Varri i shenjtë që largoi të ligat në Pashtrik

  • 27 June 2016 - 18:46
Varri i shenjtë që largoi të ligat në Pashtrik

Pelegrinazhi tek varri i Sari Salltikut në majën e Pashtrikut në Kosovë organizohet çdo vit në verë. Ky është vendbesimi dhe pelegrinazhi në kërkim të gjetjes së qetësisë shpirtërore dhe të një fati më të mirë për trashëgimtarë, besojnë banorët e rajonit të Hasit. "Pelegrinazhi fillon nga 1 gushti i sivjetmë te vendpushimi i shenjtë i Shkëlqesisë së Tij, Sari Salltik Babës, në Malin e Pashtrikut, që shënon 402- vjetorin qysh kur ky vend është vendosur nën përkujdesjen (mbikëqyrjen) e Teqesë së Madhe Autoqefale Ballkanike - me seli në Gjakovë e Prizren. Ky pelegrinazh trejavor, që nis më 1 dhe përfundon më 21 gusht të secilit vit, i përkushtohet nderimit të figurës së shenjtorit, Shkëlqesisë së Tij Sari Salltik Babës, në këtë vendpushim që është njëri prej më të rëndësishmëve ndër 72 vendpushimet e tij në territoret ballkanike", shprehet Nexhat Cocaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Profesor Dr. Sabaudin Cena thotë se një teqe e Sari Salltikut ekziston edhe në Krujë, të cilën e ka vizituar ai. "Udhëtimi për në malin e Skënderbeut, ose siç njihet nga vendasit mali i Krujës, që është i lartë 1176 metra të çon te vendi i shenjtë i Sari Salltikut. Nëse do të ecësh këmbë duhet të gjesh një ditë me diell të pastër për të shijuar të gjitha pamjet e rralla që të jep lartësia e këtij mali. Mali i Krujës është si ballkoni i Adriatikut. Ai përfshin dy komponentë, që ia vlejnë për t'i vizituar, duke nisur me selinë e Sari Salltikut në majë të malit, po ashtu me teqenë e "Haxhi Shajnit", një objekt i shenjtë i fesë bektashiane, ose siç quhet ndryshe dhe "gjurma e të shenjtit", që ndodhet para se të hysh në Krujë", shprehet profesor Cena.

Gjurmë deri në Korfuz

tanimë traditë që të sapomartuarit e zonës përreth e vizitojnë atë, në ditën e tyre të dasmës, marrin bekimin, bëjnë fotografi dhe nisen me karvanin e makinave të tyre, me bori në "gjurmën e të shenjtit" shkojnë edhe besimtarë të fesë bektashiane, që në Krujë është e përhapur shumë. Sipas tij, atje shkojnë edhe njerëz të tjerë që nuk i përkasin këtij besimi. "Ky objekt është ndërtuar këtu e 500 vjet më parë. Në brendësi të teqesë, ndodhet dhe "gjurma e të shenjtit", pra gjurma e parë e Sari Salltikut, në ikje e sipër. Është një gjurmë që krutanët e ruajnë me fanatizëm. Sari Salltiku, ky shenjtor i madh, gjurmën e dytë të tij e ka lënë në Korfuz, ku edhe atje ka një teqe të tillë dhe në atë vend është dhe varri i shenjtë. Ndërsa çiftet që vijnë dhe marrin bekimin e tyre në sezonin veror të dasmave, riti është ndezja e qirinjve, apo dhe marrjen e ndonjë guri nga shpella, e cila shërben si hajmali fatsjellëse", shprehet ai. Sari Salltiku kishte ardhur në Krujë në mesin e viteve 1300. "Ai përhapi bektashizmin e kulluar, duke parandier ndofta vorbullën e mërive etnike në Ballkanin e trazuar", shprehet Cena. Ky shenjtor kishte miqësi të ngushtë me vetë sulltan Bajazitin dhe këtë e pranon dhe studiuesi i famshëm francez A. Degrand, në veprën e tij "Sovenirs de la Haur - Albanie". Ajo që ka mundur të mbizotërojë në vëmendjen e studiuesve të mistikës myslimane është pikërisht fakti se nxënësi i Ahmed Jeseviut të famshëm, donte të çonte deri në fund dëshirën e udhëheqësit të tij shpirtëror, dëshirë që lidhej me idenë që eshtrat e tij të ishin prezente në shtatë mbretëri. 

Vizitë për mbarësi e plleshmëri

Për toponimin e malit Pashtrik medoemos se gjallojnë shumë gojëdhëna, që lidhen me emrin e këtij mali dhe shumë prej këtyre gojëdhënave lidhen me emrin Sari Salltik Babës, varri i të cilit misionar të fesë islame në Evropë, gjendet në pikën më të lartë të Pashtrikut 1998 m. Para vendosjes së varrit të këtij misionari të përhapjes së fesë islame në trojet e Kosovës ky vend ka qenë i frikshëm nga banorët dhe është konsideruar se ka shtriga, figura mitologjike, që u kanë bërë keq njerëzve të këtij vendi. Pas vendosjes së këtij varri në pikën më të lartë të kësaj bjeshke, atëherë ky mendim ka ndërruar kuptimin dhe kanë nisur popullata që të dalin në male me bagëti dhe të bëjnë vizita këtij varri në emër të asaj që i ka mbrojtur nga të ligat. " Varri i Salltik Babës që në gjithë Hasin këtej në Kosovë dhe në Shqipëri respektohet si një Shenjtë i nderuar i Dervishilerëve. Hasjanët atje shkojnë pas martesave të tyre e kur Zoti nuk i gëzon me fëmijë atje shkohet për pelegrinazh dhe nga atje thuhet se fillon mbarësia dhe në të shumët e rasteve nuset e reja pastaj mbeten me barrë, siç thuhet, sepse Zoti i ndihmon që pasardhësit të gëzojnë botën", shpjegon Çoçaj. 

(Kosova Sot)