Foshnja mbijetoi për mrekulli

  • 01 July 2016 - 19:37
Foshnja mbijetoi për mrekulli

I ishte dhënë vetëm 1 për qind shpresë për të mbijetuar

Foshnja ishte lindur me peshë prej vetëm 900 gramësh,raporotn Gazeta Kosova Sot

Sheila Bhatti e kishte vërejtur që diçka nuk po shkonte me shtatzëninë e saj, megjithatë i ishte thënë që gjithçka ishte në rregull dhe se ishin thjesht komplikime të shtatzënisë. Mirëpo, në skanimin e javës së njëzetë, katër javë më vonë, ajo e kishte marrë lajmin e frikshëm që ujërat i ishin derdhur në javën e gjashtëmbëdhjetë të shtatzënisë. "Në fillim, sasia e ujërave të derdhura ka qenë e vogël, mirëpo disa ditë më vonë u pata zgjuar në mes të natës për të parë që pjesa e poshtme e pizhameve më ishte lagur", ka thënë Sheila. Doktori i saj në fillim kishte menduar që kjo gjë kishte ndodhur për shkak të komplikimeve të zakonshme, që ndodhin gjatë kohës së shtatzënisë. 

E vë jetën e foshnjës në rrezik Njëzetekatërvjeçarja, që priste të bëhej nënë, kishte dalë nga spitali pa iu nënshtruar ekzaminimit që do të tregonte që i kishin shpërthyer ujërat dhe po rridhnin ngadalë, duke e vënë jetën e foshnjës në rrezik të madh. Vetëm pasi kishte shkuar për skanim në Spitalin "Hillingdon" në Midëllseks ajo e kishte kuptuar që diçka nuk ishte në rregull. "Mamia dukej e shqetësuar. Kishte të rrahura të zemrës, mirëpo nuk mund ta shihnim foshnjën. Më patën thënë që ujërat më kishin shpërthyer, gjë që më pati çliruar në fillim, pasi kjo gjë nënkuptonte që nuk e kisha humbur foshnjën". Mirëpo, pasi një këshilltar mjekësor ia kishte shpjeguar se nëpër çka kishte kaluar, ajo e kishte kuptuar rëndësinë e asaj që kishte ndodhur. "Më patën pyetur nëse kisha vërejtur ndonjë rrjedhje të ujërave dhe iu pata thënë që jam zgjuar me pizhame të lagëta. Ndihesha torollake. Doktorët më patën thënë që ishin të sigurt që foshnja nuk do të mund të mbijetonte dhe se do të duhej ta shqyrtoja mundësinë e abortimit. Nuk mund ta besoja", ka thënë ajo. Kishte mbetur aq pak lëng amniotik përreth foshnjës saqë stafi mjekësor as që kishte mundur ta bënte një skanim të rregullt për ta kuptuar nëse foshnja ishte djalë apo vajzë. Mirëpo, meqë të rrahurat e zemrës ishin shumë të fuqishme, ajo ishte dërguar në një pavijon spitali, në të cilin doktorët kishin thënë se natyra do ta impononte kursin e vet. 

Lind me prerje cezariane "E doja foshnjën time dhe nuk mund ta abortoja. E, pasi foshnja pati vazhduar të përpiqej për të mbijetuar edhe pasi i ishte dhënë vetëm 1 për qind shpresë për të mbijetuar, bashkëshorti im, Wahab-i, ishte pajtuar që kudo që kishte jetë, kishte edhe shpresë", ka thënë ajo. Pas një muaji të kaluar e shtrirë në spital, kohë gjatë të cilës shtypja e gjakut i ishte kontrolluar çdo tri orë ndërsa gjaku i ishte testuar për infeksione tri herë në javë. Kjo rutinë ishte përcjellë deri në javën e njëzetekatërt, moshë në të cilën një foshnje konsiderohet si e zhvilluar mjaftueshëm sa për t'u bërë përpjekja që të shpëtohet, ndonëse është shumë para kohe. Më 14 nëntor, kur i kishte mbushur 28 javë dhe pesë ditë të shtatzënisë, ajo ishte dërguar menjëherë për të lindur në spitalin e Hillingdonit. Megjithatë, për shkak të disa problemeve me infeksione, lindja kishte rezultuar e pamundur andaj ajo menjëherë ishte dërguar në "Queen Charlotte's" kur foshnja ishte lindur me prerje cezariane, me peshë prej vetëm 900 gramësh. 

(Kosova Sot)