Pushtetarët i tremben reformës në drejtësi

  • 28 June 2016 - 08:00
Pushtetarët i tremben reformës në drejtësi

Dibrani: Kasta politike, e zhytur në krim ekonomik dhe politik.

"Kjo do të ishte sikur kjo klasë politike që e ka kapur plotësisht shtetin të thotë befasisht se paska vendosur që të heqë dorë nga të gjitha, ta bëjë një reformë në drejtësi dhe ta arrestojë vetveten në mënyrë që të vendoset shteti ligjor", ka theksuar deputeti Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot” 

Reformat në drejtësi duken të jenë shumë larg së realizuari dhe shihet se nuk ka asnjë gjasë që ato të bëhen derisa kjo klasë politike të jetë në pushtet. Kjo ngase ky pushtet do një Prokurori dhe Gjyqësor të menaxhohet në mënyrë indirekte nga ana e tyre, por që planet e kësaj politike i ka prishur paksa vetëm EULEX-i, përmes trajtimit të disa lëndëve me peshë, përndryshe drejtësia jonë do të ishte tërësisht nën diktatin e politikës. Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe analistët dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se nuk ka asnjë gjasë që të bëhen reforma në drejtësi me këtë klasë politike që është në pushtet."Kjo do të ishte sikur kjo klasë politike që e ka kapur plotësisht shtetin të thotë befasisht se paska vendosur që të heqë dorë nga të gjitha, ta bëjë një reformë në drejtësi dhe ta arrestojë vetveten në mënyrë që të vendoset shteti ligjor. Kjo nuk ka ndodhur askund dhe nuk do të ndodhë as në Kosovë. Në disa shtete, vullneti i qytetarëve ka qenë më i fortë, duke i dënuar kriminelët, derisa në disa të tjera ka dominuar mafia, duke e përfshirë gjithë shtetin", është shprehur Salihaj. 

Salihaj: Nuk ka luftim të krimit pa vetëdijesim të qytetarëve Në këtë drejtim, Salihaj thotë se luftimi i krimit në Kosovë nuk do të ndodhë pa u bërë vetëdijesimi i qytetarëve, por edhe pa e sjell në krye të shtetit një klasë politike që e do Kosovën dhe lufton për të mirën e saj, në të kundërtën siç tha, "deri atëherë ne do të ballafaqohemi për çdo ditë me krimin e organizuar dhe korrupsionin,të cilët do t'i zhvatin paratë e taksave tona dhe do të bëjnë firma dhe pallate milionëshe, duke udhëhequr dhe duke u pasuruar gjithnjë e më shumë dhe njëkohë- sisht duke na varfëruar neve gjithnjë e më shumë". Më tej, Salihaj ka nënvizuar se nuk është aspak e rastit lufta e kreut të shtetit dhe pasuesve të tij kundër misionit të EULEX-it, sepse vetëm ky mision i shqetëson nga pak dhe i lë pa gjumë. "Pa këtë mision Kosova do të ishte 100 për qind nën pushtetin e kriminelëve dhe shumë prej nesh do të duhej të kërkonim azil në shtetet e tjera", ka theksuar deputeti Salihaj për gazetën. Kurse, analisti Shefqet Dibrani thotë për "Kosova Sot" se kasta politike është e zhytur në krimin ekonomik dhe politik aq thellë saqë mendja e shëndoshë nuk e përthekon."Si duket edhe një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të involvuar në këtë proces, ndoshta janë të kërcënuar apo shantazhuar, përndryshe është dashur të bëjnë diçka për këtë vend. Heshtja e tyre as nuk durohet, por e ardhmja sigurisht do t'u kthehet bumerang. Edhe ata pak prokurorë, për të cilët shpresohet se janë të aftë dhe të ndërgjegjshëm në profesionin e tyre, po pengohen për të nisur shthurjen e gjithë kësaj katrahure, e cila po e mbyt ardhmërinë e vendit", është shprehur ai.

Dibrani: Opozita nuk është e denjë që t'u prijë proceseve Tutje, Dibrani shton se sado që është kritikuar, por edhe ka pasur kundërshtime që t'i vazhdohej mandati EULEX-it, prokurorët e kësaj organizate ndërkombëtare mbetën të vetmit të cilët kanë dashtë t'i trajtojnë siç duhet disa lëndë, derisa disa të tjera janë në proces e sipër, por edhe për këtë Dibrani thotë se është i sigurt se ata janë penguar dhe pengohen pikërisht nga kasta politike në pushtet, e cila është e interesuar vetëm që t'i zvarrisë proceset."Nëse EULEX-i do të shkonte nga Kosova dhe nëse arrihet të prolongohet e zvarritet themelimi i Gjykatës Speciale, e cila supozohet se do të nisë punën në vjeshtën e sivjetme, atëherë gjendja në Kosovë do të rëndohet edhe më tej, pasi çdo gjë qysh tani është e vënë nën diktatin e politikës, e cila është aq e sofistikuar saqë është në gjendje madje të kontrollojë edhe çdo lëvizje të qytetarëve. Tashmë fjala publike s'ka asnjë peshë, pasi as prokurorët dhe as gjyqtarët nuk po merakosen për shkrimet dhe dokumentarët televizivë, të cilët flasin për shkallën e lartë të korrupsionit që ka ndodhur në këtë vend". Më tej, Dibrani ka nënvizuar se një vend është në krizë të thellë jo aq nga klasa politike në pushtet, e cila është tej mase e kriminalizuar, por sipas tij është në krizë, madje të thellë, pasi opozita nuk është e denjë që t'u prijë proceseve siç duhet. "Madje, për fat të keq, as opozita dhe as ata pak zëra kundërshtues brenda partive politike nuk kanë një platformë të qartë se çfarë duan e çfarë do të bëjnë për këtë vend nëse do të vinin në pushtet. Si duket, qytetarët janë lodhur me retorikat populiste, andaj sikur thonë "keq për keq le të rrinë këta që janë në pushtet", pasi nuk duan të kenë fatin e atyre partive, në të cilat ndërrimi i kryetarit e ka bërë gjendjen edhe më të keqe në atë parti, duke ngulfatur mendimin ndryshe dhe duke venitur shpresën për perspektivë udhëheqëse. Nëse opozita dhe grupet e pakë- naqura brenda partive politike nuk dalin qartë me programet dhe platformat e tyre, duke shpjeguar se nëse vijnë në pushtet çfarë do të bënin me drejtësinë, sigurinë, shëndetësinë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik, atëherë nuk kemi nevojë të mbajmë as zgjedhje dhe as të ndryshojmë këtë qeveri, pasi brenda vetë partive është mbytur konkurrenca dhe është pamundësuar fjala ndryshe, sepse sa për fraksione të brendshme as të mos shpresojmë", shprehet Dibrani. 

Musa: Ndërhyrjet prekin pavarësinë e gjyqësorit Ndërkaq, avokati Skender Musa thotë se për të pasur një drejtësi të pavarur ndikojnë shumë faktorë, por në Kosovë, sipas tij, fatkeqësisht politika vetëm përpiqet që ta pengojë drejtësinë."Politika në fakt nuk do të guxonte fare të ndërhynte në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë në gjyqësi, ngase preket direkt pavarësia e gjyqë- sorit. Por, fatkeqësisht pushteti ndërhyn në punën e institucioneve të drejtësisë në mënyrë indirekte, duke mos krijuar kushte për gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo shihet me kushtet që ata i kanë në pallatin e drejtësisë. Megjithëse ka kaluar një kohë, akoma nuk janë funksionalizuar ashensorët, pastaj çështja e ventilimit, etj.", shprehet avokati Musa. Sipas tij, duhet të rriten kapacitetet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të shtohet numri i tyre, varësisht nga numri i lëndëve të cilat janë nëpër gjykata dhe prokurori."Andaj, në këtë aspekt reformat janë më se të domosdoshme dhe ato duhet që të përfshijnë të gjitha nivelet e drejtësisë", ka deklaruar Musa për gazetën "Kosova Sot". Në anën tjetër, deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, shprehet për gazetën "Kosova Sot"se është e vërtetë e pakontestueshme se politika ka ndërhyrë thellësisht në organet e drejtësisë, e që kjo, sipas tij, është fatkeqësi për qytetarin, por edhe për perspektivën e këtij vendi. "Veç kësaj, për fatin e keq të vendit, edhe ndërkombëtarët kanë rënë pre e politikës, me ndonjë përjashtim të vogël ose me ndonjë akrobacion, veçanërisht kohëve të fundit që ka ndodhur dhe kjo është duke u parë si një ndërhyrje e drejtësisë ndërkombëtare, në këtë rast e EULEX-it, për të krijuar një besim për vazhdimësi të punës së vet në Kosovë, sesa për ndonjë veprim serioz. Unë llogaris se ndërkombëtarët qysh në kohën e UNMIK-ut, por tani edhe të EULEXit, janë përfshirë në krimin e organizuar, por edhe për ndërhyrjen politike në organet e drejtësisë, kështu që thjesht pa u ndryshuar kjo garniturë politike nuk shpresoj se do të ketë veprim të drejtë dhe të njëanshëm në organet e drejtësisë", u shpreh Berisha. 

 

(Kosova Sot)