Liderët evropianë planifikojnë krijimin e një supershteti

  • 29 June 2016 - 21:30
Liderët evropianë planifikojnë krijimin e një supershteti

Shefat e politikës evropiane do të përfitojnë nga "Brexit" nëpërmjet zbulimit të planit të kamotshëm për t'i futur të gjitha shtetet në një supershtet gjigant. Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Gjermanisë pritet ta zbulojnë planin që në mënyrë efektive të hiqet dorë nga shtetet individuale në atë që është përshkruar si "ultimatum". Nën propozimet radikale, shtetet e BEsë do ta humbasin të drejtën për ta pasur ushtrinë e tyre, ligjin e tyre penal, sistemin e taksave ose bankën qendrore, me të gjitha këto kompetenca që do të transferohen në Bruksel, transmeton gazeta Kosova Sot.

Shtetet anëtare gjithashtu do t'i humbnin edhe disa privilegje që i kanë sa i përket kontrollit të kufijve, përfshirë këtu edhe procedurën për pranimin dhe rivendosjen e refugjatëve. Kjo gjë ka ngjallur panik e zemërim në Poloni - një aleat tradicional i Britanisë në luftën kundër federalizmit - pasi që informacionet janë bërë bilike në kanalin polak të lajmeve 'TVP Info'. Fragmente nga raporti nëntë-faqesh është publikuar gjatë ditës së djeshme (e martë) kur liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë ishin takuar në Berlin për të biseduar në lidhje me krizën pas 'Brexit'.

Drejt federalizimit

Në parathënien e tekstit dy ministrat kanë shkruar: "Shtetet tona kanë përcaktim dhe vlera të përbashkëta. Kjo gjë e mundëson edhe një union sa më të afërt mes qytetarëve tanë. Andaj ne do të bëjmë thirrje për një union politik në Evropë dhe do t'i ftojmë evropianët e ardhshëm që të marrin pjesë në këtë projekt". Këto lajme kanë ardhur vetëm disa ditë pasi që Britania e ka tronditur Brukselin duke votuar për largim nga Bashkimi Evropian në lëvizjen për të cilën shumëkush pretendon që mund të çojë në shkatërrimin e BE-së.

Një numër i madh i shteteve anëtare është i pakënaqur me federalizmin e projektit evropian, me shumë parti kundër BE-së që po funksionojnë në Evropë, Skandinavi dhe Francë. Teksa ka folur në lidhje me këtë çështje, ministri i punëve të jashtme i Polonisë, Witold Waszczykowski, ka thënë: "Kjo nuk është zgjidhje e mirë sepse që nga koha kur është themeluar BE-ja, shumë gjëra kanë ndryshuar. Gjendja në shoqëritë evropiane është më ndryshe. Evropa dhe votuesit tanë nuk duan t'ia japin Unionin të teknokratëve. Për këtë arsye dua të flas për këtë gjë dhe dua të them që nuk mendoj që është receta e duhur për zgjidhje në kontekst të 'Brexit'-it". Ka përçarje të thella në BE për momentin në lidhje me mënyrën se si duhet vazhduar tutje me projektin, pas votës së Britanisë së Madhe për t'i ndarë rrugët me Bashkimin Evropian. 

Spektri i shpërbërjes po e mundon Evropën

Disa figura kanë paralajmëruar që përpjekjet për të detyruar integrim të mëtejmë politik mund të kenë efekt të kundërt, pasi që, sipas tyre, përpjekjet e tilla kundër dëshirës dhe vullnetit të evropianëve vetëm sa do ta përkeqësonin edhe më tej ndjenjën e euroskepticizmit. Disa javë para votës së Britanisë së Madhe për të dalë nga BE-ja, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kishte paralajmëruar që qytetarët evropianë nuk e kanë entuziazmin e liderëve të tyre për "një Evropë utopike pa konflikte të interesit dhe ambicieve, një utopi ku Evropa do t'i impononte vlerat e veta në botën e jashtme, një utopi e unitetit Euro-Aziatik". Ai më pas kishte shtuar: "Shumë më të zëshëm janë ata që e vënë në dyshim parimin e Evropës së bashkuar. Spektri i shpërbërjes po e mundon Evropën dhe vizioni i një federate nuk më duket mua si përgjigjja më e mirë për këtë gjë". Pikëpamjet e tij janë mbështetur nga lideri i shteteve të Eurozonës, politikani holandez, Jerome Dijsselbloem, i cili ka shtuar: "Në Eurozonë disa po mundohen ta kompletojnë një union monetar duke krijuar një union politik.

Duhet t'i fuqizojmë ato që i kemi në duar dhe të mos ndërtojmë më zgjatje të reja në shtëpinë evropiane, gjatë kohës kur nuk është e qëndrueshme". Në anën tjetër, Lorenzo Condign, ishdrejtori gjeneral i thesarit të Italisë, ka thënë që është pothuajse e pamundur të shihet Evropa që kërkon më shumë integrime në këtë periudhë. Duket e vështirë të imagjinohet që pjesa tjetër e BE-së do të pajtohet për integrime më të shpejta. Thjesht, nuk ka vullnet politik. Në fakt, ekziston rreziku që të ndodhë e kundërta, që forcat centrifugale të shpërfaqen dhe ta vështirësojnë edhe më shumë integrimin". Mirëpo të tjerët e shohin 'Brexit'-in si një mundësi të artë për ta realizuar ëndrrën e kamotshme për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës. Ministri spanjoll i jashtëm, Jose Manuel Garcia-Margallo, ka bërë thirrje për "më shumë Evropë", ndërsa ministri italian i financave, Carlo Padoan, po bën thirrje për një buxhet të përbashkët të shteteve të Eurozonës. Emmanuel Macron, ministri francez i Ekonomisë, dëshiron të shkojë edhe një hap më tej për ta krijuar një Thesar të përbashkët të Eurozonës, që do të shërbente për transferimin e fondeve nga shtetet më të pasura të Evropës veriore tek shtetet më të dobëta të Mesdheut.  
 

(Kosova Sot)