Nënës së dy fëmijëve i ishte thënë që të mos mbetet shtatzënë

  • 25 June 2016 - 18:44
Nënës së dy fëmijëve i ishte thënë që të mos mbetet shtatzënë

Lorna Samson-it, që ishte diagnostikuar me tumor beninj të trurit, i ishte tërhequr vërejtja nga mjekët se hormonet e shtatzënisë do të mund ta stimulonin rritjen dhe ta bënin tumorin e saj më të madh. Një grua që është diagnostikuar me tumor truri si adoleshente dhe të cilës i ishte thënë që të mos lindë fëmijë, pasi që një gjë e tillë do të mund ta linte të vdekur, tani i ka dy fëmijë. Lorna Samson, 25- vjeçarja nga Uimborni në Angli, është bërë nënë në moshën 18- vjeçare.

Tani dashuria e saj për të bijtë, Nate 6-vjeçar dhe Cody 3- vjeçar, e frymëzon atë për çdo ditë dhe e bën që ta çmojë secilin moment të jetës, transmeton gazeta Kosova Sot.

Rrëfimi prekës i nënës së re

"Po të më shikojë dikush duke i shtyrë dy djemtë e mi të vegjël në kolovajzë do të mendonte se jam sikur edhe çdo nënë tjetër e re. Por unë jam diagnostikuar me tumor truri në moshën 15-vjeçare dhe më kanë thënë që të mos mbetem shtatzënë pasi që hormonet mund ta rrisin edhe më shumë tumorin tim. Por djemtë e mi më frymëzojnë për çdo ditë. Ata më japin arsye për t'u zgjuar në mëngjes dhe për ta jetuar secilën ditë sa më mirë që mundem. E çmoj secilin moment me ta. Në moshën 15-vjeçare, për dy vjet, kam pasur dhimbje në kokë, probleme me dëgjim dhe balancim para se të diagnostikohesha me tumor në tru. Për fat të keq, kam humbur disa miq. Kur je 15- vjeçare dhe u tregon shokëve e shoqeve të klasës se ke tumor në tru, ata mendojnë se e sajon një gjë të tillë për të tërhequr vëmendje. Më 12 korrik të vitit 2005, kam pasur një operacion që ka zgjatur gjashtë orë dhe kirurgët ia dolën që ta mënjanojnë pjesën më të madhe të tumorit. Por ata e kanë lënë një pjesë për shkak të rrezikut të shkaktimit të paralizës së fytyrës. Testet e biopsisë zbuluan se bëhej fjalë për një tumor beninj. Tani mezi dëgjoj me veshin e majtë pasi që një nerv ishte dëmtuar gjatë operacionit". 

Fëmija e bëri lidhjen edhe më të fortë

"Dy vjet më vonë, u njoftova me të fejuarin tim, Danny Blacklidge, kur shkova për të blerë akullore në dyqanin ku punonte ai. Pas një viti në lidhje, mbeta shtatzënë. Në moshën 18-vjeçare, shtatzënia ishte gjëja e fundit në mendjen time. Të themi se ndodhi si aksident i mirë. Kisha frikë për t'i treguar nënës kështu që vetëm ia tregova testin e shtatzënisë dhe më pas i thashë që ajo t'i tregojë babait. Mjekët ma kishin tërhequr vërejtjen se hormonet e shtatzënisë do të mund ta stimulonin rritjen e tumorit. Ata më thanë se nuk do isha në gjendje që të bëj skanim 'MRI' për ta monitoruar atë gjatë kohës së shtatzënisë. Por asnjëherë nuk ka pasur dyshim në lidhje me lindjen e foshnjës sime. Natyrisht që brengosesha në lidhje me mundësinë e rritjes së tumorit, por jam munduar që të mbetem gjithmonë pozitive.

Kur e mbajta të birin tim Nate në duar, u pushtova nga dashuria dhe ndjenja e madhe për ta mbrojtur atë. Amësia më pëlqente dhe ishte gjëja kryesore për mua. Ka qenë vështirë për ne se u bëmë prindër në moshat 18 dhe 21-vjeçare dhe kemi humbur disa miq për shkak se ishim në fazë të ndryshme të jetës. Shumica e tyre ishin në studime derisa unë kujdesesha për një fëmijë. Për fat të mirë, kurrë nuk kam qenë e interesuar për të dalë në klube dhe neve na ka pëlqyer shumë jeta familjare. Fëmija e bëri lidhjen tonë edhe më të fortë. Ai filloi që të jetojë me mua dhe me prindërit e mi deri në momentin kur Nate mbushi gjashtë muaj. Më pas u vendosëm në një shtëpi tonën. Edhe kur e linda Cody-n e kisha ndjenjën e njëjtë se me Nate-n. Jam shumë e lumtur që tumori ka shënuar një rritje shumë të vogël në një periudhë prej 11 viteve. Mjekët më kanë thënë se herën e ardhshme kur tumori ka gjasa të rritet kjo do të ndodhë gjatë menopauzës pasi që hormonet mund ta stimulojnë rritjen".

(Kosova Sot)