Prizreni do të ketë më pak buxhet vitin që vjen

  • 01 July 2016 - 23:22
Prizreni do të ketë më pak buxhet vitin që vjen

Të hyrat vetjake bien nga 9 në 6 milionë euro.

Qemajl Krasniqi ka kërkuar që brenda këtyre tri viteve buxhetore të bëhen kolektorët për pastrimin e ujërave të zeza dhe muret mbrojtëse në lumin Toplluha.shkruna Gazeta Kosova Sot

Kuvend Komunal i Prizrenit ka mbajtur dje seancën e radhës, me ç'rast u bë edhe leximi i parë i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2017-2019. Kuvendarët prizrenas kanë kërkuar që buxheti të mos keqpërdoret dhe të mos politizohen kërkesat për investime. Seanca e të enjtes ka filluar me një minutë heshtje në përkujtim të tragjedisë së ndodhur në Stamboll të Turqisë. Kryesuesi Kujtim Gashi njoftoi se pikë e rëndësishme është Korniza Buxhetore 2017-2019. "Kemi afat vetëm deri sot për ta shqyrtuar këtë dokument të rëndësishëm për investime kapitale. Korniza Afatmesme Buxhetore komunale e Prizrenit është pjesë përbërëse e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kosovës, është përpiluar në përputhje me procedurat buxhetore 20017-2019, të dhëna nga MF përmes Qarkores buxhetore për komunat, si dhe financimi nga grantet ndërqeveritare dhe kufijtë fillestarë të buxhetit komunal", ka thënë Gashi. Sipas limiteve fillestare, sipas Qarkores buxhetore, këtë vit totali i buxhetit për Komunën e Prizrenit është 40 milionë e 616 mijë euro, derisa për vitin 2017 është paraparë të jetë 38 milionë e 616 mijë euro, për vitin 2018 do të jetë 39 milionë e 596 mijë dhe në vitin 2019 do të jetë 40 milionë e 441 mijë euro. 

Zvogëlohen fondet për bujqësi Kuvendarët e partive të pozitës dhe opozitës kanë qenë kritikë për pjesë të caktuara të kësaj kornize. Bujar Nerjovaj, nga AAK-ja, pati kritika rreth mjeteve të destinuara për zhvillimin turistik, derisa Haziz Hodaj (LDK) është befasuar se si të hyrat vetjake po shënojnë rënie, gjegjësisht nga 9 milionë pritet që vitin që vjen të bien në 6 milionë. Sehare Maliqaj (PDK) është shprehur kritike rreth fondeve për shëndetësi. Sipas saj, është e pafalshme që ende mungon buxheti për Qendrën Mjekësore në Qëndresë. Ndërsa, Fatmir Kastrati tha se tani e sa vite lagjja "2 Korriku" po përballet me mungesë të ujit dhe prapë nuk ka parashikime të investimeve atje. Munir Basha nga Partia Konservative kërkoi hapjen e një gjellëtoreje popullore për vitet që vijnë, në mënyrë që sadopak të ndihmohen skamnorët dhe familjet me gjendje të rënduar ekonomike. Kuvendarja e pavarur Ajshe Shala kërkoi më shumë investime në lagjen "Ortakoll", kurse Qemajl Krasniqi ka kërkuar që brenda këtyre tri viteve buxhetore të bëhen kolektorët për pastrimin e ujërave të zeza dhe muret mbrojtëse në lumin "Toplluha". "Përndryshe, Drejtoria e Bujqësisë shumë pak i ka dalë në ndihmë kësaj zone", ka thënë Krasniqi, i cili ka kërkuar edhe shkarkimin e drejtorit të Bujqësisë. "Ai kot qëndron në zyrë, kurse kërkesat e banorëve të Përdrinisë mbeten në sirtarë", ka thënë Krasniqi. Naser Bresa (AKR) ka kërkuar që brenda kësaj kornize buxhetore të gjendet mundësia për ndarjen e mjeteve për ruajtjen e ambienteve të gjelbëruara dhe mbi të gjithë të rregullohet çështja e qenve endacakë. Bujar Nerjovaj (AAK) ka kritikuar zvogëlimin e buxhetit në disa sektorë. Sipas tij, nuk ka kuptim të kemi zvogëlim të buxhetit për 43 për qind në Drejtorinë e Bujqësisë. "Përkundrazi duhet të kemi shtim në atë drejtori si dhe në turizëm", ka thënë ai.

Shani Berisha braktis Bashkimin Demokratik Ky ishte leximi i parë i Kornizës Afatmesme Buxhetore, kurse në shtator pritet të miratohet pasi të plotësohet me sugjerimet e kuvendarëve dhe grupeve të interesit. Në këtë seancë, kuvendari Shani Berisha bëri të ditur se tash e tutje nuk do të jetë më pjesë e grupit të Bashkimit Demokratik, por do të veprojë si i pavarur. "Derisa subjekti politik (BD), në emër të cilit isha anëtar i këtij Kuvendi, ka marrë përcaktim dhe orientim tjetër politik, unë duke dashur që t'u përmbahem bindjeve të mia në Kuvend do të jem i pavarur", ka thënë Shani Berisha. Në këtë seancë u diskutua edhe çështja e organizimit të aktivitetit "Java e Remzi Ademajt", për të cilin aktivitet siç dihet ka pasur manipulime në të kaluarën, për çka është gjetur fajtor nga gjykata drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj.

(Kosova Sot)