Çuan në Itali 165 kg marihuanë, arrestohen në Vlorë

  • 30 June 2016 - 14:19
Çuan në Itali 165 kg marihuanë, arrestohen në Vlorë

Një sasi prej 165 kg marihuanë, e mbërritur nga Shqipëria, është sekuestruar nga Roja Bregdetare në Bari. Lënda narkotike transportohej e paketuar në thasë të mëdhenj plastikë në bordin e gomones, e cila është pikasur fillimisht nga një helikopter gjerman i forcave europiane të operacionit “Triton”.

Skafistët sapo kanë nuhatur praninë e policisë italiane, kanë braktisur lëndën narkotike në mes të detit duke u kthyer drejt brigjeve shqiptare.

Pak orë pas operacionit, policia shqiptare në bashkëpunim me Policinë Financiare Italiane me bazë detare në Shqipëri kanë arrestuar në brigjet shqiptare 2 skafistët me origjinë nga Vlora: Hermal Hameti, 28 vjeç, e Elidon Beluli, 42 vjeç. Lajmin e arrestimit e konfirmoi dhe policia e Vlorës.

Dy trafikantët janë arrestuar mbrëmë pranë ishullit të Sazanit.

Mjeti me të cilin transportohej lënda narkotike ishte një gomone me gjatësi 6 metra. Ajo është pikasur teksa lundronte në ujërat ndërkombëtare mes Shqipërisë e Italisë me drejtim brigjet italiane, rreth 40 km larg Bridizit. Skafistët pasi kanë nuhatur praninë e policisë italiane, janë kthyer menjëherë drejt brigjeve shqiptare, duke hedhur ngarkesën në det.

Lënda ishte paketuar në thasë plastikë, me qëllim mbrojtjen e saj nga uji.

Nëse kjo sasi do të mbërrinte në treg, vlera e saj do t’u sillte trafikantëve një fitim prej 1.5 milion euro.

(Kosova Sot)