Pinjolli më markant i familjes atdhetare

  • 26 June 2016 - 08:28
Pinjolli më markant i  familjes atdhetare

RIZVANOLLI:Familja e Sylejmanit bëri qëndresë të pandërprerë kundër të gjithë pushtuesve.

Ai ka qenë organizator, frymëzues dhe pjesëmarrës i të gjitha akteve e veprimeve të kryengritjeve që kanë ndodhur gjer tani në këto anë, si dhe kreu i krerëve i të gjithë kryengritësve", thuhej mes të tjerash në vendimin e Gjykatës osmane për Sulejman Vokshin, i cili nga ajo gjykatë u dënua me vdekje.

"Edhe tri jetë po t'i kisha, të tria do t'i jepja për Shqipërinë". Kushdo që ka pasur rast të shoh dramën (dokumentare) të Ekrem Kryeziut "Epoka para gjyqit", sigurisht se i kujtohen këto fjalë të Sulejman Vokshit, ministrit të luftës në qeverinë e përkohshme të Lidhjes së Prizrenit, të thëna para gjyqit osman në procesin ky gjykoheshin ai dhe Abdyl Frashëri. Në fakt, të gjithë historianët e njohur shqiptarë që e kanë studiuar figurën e Sulejman Vokshit, këmbëngulin në një qëndrim, se as që mund të pritej paraqitje ndryshe para gjyqtarëve osmanë, i një njeriu që tërë jetën e vetë ia kushtoi luftës kundër Perandorisë Osmane, luftës për lirinë e vendit dhe të popullit të vet, luftës për të drejtën e shqiptarëve që të jetojnë të lirë në tokën e tyre.

Sulejmani nuk kishte nga t'ia mbante Po, në fakt, kush ishte Sulejman Vokshi? Prej çfarë familje rridhte? Si u brumos shpirti i tij patriotik dhe vendosmëria që për qëllimet e veta të luftoi deri në vdekje? Njëri ndër njohësit më të mirë të jetës dhe veprës së Sulejman Vokshit, por jo vetëm, doktori i shkencave historike, Masar Rizvanolli, e ka shpjegim e vetë për të gjitha këto pyetje. "Sulejman Vokshi, i cili ka lindur në Gjakovë më 1815, rrjedhë nga një familje e njohur për qëndresën e pandërprerë kundër të gjithë pushtuesve. Ai ishte pasardhës i Adem agë Vokshit, i cili, së bashku me bashkëshorten e vet, Zojen, ishte ndër të parët e kësaj familjeje që u dalluan në luftë kundër ushtrisë osmane. Për veprimtarinë e tij, Adem agë Vokshi, "u shpërblye" nga turqit me prerje koke, ndërsa koka e tij, si trofe i rëndë- sishëm, i dërgohet sulltanit në Stamboll", thotë profesor Rizvanolli. Edhe i biri i Ademit, Ali agë Vokshi, zaten babai i Sulejmanit, për shkak të veprimtarisë së vet patriotike, është internua disa herë në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Rumelisë si në Strugë, në Peqin, e gjetiu, për të përfunduar në Prizren, ku edhe u helmua. "Gjakova, gjatë historisë rreth 5-shekullore të zhvillimit të vetë, ka pasur shumë familje që janë shquar për trimëri e atdhedashuri dhe që kanë kontribuar në qëndresën e këtij populli karshi të gjithë hasmëve që këtu janë ndërruar, e në mesin e këtyre familjeve, vend të rëndësishëm, padyshim, zë edhe ajo Vokshi, sepse edhe pas Sulejman Vokshit është një plejadë e pinjollëve të kësaj familjeje, si: Mustafë agë Vokshi, Beqir Vokshi, Asim Vokshi, Dërgut Vokshi, Xhafer Vokshi, Sabrije Vokshi e të tjerë, të cilët vazhduan rrugën e Sulejmanit dhe të paraardhësve të tij", konstaton Rizvanolli.

 

Njeriu që i takonte krahut patriotik të Lidhjes së Prizrenit I rritur në një ambient luftarak familjar, Sulejmani, apo siç njihej më mirë në Gjakovë, Sula, nuk kishte kah t'ia mbante. Ai, për më tepër se 50 vjet vazhdoi luftën për mbrojtjen e të drejtave elementare të popullit të tij. Qysh në rini iu bashkua luftës kundër zbatimit të Reformave të Tanzimatit, të cilat kishin për qëllim forcimin e pushtetit të Sulltanit, në dëm të atyre pak të drejtave të kufizuara të vetë administrimit, të drejta që banorët e këtyre viseve i kishin mbrojtur shekuj me radhë me armë në dorë. "Sula ishte pjesëmarrës i kryengritjeve kundër këtyre reformave qysh në vitet 1.843 e 1.845, për të vazhduar deri te ato që u organizuan në periudhën 1.863-1.869. Duke i pasur këto parasysh nuk ishte e rastit që ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1.878, ku, së bashku me Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Korenicën e shumë të tjerë, përbënin krahun patriotik të kësaj lidhjeje që luftonin për të drejtat e shqiptarëve", shpjegon Masar Rizvanolli, për të shtuar se qëndrimin.e tij prej patrioti, Sulejman Vokshi e demonstron edhe në gusht të vitit 1.878 kur Porta e Lartë e dërgoi Mehmet Ali Pashën për të bindur shqiptarët që të pranojnë vendimet e Kongresit të Berlinit për t'ia dorëzua Malit të Zi, Plavën dhe Gucinë, e kur, së bashku me patriotët e tjerë gjakovarë, organizoi vrasjen e të dërguarit të Sulltanit.

Figura që u përjetësua nga shumë poetë, këngëtarë, piktorë e skulptorë Mbështetur në trimërinë, devotshmërinë dhe aftësitë luftarake, Sulejman Vokshi zgjidhet ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e përkohshme të Lidhjes së Prizrenit dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, që paraqet kulmin e veprimtarisë së tij patriotike dhe luftarake. "Nën drejtimin e tij, brenda një kohe të shkurtër, Lidhja organizoi një ushtri të rregullt shqiptare. Kjo ushtri që në dhjetor 1880 kishte çliruar Prizrenin, Lumën, Gjakovën, Gucinë ndërsa në janar e shkurt të vitit 1881, ushtria e Lidhjes arriti të çlironte Shkupin, Prishtinën, Mitrovicën, duke zënë edhe urat hekurudhore. Duke e pa këtë, Porta e Lartë vendosi ta shtypte sa më parë, me zjarr e me hekur, Lidhjen e Prizrenit. Ajo dërgoi për këtë qëllim mareshalin famëkeq Dervish Pashën me 7 gjeneralë në vartësi të tij, me të paktën 30 batalione, të pajisura me armatimin më modern të kohës", ka thënë historiani i njohur Sali Onuzi. Falë forcave të mëdha ushtarake Stambolli e shtypi kryengritjen dhe në pabesi e kapi Sulejman Vokshin. Gjykata e jashtëzakonshme ushtarake në Prizren e dënoi atë me vdekje, kurse familjen e tij me internim të përjetshëm në Fezan të Tripolit. Në vendimin e gjykatës osmane thuhej se fama që ka fituar Sulejman Vokshi për veprimtarinë e efektshme e të fuqishme antishtetërore, njihet nga e gjithë bota. "Ai ka qenë organizator, frymëzues dhe pjesë- marrës i të gjitha akteve e veprimeve të kryengritjeve që kanë ndodhur gjer tani në këto anë, si dhe kreu i krerëve i të gjithë kryengritësve", thuhet, mes të tjerash, në vendimin e gjykatës osmane, duke qenë ky mbase vlerësimi më i saktë që mund ti bëhej Sulejman Vokshit. Edhe pse ishte dënuar me vdekje, nën presionin e madh të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ai u lirua nga burgimi dhe vdiq në Gjakovë më 1790, ndërsa figura e tij u përjetësua nga shumë poetë, këngë- tarë, piktorë e skulptorë.

(Kosova Sot)