Politikanët super të pasur, 'përfaqësues' të qytetarëve ekstremisht të varfër

  • 25 June 2016 - 07:55
Politikanët super të pasur, 'përfaqësues' të qytetarëve ekstremisht të varfër

"Për të qenë absurdi edhe më i madh, diferenca sociale është gjithnjë duke u ashpërsuar. Kujtoj që nuk do të shkojë aq larg koha, kur qytetaria e zhgënjyer me "lirinë", që e prodhon pabarazia e theksuar në trojet shqiptare, do të revoltohet aq shumë, sa të pyesë politikanët "brekëgrisur", se ç'u duhet atyre demokracia...", thotë sociologu Fadil Maloku për "Kosova Sot" 

Ramadani: "Kjo klasë politike e ka humbur thuajse plotësisht legjitimitetin.

Në Kosovë ka një ndarje ekstreme sociale, në mes të qytetarëve të varfër dhe politikanëve të pasur. Për analistët, këta pushtetarë të kamur, që kanë fituar pasurinë në mënyrë të dyshimtë, nuk mund të përfaqësojnë interesat e popullit të varfër. Meqë politikanët i kanë rregulluar punët e tyre me pasuri për vete e familjarët jo në rrugë ligjore, por të pista dhe në kurriz të këtij populli të varfër, ata nuk jetojnë me ndjeshmërinë e situatës së keqe që mbretëron në popull, prandaj dita-ditës po e humbin moralisht të drejtën e deklarimit se janë përfaqësues të popullit. Sociologu Fadil Maloku ka pohuar se absurdi i kapitalizmit gjithëshqiptar qëndron në atë se: Diferencimi i shtresave sociale s'ka filluar si pasojë e logjikës së konkurrencës dhe "lirisë" së premtuar nga politikanët, por si pasojë e shfrytëzimit të privilegjeve dhe benificioneve që ofron pushteti dhe politika! "Andaj s'është për t'u çuditur, pse gjithë kjo histeri dhe ky ngërç i theksuar, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha parlamentet me përbërje shqiptare", është shprehur ai. "Ju sot mund të identifikoni njerëz apo elita të tëra pushtetarësh që deri dje nuk kanë pasur në pronësi të tyre as edhe një biçikletë të vetme...!? e sot kanë pallate, patundshmëri marramendëse e para në konto, që as vetë nuk e dinë se sa! Ndërkaq, çka është edhe më shqetësuese, të njëjtit, janë të mbrojtur edhe me legjislacion, që grupet e ndryshme interesi që i kanë aprovuar nëpër parlamente. Për të qenë absurdi edhe më i madh, diferenca sociale është gjithnjë duke u ashpërsuar. Kujtoj që nuk do të shkojë aq larg koha kur qytetaria e zhgënjyer me "lirinë", që e prodhon pabarazia e theksuar në trojet shqiptare, do të revoltohet aq shumë, sa të pyesë politikanët "brekë- grisur", se ç'u duhet atyre demokracia...", thotë Maloku për "Kosova Sot"

Ramadani: "Kjo klasë politike e ka humbur thuajse plotësisht legjitimitetin" Maloku e vë në dilemë të madhe dhe e sheh si mundësi edhe nevojën e rishqyrtimit të së ashtuquajturës dilemë "hamletiane" të viteve të kaluara se: A ia vlejti ta sakrifikojmë "barazinë" sociale dhe atë ekonomike për hir të "lirisë" së premtuar? Apo, duhet t'i rikthehemi "barazisë", për ta fituar "lirinë", e kjo sipas Malokut kërkon një analizë më të thellë dhe kompetente. Edhe analisti Adlum Ramadani konstaton se ndarja është aq e madhe në mes të popullit të varfër dhe politikës së pasur, saqë përfaqësimi i interesave të popullit nga një politikë e tillë është vetëm farsë sa për konsum ditor e përfitime të klientelave të oligarkëve politikë. "Kjo klasë politike e ka humbur thuajse plotësisht legjitimitetin e përfaqësimit të qytetarit. Duke legjitimuar krimin, në të vërtetë ata janë bërë përfaqësues të klientelizmit politik, duke zhvatur shtetin e pasuruar veten. Marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve, as 1/3 e tyre nuk ngritën për çështje diskutimi në parlament, që nënkupton se interesat politike janë më të rëndësishme se interesat e shoqërisë", shprehet analisti Adlum Ramadani për "Kosova Sot".

Burjani: Kjo klasë punon për interesa personale Ndarjen e madhe në mes të klasës politike në pushtet dhe qytetarit e sheh si realitet fatkeq edhe prof. Blerim Burjani. "Kjo klasë politike është ndarë kaherë nga objektivat e qytetarëve, nuk zbaton fare vullnetin e tyre. Kjo klasë punon për militantët partiakë, për interesa personale të njerëzve të njëjtë, që kanë mbetur nëpër dikastere qeveritare që nga viti 2007, apo edhe më herët, pa ndonjë ndryshim në jetën e qytetarëve, për mirëqenien e tyre ekonomike. Një shkëputje akoma më e madhe ka filluar që në nga viti 2010, dhe prej atëherë po shihet ashiqare se qytetarët nuk po e përkrahin këtë klasë politike, e cila është dhënë vetëm për interesat e tyre personale, klanore e grupore, duke vendosur privilegje të mëdha marramendëse. Në këtë mënyrë ajo ka uzurpuar vullnetin e qytetarit, duke i bërë dëm të madh vetë qytetarit, në të cilin thirret", shprehet Burjani. Sipas politikologut Faik Krasniqi, politikanët e Kosovës kurrë nuk kanë bashkëjetuar me qytetarin, me hallet e tij. Sipas tij, këta politikanë i njohin qytetarët një herë në katër vite, kur është kohë e zgjedhjeve, duke u premtuar punësim, mirëqenie, arsim e shëndetësi cilësor, madje edhe parajsën, kurse pas zgjedhjeve ata nuk duan t'ia dinë se a ekziston diku qytetari që ia ka besuar votën apo si kanë ardhur në ato pozita. Për vazhdimin e kësaj agonie, sipas Krasniqit, përgjegjësia i takon edhe shtresës së varfër qytetare që po vazhdojnë t'i besojnë kësaj kase politike të korruptuar dhe mashtruese. 

(Kosova Sot)