Ua marrin tokën, që e dhanë për qëllime biznesi

  • 30 May 2016 - 16:56
Ua marrin tokën, që e dhanë për qëllime biznesi

Opozita në Ferizaj ankohet për vendime kryeneçe të qeverisë lokale

Kuvendi Komunal i Ferizajt muaj më parë dha 12 toka komunale në shfrytëzim për 99 vjet, të cilat do të përdoreshin për qëllime biznesi, por jo gjithçka shkoi në rregull, prandaj në dy raste u shkëputën kontratat e nënshkruara mes pushtetit dhe atyre që paraqitën ofertat

Të gjitha bizneset përfituese të pronave komunale, të cilat nuk i përmbushin kriteret e parapara, rrezikojnë t’u ndërpriten kontratat. Lidhur me këtë, pushteti dhe opozita kanë vlerësime të kundërta për atë se kush është autoriteti që duhet ta bëjë këtë. Mësohet se këto kontrata i ka ndërprerë kryetari i Ferizajt, bazuar rekomandimet që ka dhënë një komision i formuar për vlerësimin e zbatimit të këtyre kontratave.

“Komisioni i formuar për këtë çështje ka konstatuar se nuk janë marrë hapa konkretë për t’u dëshmuar investimet e premtuara  dhe përmes zyrës ligjore është konstatuar se kemi pasur të drejtë ta bëjmë një gjë të tillë. Në bazë të planit të paraqitur, janë përcaktuar edhe format e zbatimit apo jo të marrëveshjes konkrete”, tha kryetari Muharrem Sfarqa, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Por, vendimin për marrje të së drejtës për shfrytëzim po e konteston opozita në Ferizaj. Mustafë Grainca, nga grupi kuvendor i PDK-së, thotë së është dashur që e gjithë çështja të rikthehet në Kuvend dhe ky organ të vendosë për shkëputje të kontratës e jo Komuna ta bëjë një gjë të tillë krye më vete.

Vendimi i njëanshëm i kryetarit Sfarqa

“Në rast se nuk kthehet kjo çështje në Kuvend, këto dy biznese mund të konsiderojnë se ende kanë të drejtë të kërkojnë tokën për biznes, që ua ka dhanë Kuvendi. Kryetari ka ndërprerë marrëveshjen e lidhur me ta, duke vlerësuar gjendjen aktuale, por vendimin për dhënie apo marrje të pronës publike e ka vetëm Kuvendi“, thotë këshilltari Grainca.

Ndonëse nuk ka pasur ankesa të zëshme nga bizneset, me të cilat është prishur marrëveshja, autoritetet komunale duke u ndërlidhur me këto dy raste, por edhe me rastet e tjera sikurse është zona e Babushit dhe çështja e qirave publike të painkasuara, vënë në dukje se këtu nuk bëhet fjalë për shtrëngesa ndaj bizneseve, por me sjelljen institucionale dhe profesionale të Komunës të paaplikuar deri më tani.

Nisur nga kjo, edhe opozita mendon se është detyrë e ekzekutivit, që, përmes mekanizmave të tij, të shikojë plotësimin e marrëveshjeve me bizneset, por që në fund Kuvendi është ai që e ka të drejtën të anulojë një vendim. Krijimi i zonave ekonomike është parë si një mundësi e mirë për zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Problemet e paraqitura të kësaj natyre shtrojnë dilemën e domosdoshmërisë së zbatimit sa më rreptë të kritereve përcaktuese.

(Kosova Sot)