Ministria masakron buxhetin për subvencione e grante

  • 01 July 2016 - 07:29
Ministria masakron buxhetin për subvencione e grante

Keqpërdorime të mëdha ka gjetur ZAP-i në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural

ZAP-i: Disa fermerë janë paguar nga dy-tri herë

"Në këtë Ministri nuk ka ndonjë kontroll se në cilat adresa dhe a po shkojnë me të vërtetë subvencionet, grantet dhe ndihmat e tjera nga Ministria e Bujqësisë", u shpreh deputeti Haxhi Shala, i cili ka shfaqur dyshimin se ato grante nuk po shkojnë te bujqit dhe blegtorët e vërtetë, por tek individët që janë të lidhur me pushtetin

Raporti ZAP-it, i publikuar ditë më parë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka evidentuar keqmenaxhim të madh të parasë publike në këtë Ministri. Shkeljet më të mëdha janë bërë te subvencionet dedikuar fermerëve kosovarë. Të gjeturat e ZAP-i specifikojnë se grantet bujqësore dedikuar për fermerët kosovarë u keqpërdoren në masë të madhe nga krerët e kësaj Ministrie. Aty thuhet se disa nga fermerët janë paguar edhe nga dy- tri herë. "Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se procesimi i pagesave të subvencioneve për vitin 2015 është përcjellë me parregullsi të caktuara që lidheshin me pagesa të dyfishta ndaj përfituesve dhe me kontrolle joefikase në shqyrtimin e aplikacioneve të fermerëve", thuhet në raportin e ZAP-it. Aty thuhet se ministri i MBPZHR-së është përgjegjës për të siguruar mbikëqyrjen e procesit të raportimit financiar të Ministrisë. Sipas raportit të Auditit, në vitin 2015 gjatë procesimit të pagesave për subvencione (pagesat direkte) nga thesari janë vërejtur disa parregullsi:"Nga procesimi i pagesave për kultura - perime në fushë të hapur - 352 përfitues ishin paguar nga dy herë gabimisht. Vlera totale e mbipaguar gabimisht ishte 247,047 euro. Mbipagesat ishin si pasojë e gabimeve në Thesar", thuhet aty. Në rastin tjetër, sipas ZAP-it, gabimet gjatë procesimit të pagesave nga thesari janë vërejtur edhe te Lista e proceduar për blegtori që kishte 255 përfitues dhe është dashur të realizohet në shumën totale 165,993 euro. "Megjithatë, nga transaksioni i ndodhur e tërë shuma iu kishte transferuar gabimisht vetëm dy përfituesve të parë në listë", thuhet aty. "Testimet tona kanë identifikuar se në të gjitha listat e fermerëve ka gabime për disa fermerë sa i përket numrit të llogarisë së përfituesve. Kjo ka ndodhur si pasojë e kontrollit joadekuat me rastin e përgatitjes së listave për pagesë nga AZHB-ja", thuhet në raport. Tutje, në raport shtohet: "Mangësitë e paraqitura në realizimin jo të rregullt të buxhetit për shkak të gabimeve në pagesa për përfituesit e cekur më lart duken mjaft shqetësuese. Kjo do të rezultojë në mosarritjen e objektivave të organizatës, në keqmenaxhim të parasë publike, pasiguri dhe vonesa të pagesave dhe në dëmtim të reputacionit të Ministrisë ndaj përfituesve për subvencione dhe grante"...  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)