Keqpërdorimet në Ministrinë e Jashtme, prova të ''gjalla'' për Prokurorinë

  • 27 June 2016 - 20:24
Keqpërdorimet në Ministrinë e Jashtme, prova të ''gjalla'' për Prokurorinë

Zyra e auditorit të përgjithshëm për Ministrinë e Punëve të Jashtme që deri tash u drejtua nga Hashim Thaçi, tash President ka konstatuar se kanë ndodh keqpërdorimi i veturave, pronës, subvencioneve, vendeve të punës...avancime të paligjshme, punësime me kontratë mbi vepër, mungesë e raportimeve të rregullta nga ambasadat   Këto denoncime të auditorëve në raportin publik ligjërisht mund të jenë edhe subjekt i hetimeve të Prokurorisë.

ZAP gjeti që së paku katër zyrtarë të MPJ’së i kanë përdorur veturat e shteti madje dhe pa e pyetur Thaçin, pasi që sipas udhëzimit për përdorimin e automjeteve për përdorim të tyre ata duhej të kishin një vendim nga ministri. 

Në këtë ministri  u shpërfillën procedurat edhe kur u blenë librat mikut të tij, Bardhyl Mahmutit- që kur Thaçi u bë kryetar i PPDK’së ishte edhe kundër-kandidati tij, këtu e 17 vite më parë.

“Furnizimi me librin ‘’Mashtrimi i madh’’ në vlerë 4,000€, nuk ishte pranuar në depo por ishte shpërndarë nëpër MDK direkt pa ndonjë komision”, konstaton auditori i përgjithshëm që po ashtu gjen se edhe një seri pajisjesh të IT’së që kushtonin afro 100 mijë euro u pranuan po ashtu pa komision.

ZAP madje konstaton se në këtë ministri pothuajse faturat pranohen prej zyrtarëve të ndryshëm si nga prokurimi, financat, dhe kabineti i ministrit edhe pse ato duhet të pranohen vetëm nga arkiva, derisa defekte serioze janë vërtetuar edhe në mirëmbajtjen e shënimeve për borxhet që kjo ministri ka ndaj palëve tjera, përfshirë edhe kompanitë e kontraktuara me tenderë.

MPJ-në, në vazhdimësi nëpër vite po e përcjell një gjendje e shpenzimeve të ndodhura por të paaprovuara dhe të pa regjistruara. Kjo situatë është nga viti 2008 e deri në 2015, e që si rrjedhojë ndikon që gjendja e parasë së gatshme në SIMFK të jetë më e madhe se që është në realitet, kjo për shkakun që një pjesë e shpenzimeve të ndodhura nëpër MDK kanë mbetur të pambyllura. Sipas SIMFK-së deri në vitin 2015 nuk janë mbyllur shpenzimet për mallra dhe shërbime të realizuara nga MDK në vlerë prej 411,073€. Prej tyre 271,259€ ishin shpenzime të pa aprovuara nga vitet paraprake ndërsa pjesa tjetër prej 139,814€ ishin shpenzime të paregjistruara të vitit 2015. MPJ nuk posedon evidencë të saktë në lidhje me këto shpenzime”, konstaton ZAP.

Në këtë ministri nuk arrijnë të bashkëpunojnë departamentet mes vete as edhe me zyrën e prokurimit (zyrën e tenderëve), dhe si rrjedhojë pjesa më e madhe blerjeve bëhet për ngut dhe me procedurë kuotimi- që në fakt eliminon konkurrencën normale që do të sillte çmime më të lira.

“Nga 59 kontratat e nënshkruara, 52 prej tyre ishin zhvilluar me procedurën e kuotimit të çmimit. Po ashtu kishte aplikim të procedurës së kuotimit të çmimeve më shumë se njëherë për blerjen e artikujve të ngjashëm si: Shtypje e materialeve të ndryshme, furnizim me pajisje të TI-së dhe furnizim me mobilja (inventar)”, konstaton ZAP.

ZAP kritikon edhe për projektin “Krijimi dhe vendosja e Sistemit të Vizave në Kosovë”, I cili ka filluar në vitin 2013, e që pritej të përfundonte në maj të këtij viti por ende nuk dihet nëse ka përfunduar. Te ky projekt vlera e marrëveshjes ishte afërsisht 2.2 milionë euro ku i gjithë projekti pritet të kushtojë 2.607 milionë euro e nga ët cilat Qeveria Norvegjeze  i ka dhënë 1.7 milionë kurse MPJ projektin do ta financojë me 839 mijë euro.

Dyshime auditorët kanë shprehur edhe tek pagesat që bëhen për Ambasadën e konservës në Angli, të cilës paratë i shkojnë ne valutë “euro”, pastaj konvertohen në “funta”, dhe në vend që raportet të vijnë në euro- ashtu siç janë pranuar, ato raportohen me “funta”- pavarësisht që vlera e secilës valutë ndryshon nga periudha e pranimit te ajo e raportimit.

Ambasada në Arabinë Saudite, në Itali dhe ajo në Austri i raportojnë shpenzimet me disa muaj vonesë dhe sipas ZAP “vonesat në regjistrimin e shpenzimeve janë bërë dukuri dhe ato ndikojnë që raportimet gjatë tremujorëve të jenë të pasakta”.

Auditori konstaton se ky tashmë është fenomen, duke zbuluar se “prej 27 misioneve që kanë realizuar të hyra, 12 misione kishin vonesa në raportim për dy e më tepër muaj ose kishte raportime të pakompletuara. Vonesa më të gjata kishte MDK-ja në Berlin dhe në Hagë”.

Menaxhimi i stafit del të jetë i shkoordinuar. ZAP gjeti që megjithëse pozitat nuk mund të mbahen me ushtrues detyre më shumë se 3 muaj, “Në nëntë raste pozitat menaxhuese mbaheshin me ushtrues detyre mbi afatin e përcaktuar ligjor”.

Në vazhdimësi, ZAP ka zbuluar që megjithëse periudha që duhet një zyrtarë të kaloj nga momenti i punësimit deri në kërkesat për gradim në misione diplomatike është një vit, ata zbuluan se së paku në një rast një person (pa ia përmendur emrin) u fut në mision diplomatik vetëm pas dy muajsh kontrate me MPJ’në.
Megjithë dështimin, MPJ’ja kishte punësuar persona shtesë për të aplikuar në organizata ndërkombëtare, siç ishte aplikimi në UNESCO. “MPJ gjatë vitit 2015 kishte angazhuar 20 persona, me kontrata mbi vepër... Në katër raste kishte tejkalim të afatit për tre muaj më shumë se afati i përcaktuar ligjor”, konstaton ZAP.

Në këtë ministri subvencionet ishin keqmenaxhuar edhe nga vetë brenda ministrisë.

“MPJ ka subvencionuar me 15,000€, projektin për hulumtimin e opinionit publik për çështje të ekstremizmit fetar. Implementues ka qenë ‘’Interfaith Kosova’’ dhe me marrëveshje është paraparë që përfituesi i subvencionit të dorëzoj raport narrativ dhe financiar rreth implementimit të projektit. Pagesa është bërë edhe përkundër që përfituesi nuk kishte sjellur raportin e kërkuar”, konstaton auditori i jashtëm duke paralajmëruar që ky veprim “mund të rrezikoj shpenzimin e parasë publike për qëllime tjera”.

Auditorët e jashtëm vlerësojnë se në MPJ është në rrezik pasuria e shtetit, për shkak të mos-funksionimit të. “Kjo e shton rrezikun e humbjes dhe tjetërsimit... të pasurisë”, konstaton ZAP.

(Kosova Sot)