Nuk ka goditje për përfitimet shumëmilionëshe të kompanive monopoliste

  • 27 June 2016 - 08:02
Nuk ka goditje për  përfitimet shumëmilionëshe të kompanive monopoliste

Nokaj: Zgjidhja e vetme për bizneset ka mbetur ikja nga Kosova. 

"Derisa PDK-ja dhe LDK-ja të jenë në koalicion ndërmjet vete, duke i dhënë njëra-tjetrës të hanë me lugë, nuk ka asnjë arsye që të prishen këto monopole", shprehet ishministri Haki Shatri, i cili shton se edhe kompletimi i Autoritetit të Konkurrencës do të ketë efekte të njëjta dhe nuk do të ketë luftë ndaj monopoleve, për shkak se është i politizuar,shkruan sot Gazeta Kosova Sot

Prezenca e monopoleve në ekonominë e brishtë të Kosovës, e instaluar që nga paslufta, ka marrë hov para rreth një dekade dhe kulmin e ka arritur nga ish-qeveritë 'Thaçi 1 dhe 2', duke vazhduar edhe me qeverisjen e Isa Mustafës. Deri më tash ka pasur pothuajse premtime gojore të kësaj qeverie për zhdukje të monopoleve në biznes, si në fushën e homologimit e shumë të tjera, por vazhdon këndohet kënga e vjetër. Pothuajse po bëhen 2 vjet që kur kryeministri Isa Mustafa erdhi në pushtet me premtime të mëdha, se do t'i jepte goditje të forta monopoleve në biznes, por kjo nuk ndodhi në realitet. Përfaqësues të biznesit thonë se nga mosfunksionimi disavjeçar i Autoritetit të Konkurrencës, agjenci që lufton monopolet, kanë vuajtur shumë edhe bizneset, por ka gjasa se me funksionalizimin e tij këtyre monopoleve do t'u vijnë ditë më të vështira. Ata mbesin me shpresë se mund t'i jepet fund njëherë e përgjithmonë përfitimeve të kundërligjshme shumëmilionëshe të disa kompanive monopoliste oligarkike që janë në ortakëri me partitë në pushtet dhe jo vetëm kaq. Për atë se çfarë do të bëjë Autoriteti i Konkurrencës dhe sa po merr seriozisht ky autoritet punën e monopolit në biznes, nënkryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, thotë për "Kosova Sot" se në përbërjen e re të këtij Autoriteti ka gatishmëri të madhe për të thyer monopolet dhe se do të bëjnë përpjekje maksimale që të jenë në nivel të detyrës. "Premtimi ynë do të thotë se do të bëjmë përpjekje maksimale që të luftojmë monopolet në të gjitha fushat, ku eventualisht ato janë paraqitur gjatë kësaj pauze disavjeçare të moskompletimit dhe mosfunksionimit të Autoritetit të Konkurrencës", është shprehur ai. 

 

Nokaj: Kjo qeverisje vështirë u jep fund përfitimeve të kundërligjshme Krasniqi thotë se fundja ky është edhe obligimi zyrtar dhe ai ligjor ,"ex-officio", duke shtuar: "Fundja, lufta ndaj monopoleve dhe ndalesa strikte e tyre është edhe pjesë përbërëse e aktit më të lartë juridik e Kushtetutës së Kosovës që është përcaktuar për një ekonomi të lirë të tregut dhe liberalizimin e plotë të tregut kosovar mbështetur në konkurrencën e lirë". Krasniqi ka thënë se ata shumë shpejt do të rifillojnë me punën e tyre dhe Autoriteti shumë shpejt pritet që të nisë edhe zyrtarisht punën në trajtimin e të gjitha rasteve të dyshimta që janë paraqitur nga ana e bizneseve apo edhe të gjeturave të OJQ-ve. Ekonomisti, Ardian Nokaj shprehet për "Kosova Sot" se dyshon se përbërja e re e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës do të veprojnë ndaj monopoleve siç është rasti skandaloz i homologimit të automjeteve dhe terminaleve doganore, por jo vetëm këtyre fushave. "Luftimi i monopoleve nuk pritet që të ndodhë, sepse këtë e tregon vetë përbërja e këtij autoriteti në të cilin janë militantët e PDK-së dhe të LDK-së. Kjo nuk e garanton një luftë të tillë, sepse ata tashmë e kanë të ndarë tregun e përfitimeve në mes vete dhe jam shumë skeptik se do të luftohen monopolet në ekonominë e dominuar nga bizneset oligarkike që janë të lidhura me pushtetarët aktual", thotë Nokaj. Ai shton tutje se me këtë qeverie që e kemi vështirë se ndonjëherë do t'i jepet fund përfitimeve të kundërligjshme shumëmilionëshe të atyre kompanive monopoliste oligarkike që janë të lidhura me ortakëri me partitë në pushtet dhe jo vetëm. "Me këtë garniturë pushtetarësh e me këtë koalicion që është në pushtet, siç janë LDK-ja me PDK-në, vështirë se pritet që të marrë fund saga 17- vjeçare e zhvatjes së qytetarëve që është instaluar nga mungesë e një konkurrence të mirëfilltë e të ndershme në ekonominë e brishtë të Kosovës", tha ai. 

 

Aleancë e fshehtë për të mbështetur mafio-oligarkët Nokaj thotë tutje se përderisa në pushtet të jetë koalicioni PDK-LDK, për investitorët e vendit dhe atyre të huaj shpëtimi dhe zgjidhja e vetme ka mbetur ikja nga Republika e Kosovës, ngase, sipas tij, nga paslufta e deri më sot është e kapur nga mafio-oligarkët e politikës dhe mafio-oligarkët e bizneseve monopoliste, të cilët pa asnjë hezitim janë të mbështetur, madje nga një aparat i tërë shtetëror, duke nisur nga kryeministria, pastaj nga Ministria e Financave, por edhe të ministrive dhe institucioneve të tjera."Është për keqardhje ku kemi ardhur, pasi që e gjithë kjo aleancë e fshehtë dhe joparimore janë vënë në mbrojtje dhe i kanë monopolizuar edhe shërbimet për mafio-oligarkët, duke i bllokuar të gjitha bizneset e tjera të ndershme dhe duke shkelur haptazi dhe pa asnjë frikë ligjet dhe Kushtetutën e vendit e aq më keq pasur asnjë lloj frike se do të nisë hetimi i tyre nga Prokuroria e shtetit, e cila po duket se kanë rënë në gjumë.

 

Shahini: Autoriteti i Konkurrencës duhet të jetë më azhur Profesori Haki Shatri, ish-ministër shprehet për gazetën "Kosova Sot" se ai në asnjë mënyrë nuk beson se në ekonominë e Kosovës do të hiqen monopolet e krijuara në shumë fusha. "Derisa PDK-ja dhe LDK-ja të jenë në koalicion në mes vete, duke i dhënë njëra-tjetrës të hanë me lugë, nuk ka asnjë arsye që të prishen këto monopole. Pse e të prishen ato monopole, pse ta bëjnë këtë dhe çfarë i nevojitet këtij pushteti Kosova e zhvilluar", pyet Shatri dhe shton se konstituimi dhe kompletimi i Autoritetit të Konkurrencës si organ apo agjenci që duhet të jetë i pavarur nuk mund të bëjë shumë pasi që në atë përbërje janë LDK-ja dhe PDK-ja që e kanë mbushur këtë agjenci me njerëz të dëgjueshëm. Edhe kompletimi i Autoritetit të Konkurrencës do të ketë efekte të njëjta dhe nuk do të ketë luftë ndaj monopoleve", shprehet Shatri. Kreu i AKB-së, Agim Shahini, thotë për gazetën se disa kompani në Kosovë janë rrit dhe janë fuqizuar duke lënë përshtypjen se janë krijuar vetvetiu, por në fakt ato janë rritur në saje të monopolit. Ai shton se ato kompani kanë marrë favore, tenderë dhe punë të ndryshme nga institucionet publike të Kosovës."Por, pas kompletimit të bordit të ri të Autoritetit të Konkurrencës, por tash edhe të edhe MTI-së, pritet dhe duhet që të jenë dukshëm më azhur sesa deri më tani në mënyrë që këto raste t'i monitorojë dhe në momentet kur e vërejnë dhe e konstatojnë se ndonjë kompani kosovare në cilëndo prej fushave, me të cilën ajo merret dhe konstatohet se ka krijuar monopol, ekziston ligji dhe format që i parasheh ai se në çfarë forme duhet të ndërpritet dhe të thyhet ai lloj i monopolit që është zbuluar", shprehet Shahini. Ai shton se po shihet se gjërat kanë nisur për të mirë, ngase Prokuroria e Shtetit tashmë ka filluar në zbardhjen e rastit se në çfarë mënyre dhe forme janë favorizuar qoftë individë apo kompani të caktuara. 

(Kosova Sot)