Djemtë plaken duke pritur nuse

  • 25 June 2016 - 17:28
Djemtë plaken duke pritur nuse

Burrat në Muçibabë, ata pak që kanë mbetur, vazhdojnë të hamenden ndërmjet amanetit të etërve, për të mos i braktisur varret dhe tokën e të parëve dhe ëndrrës së fëmijëve të tyre, për një të ardhme ndryshe nga e kaluara. Vehid Ibrahimi, kryetar i Këshillit lokal, thotë se kanë problem t`i martojnë djemtë dhe vajzat. Askush nuk dëshiron ta japë çikën e tij në këtë fshat, sikur askujt nuk i bie ndërmend të shkojë në këto anë për të kërkuar një nuse për djalë. Njerëzve, sikur u duken dy botë të ndara këto."Shyqyr zotit që tani të rinjtë po njihen mes vete përmes rrugëve digjitale, se po të ishte si dikur, me shkues, zor se kish mësyrë njeri këndej pari për të kërkuar çikë për nuse", thotë Ibrahimi. Jeta pranë kufirit ende të padefinuar me Serbinë, nuk është e lehtë aspak, edhe për shkak të terrenit të thyer, mungesës së ujit, tokave të bukës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Në Muçibabë duhet të sigurohen uji, druri, buka dhe ushqimi i bagëtive para dimrit dhe pa rënë terri, sepse natës nuk i zihet besë. Familja Ibrahimi kujdeset që të shkojë te kroi, para se të bjerë terri. Kryefamiljari Vehid Ibrahimi e ngarkon mirë gomarin me bucela uji dhe kthehet mbrapa sa më herët që mundet. Edhe rruga e ujit, për disa nga këta banorë, përbën rrezik, ngase burimi është krejt pranë kufirit, derisa xhandarmëria serbe i ka kërcënuar të mos i shoh në territorin e saj, sepse pandeh që burimi, malet dhe arat e Muçibabës janë andej. Rreth 70 për qind të tokave dhe maleve kanë mbetur andej, thotë Ibrahimi.

Vuajtjet i lidhin njerëzit më tepër me vendlindjen

Meqenëse mundësi të tjera për mbijetesë nuk kanë, shumica e tyre jetojnë nga asistenca sociale. Shumica e banorëve nuk dinë për festat e ditëlindjes, festën e Vitit të Ri, e për disa festa të tjera. Festa e tyre e vetme është Bajrami. "Nëse jeton në Muçibabë, nuk ke ditëlindje, nuk ke Vit të Ri, ndonjëherë as Bajram", thotë Ibrahimi. Atje secila ditë është e njëjtë me tjetrën. Dielli ndjek të njëjtën rrugë, ndërsa banorët kanë të njëjtat ditë. Për këto arsye, shumë shtëpi nuk tymojnë më, sepse ata që kanë pasur mundësi, kanë ikur nga atje, ose nuk janë rikthyer fare pas luftës. "Në këto tri fshatra kufitare nuk kanë ngelur më shumë se 14-15 shtëpi, derisa dikur këtu jetonin mbi 50 familje. "Nuk është e lehtë të jetosh në këtë skaj bote, siç thuhet, por prapëseprapë nuk po mundemi t`ia kthejmë shpinën vendlindjes, sepse e duam atë edhe kështu siç është", thotë Ibrahimi. Burrat e Muçibabës thonë se jeta këtu nuk është e lehtë për shumë gjera."Sa për bukë, sot nuk vdes kush. Por, këtu nuk të jep kush nuse dhe nuk t`i lyp kush vajzat". Të rinjtë e këtyre fshatrave e kanë edhe këtë hall, në mesin e shumë halleve të tjera. Sipas një legjende, edhe vetë toponimi Muçibabë nënkupton mundim dhe vuajtje. Ndoshta këto vuajtje i bëjnë njerëzit e kësaj toke kaq fort të lidhur për vendlindjen. Edhe ata që janë shpërngulur nuk shkon muaji pa dalë atje gjatë ditës. Këtu sikur ndihen më mirë. 

Kryetari pa shtëpi 

Kryetari i fshatit, prej dy vjetësh, që kur iu dogj shtëpia nga një zjarr, që ai mendon se erdhi nga rryma elektrike, jeton në shkollë. Nuk kishte besuar se kaq gjatë do të mbetej mes nxënësve dhe mësimdhënësve, por ja që ndodhi kështu. Brenga e tij është se mund ta pengojë pa dashur procesin mësimor. "Mundohem të jem i kujdesshëm, por nuk e di sa ia kam dalë deri tani. Jemi familje dhe nuk mund t`i mbyllim dyert për miq, që ndonjëherë na vijnë për vizitë", thotë ai. Komuna e Gjilanit e ka ofruar këtë rast te donatorët, por ende nuk i ka shkrepur fati kësaj familje. Përmes kësaj forme, Komuna e Gjilanit ka ndërtuar rreth 30 shtëpi për nevojtarë deri tani dhe është duke vazhduar tutje. Ibrahimi nuk pati fat as kur e gjeti qypin, sepse nuk kishte lira në të, siç kishte shpresuar ai, por ishte i mbushur me dinarë të Serbisë, të vitit 1944. Nuk iu deshën asgjë. Por ai ende beson te fati, prandaj është lidhur kaq fort me vendlindjen dhe nuk do të largohet nga andej, çka do që t`i sjellë ajo, të mira apo të këqija. 'Me të këqija jemi mësuar ne, por të mirat mund të na befasojnë", thotë Ibrahimi

(Kosova Sot)