Mafio-oligarkëve po u shtrëngohet laku në fyt

  • 30 June 2016 - 08:01
Mafio-oligarkëve po u shtrëngohet laku në fyt

"Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se janë ata që me votën e tyre duhet ta rrëzojnë krimin nga pushteti dhe se kjo është forma e vetme dhe s'ka asnjë tjetër. Edhe po të bëhej ndonjë 'revolucion', sërish vota do të jetë ajo që do të vendosë se kush do ta udhëheqë Kosovën. Dominimi i krimit dhe korrupsionit e vë në shërbim të tyre drejtësinë në Kosovë", është shprehur deputeti Adem Salihaj.

Dibrani: Politikëbërësit janë shtresa me më pak dinjitet.

Mospengimi për asnjë çast i politikanëve dhe pushtetarëve tanë drejt pasurimit të tyre të paligjshëm e kanë sjellë vendin buzë dështimit të plotë dhe drejt greminës në çdo sferë jetësore. Pa dyshim se ata asnjëherë nuk do të mund të arrinin tërë këtë pasuri marramendëse dhe të pajustifikueshme ligjërisht, nëse turrin dhe zhvatjet e tyre do t'i ndalonin me kohë njerëzit e drejtësisë në Kosovë, të cilët jo vetëm që dështuan ta bënin këtë, por ata madje i mbyllën sytë, e mbase edhe u implikuan vetë në këtë lojë të pistë, që lejuan mafio-politikanët të pasurohen me pasurinë publike pa i prekur askush. Këta pushtetarë përfituan nga kaosi në fushën e (pa)drejtë- sisë. Por, në tërë këtë situatë të rëndë dhe të mjerueshme, në të cilën ka rënë vendi ynë, është shtruar edhe pyetja se a ka ndonjë shpresë që më në fund Prokuroria e Shtetit të mobilizohet dhe të veprojë e të godasë fuqishëm, që kësisoj në këtë vend njëherë e përgjithnjë të sundojë ligji i së drejtës, e jo anarkia. 

Salihaj: Asnjë shtet nuk mund të vendosë rend dhe ligj nëse politika është e inkriminuar Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se është shpresuar shumë në Prokurorinë e Shtetit, por që, sipas tij, këto shpresa po dalin të kota. Salihaj në këtë drejtim ka nënvizuar se përfundimisht duhet parë se nuk mund të vendoset shteti i ligjit në një shtet ku sundojnë mafio-politika dhe oligarkia ekonomike. "Këto janë kushte themelore, pasi në asnjë shtet nuk mund të vendoset rend dhe ligj nëse politika është e inkriminuar. Andaj, qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se janë ata që me votën e tyre duhet ta rrëzojnë krimin nga pushteti dhe se kjo është forma e vetme dhe s'ka asnjë tjetër. Edhe po të bëhej ndonjë 'revolucion', sërish vota do të jetë ajo që do të vendosë se kush do ta udhëheqë Kosovën. Dominimi i krimit dhe korrupsionit e vë në shërbim të tyre drejtësinë në Kosovë dhe drejtësia punon për ata e jo për qytetarin e Kosovës", është shprehur deputeti Adem Salihaj. 

"Një ditë Prokuroria do të kthjellet" Analisti Shefqet Dibrani mendon se për këtë gjendje kaq të pashpresë 'merita' i takon pikërisht drejtësisë sonë, derisa, sipas tij, edhe prokurorët dhe gjyqtarët janë treguar neglizhues dhe jo të guximshëm përballë kësaj situate. Sipas tij, ata tashmë janë nëpër vende kyçe, për të cilat nuk janë kompetentë, por për më keq, siç duket, edhe janë të zhytur në gjëra të ndaluara me ligj. Dibrani thotë se ky fenomen është mjaft i dhembshëm, ngase për fatin tonë të keq historia veçse po shkon duke u përsëritur. "Politikëbërësit janë shtresa me më pak dinjitet, pasi çdo gjë po varet nga sistemi politik çfarë e kemi në Kosovë. Ndërsa, oligarkët politikë kanë ditur si duhet që ta pushtojnë vendin, fillimisht duke i bërë bashkë- fajtorë prokurorët dhe sistemin e drejtësisë, për të cilin thuhet se u kap nga shteti". Por, pavarësisht kësaj gjendje shumë të rëndë dhe të pashpresë në drejtësi, Dibrani thotë se është optimist se një ditë prokuroria do të kthjellohet e bashkë me ta edhe strukturat përcjellëse të sigurisë shtetërore, që më pastaj, siç tha, "e mira të shtrihet edhe në sistemin arsimor,pedagogjik kulturor, për të ndikuar drejtpërdrejt në sistemin ekonomik e shëndetësor dhe reformat duhet të shtrihen deri në cepin më të largët që ka Kosova". 

Po u vjen fundi mafio-oligarkëve Në anën tjetër, avokati Nikë Shala u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se në çdo shtet ku nuk zbatohen ligji dhe Kushtetuta në mënyrë të drejtë dhe të plotë, po ashtu ku ka ndërhyrje politike në drejtësi dhe personat të cilët janë të involvuar në vepra penale nuk sillen pranë organeve të drejtësisë dhe pasurohen në mënyrë të paligjshme, paraqet situatë të pashpresë te qytetarët. Shala po ashtu thotë se nëse institucionet në një shoqëri janë të dezorganizuara ose të çrregulluara sa i përket funksionalitetit të tyre, atëherë mund të pasojë paraqitja e kriminalitetit që për çdo shoqëri është e dëmshme. "Për fat të keq, ata të cilët e sollën vendin në këtë situatë të pashpresë janë njerëzit e (pa) drejtësisë në Kosovë, të cilët lejuan dhe mbështeten mafio-politikën që të pasurohet paligjshëm, si duket atyre po u vjen fundi, ngase tani Prokuroria e Shtetit është mobilizuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Andaj, shpresa dhe besimi nuk duhet të humbasin asnjëherë në institucionet e drejtësisë, pasi Prokuroria e Shtetit është mobilizuar dhe po shënon rezultate pozitive përmes inicimit të procedurave penale dhe ngritjes së aktakuzave ndaj të dyshuarve për vepra penale", shprehet Shala. Duke u bazuar në objektivat kryesore dhe vizionin e Prokurorisë së Shtetit, Shala beson fuqishëm se me punën dhe angazhimin profesional ky institucion, i cili po zhvillohet, do ta rrisë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, gjithashtu do të rrisë edhe efikasitetin dhe transparencën në hetimin dhe ndjekjen e të gjithë kryesve të dyshuar të veprave penale, sidomos të zyrtarëve të lartë publikë, të cilët kanë qenë të paprekshëm dhe dyshohen se kanë krijuar pasuri marramendëse të paligjshme, e kjo është dëshmi se me punën e Prokurorisë së Shtetit do të rriten njëkohësisht edhe shpresat tek qytetarët se në Republikën e Kosovës sundojnë ligji dhe Kushtetuta dhe jo anarkia e padrejtësia

(Kosova Sot)