Djaloshi 3-vjeçar vdes në veturën e nxehtë

  • 18 June 2016 - 18:18
Djaloshi 3-vjeçar vdes në veturën e nxehtë

Një djalosh trevjeçar ka vdekur pasi që është gjetur në një veturë të nxehtë jashtë shtëpisë së tij në veri të Hjustonit në SHBA. Zëdhënësi i zjarrfikësve të Hjustonit Ruy Lozano ka thënë se zemra e Evan Trapolinos kishte ndaluar së rrahuri pasi që ishte gjetur në veturë në orën 14:00 të enjten. Ai është dërguar në spital ku ka vdekur pak kohë pas arritjes. 

Shërbimi nacional meteorologjik ka bërë të ditur se temperatura në atë kohë ishte rreth 39 gradë celsius në afërsi të shtëpisë së djaloshit, transmeton gazeta Kosova Sot.

Nuk ka qenë në gjendje të dalë jashtë për shkak të dyerve të pasme të bllokuara

Hetuesit thonë se është e paqartë se si ka hyrë djaloshi në veturën 'Volkswagen Passat' të parkuar në oborrin e shtëpisë. Megjithatë, hetuesit thonë se Evan ia ka dalë që ta hapë derën e shtëpisë dhe më pas ka hyrë në veturë dhe është ulur në karrigen e pasme. Ai nuk ka qenë në gjendje që të dalë jashtë për shkak të dyerve të pasme të bllokuara. Hetuesit ende janë duke provuar që të zbulojnë se si ka hyrë ai në veturë, por thonë se ndoshta ka qenë në kërkim të ndonjë lodre. 

Nuk pritet që të ketë ndonjë akuzë

Fqinji Chris Johnson ka thënë për 'Click2Houston Chronicle' se fëmija mund të ketë dalë nga shtëpia për të luajtur jashtë dhe se ka përfunduar disi në veturë dhe se komuniteti është tronditur nga kjo humbje. "Jam tronditur. Unë jam rritur me nënën e tij. E kemi parë djalin duke luajtur gjatë tërë kohës. Ky është një lajm me të vërtetë tronditës", ka thënë ai. Hetuesit kanë thënë se rasti është ende nën hetime, por nuk pritet që të ketë ndonjë akuzë. 

(Kosova Sot)