Gjilani, kuletën e ngushtë për t`i zgjidhur nevojat e qytetarëve

  • 27 June 2016 - 19:32
Gjilani, kuletën e ngushtë për t`i zgjidhur nevojat e qytetarëve

Vendimmarrësit e Gjilanit kanë miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2017-2019, një kuvertë që nuk ka shumë para brenda, për t`i zgjidhur kërkesat e rreth 100 mijë banorëve të kësaj komune, të cilët ende kanë nevojë për ujësjellës e kanalizime dhe infrastrukturë tjetër bazike. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se KAB-i është shqyrtuar dhe analizuar edhe në një debat me qytetarë dhe takime të tilla do të ketë edhe nëpër lokalitete, për t`i përcaktuar prioritetet bashkërisht me qytetarët, për aq sa lejojnë mundësitë buxhetore, shkruan gazeta Kosova Sot.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se KAB-i është një dokument i rëndësishëm për zhvillimin e Komunës, në tri vitet e ardhshme. Opozita e ka cilësuar KAB-in një dokument të dëshirave. Riad Rashiti (PDK) ka thënë se nuk janë marrë parasysh nevojat e qytetarëve dhe ka kritikuar qeverisjen për mungesë të planit zhvillimor, ndërsa Nevzad Isufi (VV) tha se dokumenti është bërë me nguti dhe ai ka vërejtur mungesën e investimeve të planifikuara për arsim. "Shifrat nuk japin ndonjë optimizëm", ka thënë ai. Edhe Fehmi Sylemani (VV) tha se nuk janë planifikuar investime në kabinete shkollore, salla të edukatës fizike, për ujësjellës e kanalizime në fshatra si dhe projekte të tjera të nevojshme, kurse Shukrije Rapuca (PDK) u shpreh e pakënaqur me subvencionet për bujqësi, duke thënë se ka ulje në krahasim me vitin e kaluar. Opozita ka pasur edhe kritika tjera për qeverisjen aktuale në Gjilan.

Bizneset që nuk i kryejnë punimet me kohë do të futen në listë të zezë

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës rreth qeverisjes, që sipas tyre ka mangësi, të cilat janë konstatuar edhe nga auditori i përgjithshëm, Haziri ka thënë se bëhet fjalë për variantin fillestar të raportit, ku ne kemi të drejtë t`i paraqesim vërejtjet tona. "Ne jemi të kënaqur me raportin, në përgjithësi, ndërsa vërejtjet tona i paraqesim në rrugë ligjore", ka thënë Haziri, duke shtuar se as vjet dhe as sivjet nuk ka pasur raste që janë proceduar në prokurori për shkelje. Ai ka thënë se shumë punë do të kryhen në dy vitet e ardhshme dhe e ka ftuar opozitën që të jetë e durueshme deri atëherë. "Projektet që do të realizohen deri atëherë nga qeverisja ime, Gjilanit do t`i japim një format tjetër", ka thënë Haziri. Ai ka pranuar se ka telashe me disa operatorë ekonomikë, sepse nuk i përmbahen dinamikës së projekteve, por ka thënë se kompanitë e tilla do të futen në listën e zezë për të ardhmen dhe nuk do t`iu jepen më punë.

Haziri ka dhënë përgjigje edhe rreth dyshimeve që ka ngritur opozita për fondin e solidaritetit, duke thënë se gjithçka është transparente dhe mund të verifikohet në bankë, por ka shtuar se ata që nuk kanë kontribuuar me asgjë në këtë fond, nuk kanë të drejtë të kërkojnë llogari prej të tjerëve."Në këtë fond, njerëzit e vullnetit të mirë po kontribuojnë edhe më tutje. Sikur të mos kishin besim tek ne, nuk do të lajmëroheshin çdo ditë donatorë të rinj, falë të cilëve ne jemi duke i ndërtuar edhe 8 shtëpi". Ai ka dhënë sqarime edhe për lumin Mirusha, që është trashëguar nga qeverisja e kaluar, për lumin Stanishorka, problemet tjera me ujërat e zeza, për hyrje-daljet e qytetit, autostradën si dhe projekte të tjera, një numër i madh i të cilave do të kryen në bashkëpunim me donatorët. 

Trendët janë pozitivë 

Ndërkaq, Avdyl Aliu (LDK) e Selami Xhemajli (AAK) kanë dhënë vlerësime pozitive për KAB-in, duke e cilësuar atë një bazë të mirë për zhvillimin e Komunës në tri vitet e ardhshme. "Trendët janë pozitivë, kurse neve na mbetet të punojmë dhe të realizojmë planin", ka thënë Aliu. Ai ka thënë se qytetarët janë ata që kanë përcaktuar vendin e secilit dhe, dikë e kanë zgjedhur për të punuar dhe dikë e kanë lënë për të folur. Bujar Nevzati (PDK) tha se është e vërtetë që ne kemi mandat prej qytetarëve për të folur për punët e këqija, po edhe të mira, që bëhen në Komunë, prandaj edhe nuk do të heshtim. Isa Agushi (LDK) ka thënë se kjo qeverisje, për dy vite, ka bërë më shumë seç ka bërë PDK-ja për 16 vjet qeverisje në nivel lokal dhe qendror."Kush ecën me sy hapur i sheh këto ndryshime", ka thënë ai.

Përndryshe, Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet, ka thënë se buxheti i vitit 2017 do të ketë një rritje për 6 për qind në krahasim me vitin paraprak, në vitin 2018 rritja do të jetë 2 për qind, ndërsa në vitin 2019 një për qind. "Të hyrat vetjake do të rriten për 15 për qind në vitin 2017, kurse granti i përgjithshëm do të ketë një rritje prej 8 për qind", ka thënë Maliqi, por është shprehur i pakë- naqur me rritjen e grantit për arsim, për një për qind, ku Komuna e Gjilanit ka vazhdimisht probleme për t`i mbuluar pagat. Sa u përket investimeve kapitale, Maliqi ka thënë se do të ketë një rritje prej afër 17 për qind, në krahasim me vitin 2016, kurse te subvencionet nuk parashihet rritje. Investimet kapitale do të shënojnë një rritje graduale, nga 4 milionë sa janë planifikuar për vitin 2017, në rreth 5 milionë, në vitin 2019. Sipas KAB-it, buxheti i vitit 2017 do të jetë 22.657.746 euro, buxheti i vitit 2018 -23.122.147 euro, kurse i vitit 2019 do të jetë 23.544.228 euro. 

(Kosova Sot)