Peja ka mbetur pa operator për trheqjen e makinave

  • 01 July 2016 - 23:14
Peja ka mbetur pa operator për trheqjen e makinave

Makinat bllokojnë trotuaret dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
"Jemi të përkushtuar që një gjë të tillë ta zgjedhim në veçanti, tani, kur gjendemi në prag të fluksit të bashkatdhetarëve tanë nga mërgata, që ia mësyjnë vendlindjes se tyre", ka thënë Zefaj, raporotn Gazeta Kosova Sot

Ka muaj që Komuna e Pejës nuk ka kontraktuar ndonjë kompani, që tërheq makinat e parkuara në vendet e ndaluara. Kjo ka bërë që komunikacioni të ngarkohet dhe të krijohen kolona në rrugët e qytetit. "Mungesa e një kompanie për tërheqjen e veturave, që tashmë është kuptuar edhe nga kundërvajtësit, vazhdon të jetë një problem i veçantë për disiplinimin e ngasësve të pandërgjegjshëm të makinave", thotë kapiteni Ndue Nikolla, komandant i Stacionit të Policisë në Pejë, i cili e sheh domosdoshmëri kontraktimin një kompanie të tillë, në veçanti tani në sezonin e verës, kur fluksi i makinave do të dyfishohet nga vizitat e bashkatdhetarëve tanë. "Kjo situatë e tanishme po u shkakton telashe edhe zyrtarëve policorë, të cilët nuk po arrijnë të mbajnë rend në trafik", ka thënë ai.

Telashet me tenderë I kontaktuar nga gazeta zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, ka thënë se komuna ka shpallur me kohë tenderin për zgjedhjen një operatori, por, sipas Zefajt, që tri herë po hapen ofertat e tenderit, por dy herë kanë dështuar në mungesë të operatorëve të përgjegjshëm. Ai shpreson se kësaj radhe për herë të tretë do t'ia dalin që të gjejnë një operator të përgjegjshëm që i plotëson kriteret e duhura. "Jemi të përkushtuar që një gjë të tillë ta zgjedhim në veçanti tani, kur gjendemi në prag të fluksit të bashkatdhetarëve tanë nga mërgata, që ia mësyjnë vendlindjes se tyre", ka thënë Zefaj. Zëdhënësi Zefaj tha se fituesi i tenderit pritet të shpallet së shpejti, pasi të përfundojë afati i ankesave i paraparë me ligj.

Harrohen premtimet e fushatës Përndryshe në shumë fushata elektorale pati premtime për zgjedhjen e këtij problemi, i cili në qytetin e Pejës po bëhet gjithnjë e më shqetë- sues. Në disa nga tubimet e subjekteve politike, në fushatat elektorale të deritashme, ka pasur premtime të shumta nga shumë subjekte edhe për ngritjen e ndonjë parkingu të përmasave më të mëdha, që do të ofronte një zgjedhje më të mirë, krahasuar me ato të tanishmet. Pushteti i kaluar pati dhënë me koncesion disa nga hapësirat e qytetit për parkingje publike, por edhe pati premtuar se do të krijojë mundësi për ndërtimin e një parkingu të madh në afërsi të qendrës së qytetit, premtim ky që mbeti vetëm dëshirë elektorale. Edhe pushteti aktual pati premtuar zgjidhje më të mirë sa i përket këtij problemi, por deri më tani nuk ia doli që të bëjë diç më shumë sesa pushteti i kaluar.

 

Ngecja e projektit të shtyllave automatike Demë Dashi, drejtor i Shërbimeve të Inspektoratit komunal, i ka thënë gazetës se Drejtoria ka më shumë se dy vite që ka një projekt të gatshëm, me të cilin do të pamundësonim parkimin e makinave në trotuare, duke bllokuar ato me një sistem mbrojtës, përmes një sistemi shtyllash, që do të ishin efikase edhe estetike. Dashi thotë se edhe ngritja e një parkingu qoftë me partneritet publiko-privat apo në ndonjë formë tjetër, përmes donacioneve ishte në premtimet e tyre elektorale dhe mbetet edhe më tej objektiv i tyre. "Por, problemet me prona me AKPnë dhe mungesa e buxhetit edhe më shumë po e vështirësojnë realizimin e një projekti të tillë", ka thënë drejtori Demë Dashi.

 

As gjobat nuk kryejnë punë Zyrtarët policorë pohojnë se për parkim të parregullt, vitin e kaluar policia ka marrë masa ndaj 2.600 pronarëve të makinave, të cilëve u kanë shqiptuar gjoba për parkim në vende të ndaluara. Ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2016, në Pejë janë shkruar nga policia 397 tiketa për parkim të parregullt. Por, këto masa të policisë nuk po janë gjithmonë efikase, andaj edhe në ditët e sotme, parkimi i veturave trup trotuarit, në mes të rrugës, bllokimi i qarkullimit të trafikut nga ndalimi i makinave në vende të ndaluara e madje edhe në rrugë derisa janë në lëvizje, janë pasqyrë e përditshmërisë së rrugëve të qytetit të Pejës nga shoferët e pandërgjegjshëm. Sjelljet e shofer- ëve me nivel të ulët të kulturës në trafik vazhdojnë të mbeten të papërmirësueshme, ndonëse policia ka zhvilluar në vazhdimësi fushata sensibilizuese për vetëdijesim e shoferëve për të respektuar normat ligjore në trafik.

(Kosova Sot)