Një i vdekur e 14 të lënduar nga rrufetë në Europë

  • 29 May 2016 - 13:52
Një i vdekur e 14 të lënduar nga rrufetë në Europë

Në Poloni një person ka humbur jetën, në Paris u lënduan 11 persona, 8 të prej të cilëve fëmijë dhe në Gjermani u lënduan rëndë edhe 3 vetë, gjatë një ndeshje futbolli për fëmijë.

E gjithë kjo situatë ka ndodhur si pasojë e stuhive që goditën pjesë të ndryshme të kontinentit të vjetër, të cilat kanë sjellë edhe rrufe.

Sipas medieve ndërkombëtare, burri rreth të dyzetave, që vdiq prej tyre në Poloninë jugore, ishte duke zbritur nga një shpat malor, kur mbi të u derdh shkarkesa e tmerrshme elektrike.

Ndërsa një pjesë e të plagosurve në kryeqytetin francez janë në gjendje kritike për jetën. Mediet vendase shkruajnë se episodi fatkeq ndodhi gjatë një feste ditëlindjeje në “Parc Monceau”.

Gjashtë nga fëmijët që dergjen në spital kishin kërkuar t’i shpëtonin furisë së motit duke qëndruar poshtë një peme, e rrufeja kishte goditur pikërisht aty.

Fatmirësisht, një zjarrfikës, Pascal Gremillot, i cili në ato momente e kishte lënë shërbimin, rastisi aty pranë. Gremillot u ka dhënë menjëherë të lënduarve ndihmën e parë e u ka bërë masazh zemre.

Sipas zyrtarëve vendas, pa këtë ndërhyrje fatlume, gjendja do të kishte qenë shumë më e rëndë.

Ndërkohë, tmerrues ishte dhe incidenti i Hoppstaedtenit në Gjermani, ku në fushën e futbollit, po prej rrufeve u lënduan 35 vetë. Arbitri, personi i goditur drejtpërdrejt, u dërgua në spital me helikopter.

Mediet gjermane shkruajnë se dy të rritur të tjerë janë në gjendje të rëndë, ndërsa 30 fëmijë të moshave 9 deri në 11 vjeç i janë nënshtruar kontrollit mjekësor dhe analizave, por situata e tyre nuk paraqitet shqetësuese.

(Kosova Sot)