimin dhe vazhdimin e mandatit të tillë të EULEX-it.

Por, pavarësisht kësaj, Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, mendon se deshi apo jo Kosova, Unioni Evropian do të përcaktojë dhe do të vazhdojë mandatin e EULEX-it edhe për një mandat tjetër dhe se kjo, siç ka thënë ai, do të jetë një punë e kryer.

Ai ka shtuar se ajo që mund të bëjë shteti i Kosovës është vetëm fakti që të ndikojë tek ky mision që në kuadër të gjyqtarëve dhe prokurorëve mos të vijnë kuadro të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën,p.sh një shembull konkret në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ku i kemi dy gjyqtarë, njëri nga Spanja dhe tjetri nga Rumania, që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ata në kuadër të kësaj gjykate veprojnë ende sipas Kushtetutës së Republikës federative të Jugosllavisë, e cila nuk ekziston më dhe kuptohet se edhe qëndrimet dhe mendimet e tyre janë të dëmshme.

"Me këtë dua të them se pushteti i Kosovës duhet të kërkojë që në radhët e këtij misioni të ketë gjyqtarë profesionalë, po ashtu të kërkojë edhe që të ketë prokurorë të nivelit të duhur dhe mos të pranojë çdonjërin, i cili mund të vijë këtu", është shprehur Kelmendi.

Ndërsa, sa i përket asaj se nëse i duhet apo jo Kosovës një mision i tillë, Kelmendi ndan mendim se misioni në fjalë i duhet vendit, ngase, sipas tij, praktika e deritanishme ka dokumentuar si në fushën politike ashtu edhe në atë ekonomike.

"Kemi të bëjmë me njerëz shumë të mëdhenj dhe të fuqishëm, të lidhur njëri me tjetrin shumë ashpër, politika me ekonominë. Këtu nuk kemi guxim nga ana e organeve të shtetit të Kosovës, prokurorisë, gjykatave dhe policisë, që të merren me kompetencë me këta persona dhe t'i sjellin para përgjegjësisë, qoftë penale apo juridike-civile, për dëmet që i kanë shkaktuar.

(Kosova Sot)