Në pak ditë janë mbytur 700 klandestinë në Mesdhe

  • 29 May 2016 - 15:22
Në pak ditë janë mbytur 700 klandestinë në Mesdhe

700 klandestinë janë mbytur në Detin Mesdhe, pas fundosjes së anijeve të tyre në pjesën jugore të Italisë disa ditë më parë.

Shifra e frikshme bëhet me dije Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, UNHCR. Zëdhënësja e UNHCR-së, Carlotta Sami, i tha agjencisë “Associated Press” se vlerësohet se 100 njerëz janë të zhdukur nga një anije e kontrabandistëve, e cila u fundos më 25 maj.

550 klandestinë janë zhdukur nga një anije e fundosur më 26 maj, pasi ishte larguar një ditë më parë nga porti perëndimor “Sabratha” në Libi. Në anije ishin 670 njerëz, nuk kishte makinë dhe i ishte ngjitur një anijeje tjetër kontrabanduese para se të përmbysej dhe fundosej. 15 persona kanë humbur jetën, ndërsa 79 të tjerë janë shpëtuar.

Në tragjedinë e tretë më 27 maj, janë gjetur 45 trupa të pajetë, ndërsa raportohet se shumë të tjerë ishin zhdukur pas përmbysjes së anijes ku ata gjendeshin.

Vitet e fundit brigjet e Mesdheut janë kthyer në varreza masive, ku shumë klandestinë nga vendet kryesisht Afrikane dhe Lindja e Mesme nuk ia dalin të prekin “tokën e premtuar” të Evropës.

(Kosova Sot)