Hiperpagat në borde e agjenci, për t’u shërbyer pushtetarëve

  • 30 May 2016 - 08:05
Hiperpagat në borde e agjenci, për t’u shërbyer pushtetarëve

Duket ndoshta e pabesueshme, por në Kosovë nuk janë krerët e shtetit më të paguarit në vend, zyrtarët e Trustit Pensional dhe AKP-së. Me gjithë vërejtjet e Këshillit të Evropës dhe BE-së, si edhe kundërshtimet e bëra nga shoqëria civile në adresë të Qeverisë së Kosovës për pagesat e larta nëpër borde, një trend i tillë po vazhdon. Opozita kritikon Qeverinë se ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura të shtetit fund e krye po përdoren për t’i mbajtur e për t’i pasuruar militantët partiakë me paga të larta dhe për t’u shërbyer më pas politikanëve verbërisht. Ndërkaq, me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Qeverisë së Kosovës për këto hiperpaga dhe emërtime partiake nëpër borde e ndërmarrjeve publike, zyrtarët e Qeverisë nuk kanë dhënë përgjigje,shkruan gazeta Kosova Sot.

Mësohet se janë udhëheqësit e NP-ve dhe agjencive të ndryshme, të cilët paguhen prej 3 mijë deri në mbi 5 mijë euro në muaj. Për standardin e Kosovës, ky është një burim i pakënaqësisë së njerëzve kur dëgjojnë për këto paga tepër të larta. Edhe pse paguhen shumë,performanca e ndërmarrjeve dhe agjencive nuk është e kënaqshme. Drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli mbetet zyrtari më i paguari në vend. Ai vazhdon të marrë pagën mujore 15 herë më të lartë se paga mesatare në vend. Zalli pagë mujore merr 5 mijë e 213 euro, ose 62 mijë e 567 euro në vit. Pas Zallit, pagën më të lartë e ka Agron Mustafa, kryeshef ekzekutiv në Telekomin e Kosovës, i cili merr pagë mujore 4 mijë e 451 euro. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza merr pagë mujore 4 mijë e 301 euro, ose 51 mijë euro pagë vjetore. Ndërsa, Avni Jashari, u.d. i drejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), paguhet 3 mijë e 979 euro në muaj, ose pagë vjetore 47 mijë e 749 euro. Ndërsa, për rrogën e drejtorit të ri të AKP-së nuk kemi marrë përgjigje nga AKP-ja. Fare keq nuk qëndron as Sejdi Hoxha, kryeshef i Postës së Kosovës, i cili merr pagë mujore 3 mijë euro. Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj ka pagë mujore 2 mijë e 413 euro. Ndërkaq, krerët e shtetit të Kosovës i kanë pagat më të ulëta krahasuar me udhëheqësit e këtyre agjencive dhe ndërmarrjeve.

 Nuk i meritojnë pagat që i marrin

Analistët dhe deputetët e Kuvendit kanë kërkuar që të ndërpritet një zhvatje e tillë e buxhetit të vendit. Anëtarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputetja nga koalicioni qeverisës, Sefete Hadërgjonaj(PDK) thotë se kërkesa e tyre si komision disa herë ka qenë që sa më parë të hartohet ligji për pagat e funksionarëve më të lartë publikë dhe atyre të agjencive të pavarura. “Ai ligj po na mungon dhe se nuk mund të bëjmë një harmonizim të pagave pa një ligj të pagave, sepse vërtet të jetë një dallim aq i madhe në paga nuk ka kuptim dhe duhet zgjidhur çështjen sa më parë”, është shprehur ajo. Ndërsa deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) është i mendimit se në asnjë mënyrë rrogat e mëdha të menaxherëve të NP-ve dhe agjencive të pavarura nuk meritohen, sepse pagat në ndërmarrjet publike dhe në institucionet, siç janë Trusti Pensional dhe AKP-ja, vazhdojnë të jenë jashtë çdo rrethane normale.çdo rrethane normale. "NP-të dhe agjencitë e pavarura të shtetit fund e krye po keqpërdoren për t'i mbajtur e për t'i pasuruar militantët partiakë me paga të larta dhe për t'u shërbyer më pas politikanëve verbërisht", është shprehur deputeti Enver Hoti.

 

Canhasi: Në vend të privilegjeve, duhet sanksione

Menaxheri i programit antikorrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës
(KDI), Artan Canhasi, ka thënë për "Kosova Sot" se menaxherët e NP-ve dhe agjencive të pavarura nuk i meritojnë pagat e larta. "Nuk i meritojnë për shkak se këto kompani në shumicën e rasteve operojnë me humbje të përgjithshme neto". Sipas Canhasit, nuk duhet që të mbështeten tutje, por të sanksionohen këta udhëheqës, por në fakt këtu te ne ndodh e kundërta. Ai thotë se këto ndërmarrje publike apo agjenci të pavarura shpeshherë shërbejnë si vend për akomodimin e militantëve politikë. "Njerëzit të cilët shpeshherë kanë kandiduar në zgjedhje dhe nuk kanë fituar apo janë shpenzuar politikisht janë rehatuar në këto borde". Sipas tij, kjo shërben si një lloj bonusi për ata persona, të cilët i kanë kryer partisë favore të ndryshme.Eksperti i ekonomisë Muhamet Sadiku për "Kosova Sot" është shprehur se me këto paga marramendëse, nuk është rastësi që bordet dhe udhëheqësit e ndërmarrjeve janë kryesisht politike. Ai thotë se për fat të keq këto paga nuk kanë lidhshmëri me suksesin e ndërmarrjeve publike. Sipas tij, partitë politike në pushtet zakonisht i dërgojnë njerëzit e vet, të cilët pak marrin vesh me qeverisjen e korporatave, kurse nga ana tjetër jashtë këtyre pozitave lihen njerëzit që kanë eksperiencë dhe ekspertizë për funksionalizimin e këtyre ndërmarrjeve publike. Sadiku thotë se, edhe pse janë asete publike, duhet të rritet efikasiteti i shfrytëzimit të tyre.

(Kosova Sot)