Sëmundja e syve ia rrezikon të parit 6-vjeçares

  • 01 July 2016 - 12:46
Sëmundja e syve ia rrezikon të parit 6-vjeçares

Familja e Elmedinës nuk ka para që ta shërojë atë

Ajmane Veliqi: Shërimi i vajzës nuk është i mundur në Kosovë

“Ka tre vjet që e kemi kuptuar se vajza Elmedina ka problem me shikimin. Menjëherë kemi kërkuar ndihmën e mjekut, por shërimi këtu në Kosovë nuk i ka treguar rezultatet e duhura. Jo për shkak të profesionalizmit të mjekëve, por për shkak të mungesës së kushteve”, është shprehur e ëma e vogëlushes, Ajmane Veliqi

Elmedina gjashtëvjeçare nga Prishtina po vuan nga një sëmundje e syve. Nga acarimi i  sëmundjes në fjalë, tash së fundi vogëlushes po i rrezikohet krejt të parit. Mësohet se për tre vjet rresht familja Syla, banorë të kryeqendrës, kanë kërkuar ndihmë mjekësore nëpër institucionet publike dhe private shëndetësore të vendit, por nuk ka pasur përmirësim të gjendjes së vogëlushes. Tashmë mjekët në Qendrën Klinike Universitare i kanë rekomanduar trajtim mjekësor jashtë vendi, kurse shuma e parashikuar për trajtimin e sëmundjes së vogëlushes është e papërballueshëmve për familjen. Andaj,familja Syla apelon për ndihmë para se të ndodhë më e keqja njërës nga vajzat e tyre, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Image

 

Shërimi i kushtueshëm i fëmijës

E ëma Ajmane Veliqi  me lot në sy na tregoi për hallet dhe dertet që po e mundojnë atë dhe bashkëshortin e saj, Bashkimin, prejse e kanë kuptuar se vajza ka këtë problem me sy.”Ka tre vjet që e kemi kuptuar që vajza Elmedina ka problem me shikimin. Menjëherë kemi kërkuar ndihmën e mjekut, por shërimi këtu në Kosovë nuk ka treguar rezultatet e duhura. Jo për shkak të profesionalizmit të mjekëve, por për shkak të mungesës së kushteve”, është shprehur ajo. E ëma e Elmedinës thotë se vajza mund të shërohet në Shkup, porse shërimi i saj është i kushtueshëm për familjen. ”Kemi shkuar në Shkup dhe kemi bërë serish kontroll, pasi  mjekët këtu nuk na premtuan shërim të plotë. Në Shkup na premtuan se sëmundja mund të shërohet pas tri intervenimeve kirurgjike”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, Ajmane Veliqi. Ajo shton se përafërsisht e gjithë kostoja e tri intervenimeve mund t’i kushtojë familjes 10 mijë euro. Ajmanja gjithashtu tha se sëmundja e Elmedinës ua ka thyer zemrën familjarëve dhe pamundësia për të siguruar vetë mjetet po i shqetëson ata me të madhe.”Nuk ka më të vështirë se të shohësh vajzën çdo ditë e më shumë duke humbur shikimin. Ajo po vërehet se është duke  shkuar keq e më keq  dhe nuk ke çfarë t’i besh”, thotë Ajmanja. Ajo apelon edhe një herë për ndihmë nga bamirësit apo edhe të institucioneve.

 

Image

 

Me këtë sëmundje vështirë se do t’i ndjekë mësimet

Në anën tjetër, kjo nënë e përvuajtur për fatin e bijës së saj, ka shpjeguar tutje se për shkak të problemeve me sy, Elmedina nuk ka pasur mundësi për çdo ditë t’i ndjekë mësimet në parashkollor.”Tani e kam regjistruar  në klasë të parë në shkollën fillore “Elena Gjika”,por mendoj se pa e zgjidhur problemin e sëmundjes, vajza vështirë se do të ketë mundësi t’i ndjekë mësimet”, thotë ajo.”Unë po e vërej si nënë se ajo dita- ditës po e humb shikimin, andaj sa më shpejt që është e mundur të intervenohet, do të ishte më mirë për bijën, në të kundërtën mund të ndodhë edhe më e keqja”, është shprehur zonja në fjalë. Për më shumë, Ajmanja ka shpjeguar se Elmedina është një vajzë inteligjente dhe e do shumë shkollën. Ndërkohë, familja Syla gjashtë anëtareshe nuk kanë kurrfarë të ardhurash në shtëpinë e tyre. E gjitha ajo që kanë është puna që kryefamiljari Bashkimi arrin të sigurojë me punë krahu. Por, edhe sipas zonjës, nga kjo punë nuk ia dilet dot për shkak se nuk është një punë e rregullt. Ndërsa, në anën tjetër familja janë edhe pa kulm mbi kokë. Ata përkohësisht janë të strehuar në një objekt banimi të siguruar nga Komuna e Prishtinës, banim ky i përkohshëm. Ajmanja thekson se për të siguruar ekzistencën ia dalin disi, por sëmundja e vajzës është preokupimi kryesor.”Po, askush ndoshta nuk vdes urie, ne ia dalim të sigurojmë vetëm gjërat më elementare, sa për të mbetur gjallë, por jo edhe më shumë. Shokët dhe të afërmit e burrit na kanë ndihmuar në renovimin e shtëpisë, që nuk është pronë e jona”, ka thënë ajo, duke shtuar se problemi më i madh është me vajzën. Sipas Ajmanes, edhe pse bashkëshorti i saj është i evidentuar si veteran i luftës deri më tani nuk ka gëzuar këtë të drejtë. “Shpresojmë që të gëzojmë këtë të drejtë dhe të dalim nga kjo krizë”,ka theksuar ndër të tjera ajo. Ndërkohë, u ndamë nga kjo familje me shpresë se dikush nga bamirësit do t’i ndihmojnë Elmedinës së vogël që edhe ajo të ketë mundësi të shkollohet e mbi të gjitha mos t’i humbet shikimi. Andaj, për të gjithë ata të cilët kanë mundësi t’i ndihmojnë saj mund të telefonojnë në numrin direkt të familjes që është 049  184 613 ose 049163 864.

(Kosova Sot)