Ishte dhunuar nga njerku i saj si fëmijë

  • 29 June 2016 - 19:32
Ishte dhunuar nga njerku i saj si fëmijë

Një grua, e cila e ka mbajtur të fshehtë faktin që është abuzuar seksualisht nga njerku i saj për njëzet vjet, ka treguar se si ka qenë vajza e saj ajo që e ka shtyrë që ta kontaktonte policinë. Helen Dawson-Breen, 32-vjeçare, nga Bristoli i Anglisë, ishte abuzuar për gjashtë vjet me radhë, që prej moshës njëmbëdhjetëvjeçare, nga ana e Wayne Burgoyne-t, që tani është 58- vjeçar, i cili e kishte dhunuar edhe gjatë kohës kur ajo shkonte në shkollë. Pasi që ishte rritur, ajo ishte munduar që t'i linte në të kaluarën këto trauma, transmeton gazeta Kosova Sot.

Mirëpo, kur vajza e saj ishte kthyer në shtëpi nga një rrugëtim për peshkim me 'gjyshin' dhe kishte thënë që ai i kishte kërkuar që ta mbante një sekret, ajo e kishte ditur që kishte ardhur koha për të kërkuar drejtësi. Helen-a, e cila ka vendosur që të heqë dorë nga e drejta për anonimitet, ka thënë që fëmijëria e saj ishte shkatërruar nga Burgoyne, një abuzues i shumë fëmijëve, i cili ishte martuar me nënën e saj për ta pasur Helen-ën më afër. Burgoyne, që ka qenë 38-vjeçar kur është takuar për herë të parë me Helen-ën njëmbëdhjetëvjeçare, ka qenë babai i njërit prej shokëve të klasës së Helen-ës dhe e kishte ftuar Helen-ën në shtëpi për të luajtur.

E kërcënonte me vdekje

Vizita e parë në shtëpinë e shokut të saj të klasës kishte përfunduar me dhunim për Helen-ën, e cila thotë që eksperienca, të cilën e kishte pasur me Burgoyne, ia kishte kujtuar të atin, i cili ishte vetëvrarë kur ajo kishte mbushur tetë vjet. Helen pretendon që edhe babai i saj biologjik e kishte dhunuar, megjithatë eksperienca me Burgoyne-n ka qenë më e gjatë dhe, natyrisht, më e tmerrshme. Që prej momentit kur e kishte dhunuar për herë të parë në shtëpinë e tij, Burgoyne nuk e kishte lënë të qetë Helen-ën për as edhe një moment. "Ai më kërcënonte se nëse do të flisja, do të më vriste.

Nuk më pëlqente aspak ajo që detyrohesha ta bëja, megjithatë druhesha që do të më vriste", ka thënë ajo. E, për fatin e saj të keq, Burgoyne ia kishte dalë ta bindte nënën e Helen-ës për t'u martuar me të, në mënyrë që të kishte mundësi t'i rrinte më pranë Helen-ës. Martesa ishte organizuar në gusht të vitit 1997 dhe nga ajo ditë, abuzimi kishte eskaluar. "Nga ai moment jam dhunuar çdo ditë - para shkollës, pas shkollës, kur nëna shkonte për të blerë gjëra", ka thënë Helen-a. "Nëna punonte një punë natën andaj kur ajo shkonte në punë, Wayne më zgjonte për të bërë seks me mua". 

Tani jeton e lumtur

Helen-a ka thënë që Burgoyne shpeshherë kishte insistuar që ta dërgonte ai në shkollë, vetëm sa për t'ia dhënë një xhiro dhe për ta dhunuar në veturë. Shpeshherë ajo ishte vonuar për në klasë. Familja ishte rivendosur në Skoci dhe Helen-a kishte dalë nga shtëpia në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, megjithatë as kjo nuk e kishte ndaluar Burgoyne-n, i cili kishte shkuar drejt në apartamentin e saj për të kryer marrëdhënie intime. Vetëm dy vjet më vonë, i dashuri i parë i Helen-ës, kishte kërcënuar se do ta lajmëronte policinë dhe Burgoyne i kishte ndalur përpjekjet e tij. Nëna e dy fëmijëve, Helen-a, tani jeton e lumtur në jug të Anglisë me partnerin e saj, Granville Hoyle, 47-vjeçar. Ajo pothuajse e kishte harruar incidentin që e kishte munduar tërë jetën deri në ditën kur vajza e saj ishte kthyer nga një ekspeditë peshkimi me gjyshin. Ai i kishte thënë që ta ruante një sekret, gjë që e kishte shtyrë Helen-ën që ta lajmëronte rastin në polici. Muajin e kaluar Gjykata Mbretërore e Shefilldit e ka dënuar Burgoyne-n, 58-vjeçar, me 14 vjet burg për dhjetë raste të dhunimit. 

(Kosova Sot)