Me burokraci dhe korrupsion nuk zbutet papunësia

  • 28 June 2016 - 08:03
Me burokraci dhe korrupsion nuk zbutet papunësia

Rexhepi: Qeveria dështoi për siguri më të madhe të investimeve.

"Prej kur në vend po sundon kjo klasë e pushtetarëve të paskrupullt, Kosova dita-ditës po varfërohet dhe kjo po vjen vetëm si pasojë e kësaj klase në pushtet, që nuk realizoi asgjë nga premtimet për rritje të punësimeve dhe mirëqenies qytetare dhe dëshmoi se vetëlavdërimet qeveritare më nuk po pinë ujë. Hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës ishte një premtim elektoral i parealizueshëm", shprehet deputeti Enver Hoti për "Kosova Sot"

Po kalon gati gjysma e mandatit të kësaj qeverie dhe premtimet elektorale për punësime enorme nuk po duken gjëkundi. Koalicioni PDK-LDK kishte premtuar se brenda mandatit të ardhshëm do të punësojë mbi 200 mijë persona, shifër kjo që ishte megalomane për ekspertët e fushës së ekonomisë, porse me këto premtime e morën pushtetin. Në vend të punësimeve për vitin 2015 dhe 2016 patëm largimin nga Kosova të rreth 130 mijë vetave, pikërisht për shkak se kjo qeveri nuk ofroi kushte për punësime, por thelloi varfërinë. Ishte dhjetori i vitit 2014 kur PDK-ja e Hashim Thaçit dhe LDK-ja e Isa Mustafës e patën nënshkruar marrëveshjen e bashkëqeverisjes për vitet 2014-2018 dhe fill pas këtij koalicioni kryeministri Mustafa u shpreh se ajo që kishin dhënë si premtim ishte një fushatë elektorale e pamundur për të ndodhur në realitet. Sipas analistëve, ende nuk po shihen aktivitete ekonomike të Qeverisë, të cilat do të mund të përmbushnin premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për krijimin e qindra vendeve të reja të punës. Po t'u referohemi shifrave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale në vitin 2015, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Punës kanë gjetur punë ndërmjet 6-7 mijë veta, ndërkohë që në tregun e punës çdo vit futen nga 30 mijë të rinj. Në lista e të evidentuarve të papunë në kuadër të Ministrisë së Punës figurojnë më shumë se 135 mijë veta. "Për më pak se dy muaj në zyrat e punësimin në të gjithë territorin e Kosovës janë lajmëruar 2 mijë e 911 persona punëkërkues. Nga ky numër i përgjithshëm rreth 1176 punëkërkues i takojnë gjinisë femërore", ka thënë Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, derisa nga ky numër gjysma e tyre del të jenë femra.

Sejdiu: Papunësia arrin deri në 60 për qind Nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, në një prononcim për "Kosova Sot", tha se sipas hulumtimeve të kësaj sindikate rezulton se papunësia arrin deri në 60 për qind. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma), u shpreh për gazetën se koha e dëshmoi se Qeveria 'Mustafa' ka dështuar që ta rrisë punësimin në vend dhe ky, sipas tij, është premtimi më i madh i rrejshëm i këtij koalicioni. "Derisa koalicioni PDK-LDK-së i premtoi 200 mijë vende të reja pune, arriti që vetëm për tre muaj të qeverisjes së tyre, 2015-2016, të rrisë skamjen e varfërinë, ku i detyroi qytetarët që të largohen nga Kosova, madje jo më pas se 130 mijë veta", është shprehur deputeti Enver Hoti. Sipas tij, shifrat zyrtare të institucioneve tona mbi shkallën e papunësisë nuk janë aspak reale, sepse të dhënat dhe raportet e Bankës Botërore, që flasin mbi papunësinë në Kosovë, tregojnë dikur rreth 60 për qind e të rinjve të papunë në një vend që nuk ka mbi 1.8 milion banorë. "Prej kur në vend po sundon kjo klasë e pushtetarëve të paskrupullt në Kosovë dita-ditës po thellohet varfëria dhe kjo po vjen vetëm si pasojë e kësaj klase në pushtet, që nuk mbajti asgjë nga premtimet për rritje të punësimeve dhe mirëqenies qytetare, duke dëshmuar se vetëlavdërimet qeveritare më nuk po pinë ujë, sikurse që ishin edhe premtimet për 200 mijë vende të reja. Sot po i shohim se ato ishin vetëm premtime elektorale e që ishin të parealizueshme", shprehet Hoti.

 

Qeveri e dështimeve Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Kosovë, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se Qeveria e tanishme ka dështuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime dhe punësim. "Qeveria nuk hap vende pune, por krijon ambient për zhvillim, rritje ekonomike dhe përmirësim të gjendjes sociale, përmes punësimit dhe programeve të tjera. Këto asnjërën nuk i ka arritur kjo qeveri". Rexhepi thekson se mosfunksionim i shtetit, gjykatave, korrupsioni, shantazhet dhe informaliteti ndikojnë drejtpërsëdrejti në investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Andaj, sipas Rexhepit, Qeveria ka dështuar në përmirësimin e ambientit për biznes, për siguri më të madhe për investimeve, si edhe për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë te institucionet shtetërore. 

VV-ja: Qeveria 'Mustafa' po i varfëron qytetarët Ndërkohë që zyrtarë të Lëvizjes 'Vetëvendosje' janë shprehur se shteti ka dështuar në premtimet e dhëna për krijimin e vendeve të reja të punës dhe të një ambienti më të mirë ekonomik. Adonis Tahiri nga kjo lëvizje ka thënë se planifikimi ekonomik i qeverisjes 'Mustafa-Thaçi' vetëm se sa ka varfëruar shumë qytetarë."Doli që Qeveria e Kosovës të jetë mjet i Serbisë për realizimin e interesave të veta politike dhe ekonomike brenda Kosovës. Në vend se të merret me rritjen e prodhimit, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe për hapje të vendeve të reja të punës ajo negocion me Serbinë", u shpreh Tahiri. Ai shton se në Kosovë nuk mund të ketë punësime përderisa nuk krijohet ambient i sigurt për investitorët."Derisa në vend do të ketë krim të organizuar, korrupsion, si dhe përqindja që duhet ta japin tek klanet e pushtetarëve, nuk do të ketë punësime", ka shtuar ai. Ndërkohë, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane shprehet se gabimet në premtimet mbi punësimin në Kosovë janë shumëpalëshe dhe shumëdimensionale, por që natyrisht barra më e rëndë e përgjegjësisë bie mbi të gjitha qeveritë, posaçërisht pas shpalljes së Pavarësisë së vendit. Sipas Zekës, mungesa e një strategjie nacionale zhvillimore, ngathtësia në reduktimin e burokracisë, perceptimi i keq për korrupsionin që vendi i ka ndërtuar vetes ndër vite dhe aq më keq mungesa e përpjekjeve për eliminimin e tij, sundimi i dobët i ligjit dhe mosfunksionimi i gjykatave janë disa prej aspekteve që e kanë përcjellë vendin gjatë gjithë këtyre viteve.

 

(Kosova Sot)