Kurteshi: Qytetarët do të vazhdojnë të hanë miell të kafshëve derisa t'i rrëzojnë këta pushtetarë

  • 25 July 2016 - 15:50
Kurteshi: Qytetarët do të vazhdojnë të hanë miell të kafshëve derisa t'i rrëzojnë këta pushtetarë

Deputeti Ismail Kurteshi, nga Lëvizja 'Vetëvendosje', është shumë skeptik në pritjen e tij nëse drejtësia e ndikuar së tepërmi nga politika dhe bizneset e mëdha oligarkike do ta nxjerrë fajtorin para bankës së të akuzuarve dhe t'i japë gjykimin meritor.

Në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ai thotë së në praktikën e drejtësisë së politizuar të Kosovës po ndodh që shumë vepra të dënueshme nuk po dënohen.

"Në Kosovë ka shumë keqbërës, veprat e të cilëve nuk po dënohen, sepse ato janë të lidhura me pushtetarët, kurse definitivisht prokurorët e shtetit janë nën ndikimin e pushtetarëve dhe oligarkëve. Ky rrjet i ndërlidhur e ka bërë shtetin jofunksional, rrjedhimisht ka krijuar kushte ideale për krim të organizuar dhe korrupsion. "Devollët", mielli për kafshë, evazioni fiskal, mishi nga Brazili, asfalti i dobët, pengesat për prodhim vendor, pengesat për investime të huaja, pengesat për ngritjen e cilësisë në arsim, e ngritjes së kualitetit të shërbimeve në shëndetësi e gjetiu. Nënshkrimi i marrëveshjeve të dëmshme për vendin si ato për "Zajednicën" , e Demarkacionin e të tjera janë rezultat i korrupsionit dhe papërgjegjësisë së krerëve të shtetit, të cilët kanë arritur atje ku janë sot falë lojërave të pista: vjedhjes dhe blerjes së votave, falë premtimeve të rrejshme", ka thënë ai.

Sipas tij, "Devollët" dhe të gjithë të tjerët që i shkelin ligjet, që i mashtrojnë qytetarët, që nuk i kryejnë obligimet ndaj shtetit, duhet t'i marrin dënimet e merituara.

Por, siç thotë Kurteshi, kjo nuk mund të ndodhë, derisa shefat e tyre që në të njëjtën kohë janë edhe shefa të prokurorëve të jenë në maja të shtetit.

“Këtë problem shumë të madh për vendin mund ta zgjidhin vetëm qytetarët ë Kosovës në ditën e zgjedhjeve, te kutitë e votimit ose në rrugë, duke protestuar derisa t'i rrëzojnë këta pushtetarë, përndryshe qytetarët do të vazhdojnë të hanë miell të kafshëve e ushqime të tjera kancerogjene", tha Kurteshi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)