Shkolla e axhës Nezë mbyllet pas gjysmë shekulli

  • 26 July 2016 - 19:50
Shkolla e axhës Nezë mbyllet pas gjysmë shekulli

Gjysmë shekulli më herët, plaku Nezir Halili e kishte ndërtuar shkollën në Kokaj. Ai vetë nuk kishte bërë asnjëherë shkrim-lexim, por e kishte kuptuar se fëmijët e këtushëm nuk mund të kishin të ardhme pa u shkolluar. "Këta të rinj duhet të arsimohen e të bëhen filozofë, doktorë, inxhinierë, mësues. Le të shohin çka është dynjaja dhe le të jenë të zotët e vetes dhe t`i shërbejnë këtij populli. Të mos mbeten qorra, sikur ne", kishte thënë asokohe axha Nezë. Ishte befasi për kohën që një analfabet të kishte një adhurim aq të madh për shkollën, shkruan gazeta Kosova Sot.

Plaku e ndërtoi vetë shkollën dhe i inkurajoi fëmijët që t`i përvishen dijes. Shkolla në Llovcë ishte larg dhe në kushtet e atëhershme udhëtimi gjatë dimrit ishte i vështirë për fëmijët. "Më qahej edhe mua kur i shihja fëmijët të lodhur, e herë-herë kur vinin duke qarë nga rruga dhe të ftohtët". Derisa nuk ishte ndërtuar shkolla në Kokaj, shumë prej fëmijëve të fshatit Kokaj kishin ngelur në shtëpi, ndërsa prej kur u ndërtua shkolla Kokaj fëmijët e këtushëm nuk mbeteshin më në shtëpi, sepse tani kishin mundësi të tjera. "E bëra shkollën që fëmijët tanë të mos mbesin pa ditur asgjë, siç kemi mbetur ne", ka thënë plaku mjekërbardhë, Nezir Halili.

Shkolla të shpallet objekt i mbrojtur kulturor

Tani, gjysmë shekulli më vonë, në mungesë të nxënësve, shkolla katërvjeçare në Kokaj nuk punon më. Ismet Azizi, nga ky fshat, arsimtar në Gjilan, thotë se shkolla është mbyllur prej tri vitesh. Ai rikujton kohën e fëmijërisë së tij dhe thotë se dëshira për t`u shkolluar ishte e madhe. "Dëshirën për t`u shkolluar e dëshmon numri i madh i të rinjve të këtushëm, të cilët vijuan mësimet, së pari nëpër xhamie mejtepe dhe më vonë edhe nëpër shkolla të fshatrave fqinje, në shkolla të mesme dhe fakultete", ka thënë ai. Të rinj nga kjo trevë kanë arritur suksese të ndryshme në jetë. Në këtë shkollë i kanë marrë mësimet e para shumë mësues, profesorë, mjekë të sotëm. Rinia ia pa hairin shkollës së mixhës Nezë. Në vitin 1967 plaku Nezir Haliti (Mixha Nezë) e ndërtoi vetë shkollën, në pronën e tij, në mes të fshatit, në afërsi të lagjes Gurinë. Mësues të parë ishin të rinjtë e këtij fshati, të cilit ishin shkolluar tashmë, Rrustem Rrustemi e Halil Halili, të cilët kishin kaluar rrugë të vështira për të arritur deri aty. Me ndërtimin e shkollës u punua shumë në përshtatjen e terrenit, rrugëve dhe gjelbërimit. U mbollën drurë të ndryshëm, të cilët e zbukuronin ambientin përreth shkollës. Mësimdhënësit dhe nxënësit, gjatë gjithë kohës, kanë dhënë kontributin e tyre në krijimin e një ambienti sa më të mirë për mësim.

Azizi dhe të tjerët ndiejnë dhembje për shkollën që tani rri e mbyllur prej tri vitesh. Rri e mbyllur sepse nuk ka fëmijë në fshat. Në këtë gjendje, objekti ka filluar të dëmtohet dhe vitet mund ta shkatërrojnë në tërësi. Qytetarë të pandërgjegjshëm, për përfitime personale, kanë filluar prerjen e drurëve dekorues, të cilët janë mbjellë para gjysmë shekulli."Është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve të këtij fshati, kudo që jetojnë, që ta kthejnë kokën për hir të së kaluarës së lavdishme të kësaj shkolle dhe të ngrenë zërin në mbrojtjen e saj nga keqbërësit. Përgjegjësi për ruajtjen e saj kanë edhe organet komunale dhe MASHT-i. Nëse shkolla nuk kthehet në misionin që ka, atëherë duhet të merret nën mbrojtje, si vlerë e trashëgimisë kulturore", thotë Azizi. Nga shkuan 250 banorët e dikurshëm? Fshati Kokaj gjendet në juglindje të Gjilanit, në një territor që shtrihet edhe në pjesën e Preshevës, matanë kufirit. Mëhalla e Poshtme, Mëhalla e Epërme dhe Gurina, janë tri lagjet që e përbëjnë këtë fshat, që si vendbanim është themeluar para dy shekujve. Banorët e parë kanë ardhur nga Sanxhaku i Toplicës. Sipas regjistrimit të vitit 1948, fshati kishte 250 banorë, numër ky që është rritur nga viti në vit, deri më 1981, kur fillon migrimi në drejtim të qytetit. Po, rënien më të madhe të popullsisë ky fshat e ka përjetuar pas luftës së fundit. Përreth zonës kufitare me Serbinë nuk ka qenë lehtë të jetohet në këto vite.

Kufiri ka ndarë këtu të gjallët nga të vdekurit, thotë Nijazi Ramadani, ish-banor i fshatit. Ai tregon se varri i Fejzës, njërit prej dy djemve të Ademit, themelues i katundit, ka mbetur matanë kufirit. Fshati Kokaj, pas pushtimit nga Mbretëria SKS, ishte emërtuar Inatovc. Mirëpo, banorët e Kokajve dhe rrethina kurrë nuk e kanë njohur me këtë emër, sepse ishte emër i imponuar me pushtimin e këtyre trojeve nga ushtria serbe në vitin 1912. Të parët e këtij vendbanimi së pari ishin vendosur në Pogragjë, ku edhe sot ruhet toponimi "Sokaku i Kokajve". Këtu kanë jetuar tri vjet. Pastaj kanë blerë tokë nga Isa Beu i Shkupit dhe kontratën e kanë bërë në Vrajë. Në kontratë precizohen edhe kufijtë brenda të cilëve shtrihen tokat e blera. Familje me mbiemrin Kokaj ka në Gjilan, Prishtinë, Shkup, Kumanovë e vende tjera. Kjo tregon se trojet shqiptare janë reduktuar vazhdimisht. Në këtë pjesë, para 60 vjetësh, nga Kosova ishin ndarë Buhiqi, Staneci, Lezbalia, Kurbalia, Seferët, Maxhera, Gosponicasi dhe fshatra të tjera.

(Kosova Sot)