Shkolla ku mungojnë vetëm nxënësit

  • 30 May 2016 - 19:29
Shkolla ku mungojnë vetëm nxënësit

Komuna mashtroi për subvencionet e dedikuara për nxënësit e bujqësisë.

"Faji ndoshta qëndron më shumë edhe tek shkollat, që po grumbullojnë numër të madh të nxënësve, pa mundur të garantojnë për ta konkurrencë të drejtë në tregun e punës. Ndërsa, prindërit e nxënësit edhe më tutje nuk janë të vetëdijshëm, që për aftësimet që marrin këtu, u duhet vetëm njohja e një gjuhe të huaj dhe ata lehtë mund të jenë të punësuar në vendet evropiane, ngase aftësimet që merren janë mjaft të standardizuara", thotë Merita Jonuzi, mësimdhënëse, raporton Gazeta Kosova Sot

Ish-shkolla e mesme bujqësore "Zenel Hajdini", e cila tashmë ka ndërruar emrin në shkollë për Teknologji dhe Agrobiznes, vazhdon të vuajë për nxënës edhe më tutje. Kushtet e punës praktike dhe produktet e para bujqësore të pranverës tashmë janë të prekshme aty, por duhet një vetëdijesim më i madh edhe i prindërve për ta kuptuar drejt shkollimin e mesëm të fëmijëve. Nga më pak se 200 nxënës sa kishte kjo shkollë vitin e kaluar në klasat e 10-ta, sivjet ky numër është rritur për vetëm 70 nxënës, madje me nxënës që nuk kanë mundur të regjistrohen nëpër shkolla të tjera, e që pa ndonjë dëshirë ua kanë mësyrë dyerve të kësaj shkolle. As prodhimet bujqësore, e lulet e kultivuara nga dora e mësimdhënësve dhe vetë nxënësve nuk po ua mbushin syrin nxënësve ferizajas, se shkolla profesionale për Teknologji dhe Agrobiznes është vendi ku ata do të aftësohen për një vend pune në sferën e bujqë- sisë. "Faji ndoshta qëndron më shumë edhe tek shkollat që po grumbullojnë numër të madh të nxënësve, pa mundur të garantojnë për ta konkurrencë të drejtë në tregun e punës. Ndërsa prindërit e nxënësit edhe më tutje nuk janë të vetëdijshëm, që për aftësimet që marrin këtu, u duhet vetëm njohja e një gjuhe të huaj dhe ata lehtë mund të jenë të punësuar në vendet evropiane, ngase aftësimet që merren janë mjaft të standardizuara", thotë Merita Jonuzi, mësimdhënëse e lëndëve, që kanë të bëjnë me hortikulturën.

U hoqën edhe subvencionet e premtuara

Në fillim të vitit të kaluar shkollor u premtuan me pompozitet përkrahje e bursa nga Komuna për nxënësit, që do të jenë më të mirët e kësaj shkolle. Ishin planifikuar edhe përparësi në marrjen e subvencioneve për familjet e atyre fëmijëve, që do të përfundonin me sukses ndonjë vit shkollor këtu. Mirëpo, në rishikimin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit 2016, ky projekt thuhet se nuk do të mund të realizohet. Këtë veprim e ka vlerësuar si të padrejtë këshilltarja komunale, Mimoza Sojeva-Pajaziti, e cila ka thënë se nuk është dashur të ndodhte një mashtrim i tillë. "Është dashur të tregohet një kujdes më i madh, ngase me pompozitet u patën thënë nxënësve që do të ndihmohen. Veç kësaj, në këtë mënyrë nuk mund të ndihmohet bujqësia, sepse gjithçka nis qysh në moshë të re, pra edhe tek këta nxënës, që në të ardhmen ndoshta mund të jenë profesionistë të fushës", ka thënë këshilltarja Pajaziti.

Shpresat tek sektori privat

Shkolla për Teknologji dhe Agrobiznes shpreson se do të gjenden forma të tjera të përkrahjes nga Komuna, qoftë duke i lidhur me sektorin privat, qoftë duke i inkuadruar nxënësit në ndonjë projekt me donatorë, pasi që kushtet e punës këtu tani janë shumë të mira. Eshref Qerimi, drejtor i kësaj shkolle, tregon se kjo shkollë është tashmë gati e kompletuar për nga kushtet për punë, porse shkollës i duhen më shumë nxënës me sukses më të mirë për t'u arritur edhe më shumë produktivitet, si dhe një bashkëpunim më i përafërt me sektorin privat. "Vërtet duhet të ndryshojë raporti në mes të punëdhënësve dhe punëkërkuesve, ngase fuqia punëtore duhet të bazohet në njohuritë profesionale dhe ne po angazhohemi që nxënësit tanë të gjejnë veten më mirë, sepse të gjitha kushtet për aftësime moderne ata i kanë në shkollë", pohon drejtori Qerimi.

(Kosova Sot)