10-vjeçarja dergjet në shtrat pa njërën veshkë

  • 29 June 2016 - 16:52
10-vjeçarja dergjet në shtrat pa njërën veshkë

Malvesa Lajçi, 10-vjeçarja, nxënëse e klasës se katërt të shkollës fillore "Xhemajl Kada" në Pejë, e cila nga mësimet u nda për shkak të sëmundjes së rëndë në gjysmëvjetorin e dytë të këtij viti, nuk do të jetë në gjendje që ditën e Fitër Bajramit që po vjen të bëjë vizita për këtë festë as të familjarët e saj e as të shoqet e klasës, ashtu si bënte viteve të mëparshme, shkruan gazeta Kosova Sot.

Nëna e Malvesës, Bahrie Lajçi, me lot në sy qan fatin e vajzës së saj, fëmijës së vetëm të Rexhep e Bahrie Lajçit, e cila kohë me parë për shkak të një pezmatimi të rendë që pati, është operuar nga njëra veshkë në spital në Tiranë, dhe në vend që ajo të shërohej dhe të vazhdonte jetën e saj normale, pas operimit e humbi aftësinë e të ecurit dhe tani ka fituar infeksion edhe në veshkën tjetër, për çfarë çdo tre ditë duhet ta bëjë pastrimin e gjakut në repartin e hemodializës, në spitalin e përgjithshëm në Pejë.

Vështirë i përballojnë shpenzimet me ndihmën sociale

Përderisa e ëma fliste me lot në sy për fatin e vajzës së saj, Malvesa e vogël nga shtrati ku ishte e shtrirë përcillte çdo fjalë të nënës, lotët e se cilës gjithsesi lëndon shpirtin e saj të njomë. Ajo shprehte edhe mungesën që ndiente për shkollën, për shoqet dhe shokët e klasës, për mësuesit të cilët, siç thotë ajo e ndihmuan me të gjitha mundësitë që patën se bashku edhe më personelin e mësimdhënësve të shkollës që Malvesa të operohet në Tiranë, ku për fatin e keq të saj në vend të shërimit pësoi edhe më keq, duke mbetur e varur për karrocë invalidi dhe në shtratin ku po i kalon këto ditë të vështira të jetës së saj, me shpresë që dikush do t'i dalë në ndihmë për shërimin e saj. Nëna e Malvesës thotë se ajo dhe bashkëshorti i saj, Rexhep Lajçi, janë të papunë dhe e kanë të vështirë të jetojnë me ndihmë sociale, para këto, të cilat nuk i mbulojnë as shpenzimet e nevojshme familjare, e aq me pak terapinë e domosdoshme të ilaçeve të Malvesës që ka për të marrë çdo ditë, për të mbajtur në funksion veshkën e saj të sëmurë dhe për të qetësuar dhembjet që ajo ndien nga infeksioni.

Malvesa me mall përcjell lojën e bashkëmoshatarëve

Familja e Rexhep dhe Bahrije Lajçit jetojnë në një banesë të përbashkët edhe me pjesën tjetër të familjes së bashkëshortit, ku në dy dhoma me një korridor dhe 1 banjo, me një sipërfaqe me 45 metra katrorë, jetojnë 9 anëtarë të kësaj familjeje, të cilën vite më parë ua pati ndarë Komuna si kategori e rëndë sociale. Dhe, në rrethana të tilla Malvesa e kalon ditën në shtratin e saj, të cilin kohë pas kohe, duke zëvendësuar me karrocën invalidore. Ajo me mall përcjell lojën e bashkëmoshatareve të saj në oborrin e kësaj banese kolektive, shkuarjen dhe ardhjen e tyre nga shkolla, me të cilët disa muaj më parë ajo vazhdonte ëndrrat e saj në bankat shkollore për një të nesërme më të mirë, por një Zot e di se deri ku shkon tani imagjinata e saj. Nëna Bahria shpjegon se pasi që i ndihmuan shumë njerëz zemërmirë e dërguam Malvesën në Tiranë, me shpresë për shërim dhe atje ia hoqën njërën veshkë, e pas operacionit gjendja iu përkeqësua. Malvesa filloi të humbë aftësinë e të ecurit dhe mjekët e atjeshëm quan dorë nga përpjekjet për rikthimin e aftësisë se të ecurit të saj", shpjegonte historinë e dhimbshme nëna Bahrie, e cila çuditërisht thotë se mjekët atje i kanë thënë që ta dërgojë vajzën në Beograd, për çfarë familja Lajçi nuk ka asnjë mundësi dhe as që ka vënë kontakte me dikë në atë nivel.

Ajo thotë t'u jetë shumë mirënjohëse të gjithë atyre që ndihmuan deri më tani, ku në veçanti përmend biznesmenin Adnan Hysenajn, i cili ka ndihmuar këtë familje me 3000 euro, para se të shkojë Malvesa në operim në Tiranë. "Vetëm ne e dimë se si po i kalojmë këto ditë të Ramazanit dhe tani që jemi në prag të festës se Fitër Bajramit, po përballemi me varfëri ekstreme dhe me sëmundjen e vajzës sonë Malvesës, e cila po e rëndon edhe me shumë gjendjen si ekonomike, ashtu edhe shpirtërore. Për ne nuk ka festa as gëzime përderisa vajza jonë dergjet në shtratin e saj. Qenka e tmerrshme ta shohësh evladin tënd të fiket si qiriu për çdo ditë dhe të mos jesh në gjendje që t'i ndihmosh", thotë me zemër të thyer nëna a shkretë e kësaj 10-vjeçareje.  

(Kosova Sot)