Mosluftimi i korrupsionit për faj të drejtësisë së kalbur

  • 29 June 2016 - 08:00
Mosluftimi i korrupsionit për faj të drejtësisë së kalbur

Isufi: Drejtësinë e Kosovës e kemi në kaos

"Kemi ligje, që janë moderne, bashkëkohore dhe në frymën e BE-së, por nuk zbatohen. Fajet nuk janë tek ligjet, por problemi qëndron në moszbatimin e tyre, në mungesën e konsekuencës, pastaj në mungesën e angazhimit të zbatimit të tyre konsekuent", u shpreh eksperti i çështjeve juridike Mazllum Baraliu.

Kosova është me një traditë të shkurtër të shtetndërtimit në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë të drejtësisë. Por, për ekspertët jo se mungojnë ligjet, porse mungon vullneti për ta luftuar korrupsionin, kur bëhet fjalë për kokat e larta të drejtësisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Njohësit e fushës së drejtësisë shtrojnë pyetjen se a janë fajtore ligjet për mosluftimin e korrupsionit apo njerëzit e pushtetit, që nuk duan t'i zbatojnë ato. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka bërë me dije se problemi nuk qëndron tek Kodi penal, e as te ligjet në fuqi, dhe as tek Kushtetuta e Kosovës por, sipas tij, fajtorë për këtë janë zbatuesit e tyre, të cilët kanë shkelur mbi këto akte ligjore dhe me të njëjtin avaz po vazhdohet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. "Prandaj, me të njëjtën strukturë është problem që të ketë efikasitetet, dhe me vetë faktin që EULEX-i ka vazhduar misionin, është treguesi më i mirë se drejtësinë e Kosovës e kemi në kaos", është shprehur Isuf.

Ligjet duhet të përpunohen Ndërsa sa u përket ndryshimeve të paralajmëruara në Kodin penal të Kosovës nga presidenti i vendit, Isufi mendon se ato janë më shumë parulla dhe mashtrim i opinionit sesa, siç thotë, një gatishmëri për të ndryshuar sistemin e drejtësisë në vend, pasi, sipas tij, me këtë qeverisje dhe me këtë logjikë Kosova nuk do të mund të ecë përpara. Ndërkaq, eksperti për çështje juridike, Mazllum Baraliu, thotë se Kodi penal dhe ai i procedurës penale janë dy kode bazike në fushën penale, që janë punuar, përpunuar e ripunuar me vite të tëra, por edhe ndryshuar e plotësuar që nga administrata e UNMIK-ut si të përkohshme e më pastaj si të përhershme nga Kuvendi i Kosovës. Baraliu në këtë drejtim mendon se ato janë mjaft gjithëpërfshirëse për sa i përket rregullimit të materies juridike penale dhe procedurale, por problemi kryesor, sipas tij, është në zbatimin e ligjeve përgjithësisht në Kosovë. Ai ka shtuar: "Në Kosovë kemi ligje jo të përkryera. Sigurisht se ka probleme dhe mundësi që të përpunohen dhe avancohen edhe më tepër". 

Baraliu: Nuk është punë e Presidencës që të kërkojë ndryshime në Kod Sipas Baraliut, problemi më i madh është moszbatimi i ligjeve. "Pra, kemi ligje që janë moderne, bashkëkohore dhe në frymën e BEsë, por nuk zbatohen. Fajet nuk janë tek ligjet, por problemi qëndron në moszbatimin e tyre, në mungesën e konsekuencës, pastaj në mungesën e angazhimit të zbatimit të tyre konsekuent", u shpreh Baraliu. Ndërsa, për ndryshimet e paralajmëruara në Kodin penal, Baraliu thotë se kjo është çështje individuale dhe institucionale, por që, sipas tij, nuk është punë e Presidencës që të kërkojë ndryshime në këtë aspekt. "Sigurisht që nuk i ndalohet, mirëpo tjetërkush duhet ta ketë iniciativën e ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve dhe kompetent për këtë punë është KGJK-ja, në radhë të parë pasi është pushtet dhe institucion i veçantë i pushtetit gjyqësor, që do duhej të analizonte në koordinim edhe me Ministrinë e Drejtësisë, rrethanat, zbatueshmërinë e ligjeve", shprehet eksperti Baraliu. "Ka vakume në ligjet eventuale në rregullimin e disa çështjeve dhe për këtë duhet një debat publik, që të ndihmohet edhe nga Presidenca, edhe nga Qeveria dhe të tjerët që të shkohet në ndryshim dhe plotësim të ligjeve. Por, adresa kryesore është KGJK-ja dhe MD-ja", ka theksuar Baraliu për gazetën "Kosova Sot"

Musa: Nëse të akuzuarit mbesin në pozita, pengohen hetimet Në anën tjetër, avokati Skender Musa thotë për gazetën "Kosova Sot" se asnjë lloj pengese për ta luftuar asnjë lloj kriminaliteti nuk ekziston sa i përket aspektit ligjor dhe fushave që i rregullon Kodi penal i Kosovës. " Gjithashtu mund të theksoj se sa i përket kriminalitetit dhe korrupsionit nëpër institucionet qeveritare, por edhe në ato joqeveritare, Kodi penal i Kosovës i ka zgjidhjet adekuate ashtu siç e parashohin edhe kodet penale të BE-së në sistemet më të zhvilluara, si në Francë, Gjermani, Austri, etj., por edhe në sistemin anglosakson, për shkak se Kodi ynë penal ka huazuar apo ka marrë edhe nga ata disa dispozita ligjore, të cilat janë pozitive dhe mund të aplikohen edhe në Republikën e Kosovës", është shprehur Musa. Më tej Musa ka nënvizuar se pavarë- sisht kësaj, është e pamundur që Kodi penal të ketë lënë zbrazëti ligjore, por veç të tjerash edhe në fushën e korrupsionit nuk është i mjaftueshëm aq sa duhet. "Sa i përket asaj se pse nuk po luftohet korrupsioni, këtu nuk është pengesa tek Kodi penal dhe as tek ai i procedurës penale, por pengesë në radhë të parë është tek institucionet qeveritare, të cilat vazhdojnë të ndajnë nivele të larta të shërbyesve civilë me aktakuza të ngritura. Kur them nivelet e larta, gjithmonë mendoj tek nivelet e sekretarëve të përgjithshëm dhe atyre të kryeshefave ekzekutivë, të agjencive të pavarura, dhe se këtu nuk ka asnjë pengesë pjesa politike, as stafi politik dhe sidomos ministrat edhe kryeministri që t'i lirojnë dhe pezullojnë ata përkohësisht derisa të zhvillohet procedura penale ndaj tyre", shprehet Musa. Tutje ai ka shtuar se një i akuzuar në nivel dhe një pozitë qoftë sekretar apo drejtor i departamentit apo kryeshefit ekzekutiv, nëse vazhdon të mbetet në pozitë, rrjedhimisht mund t'i pengojë hetimet e Prokurorisë apo të policisë, ani pse kjo nuk është gjithmonë e drejtë për shkak se vetëm ngritja e aktakuzës nuk nënkupton se ndaj personit që është ngritur aktakuza, i njëjti edhe të shpallet fajtor.