Rritet numri i turistëve në qytetin historik

  • 26 July 2016 - 19:56
Rritet numri i turistëve në qytetin historik

Prizrenasit si duket janë të kënaqur sivjet me turistët që vijnë e vizitojnë këtë qytet. Pronari i hotelit më reprezatativ në qendër të Prizrenit "Theranda", Shaban Morina tregon se gjendja është më e mirë sivjet krahasuar me vitin e kaluar." Krahasuar me vitin e shkuar, mund të them se këtë vit ka më shumë turistë se vitin që shkoi", është shprehur ai për "Kosova Sot". Ai tutje shtoi: "Turizmi në këtë qytet duket se tashmë e ka marrë të mbarën dhe kjo për faktin se ka edhe mysafirë të shumtë të huaj dhe kjo na kë bërë krenarë. Ne po punojmë me kapacitete të plota", pohon Morina, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pronarët e lokaleve, të kënaqur

Drejtori i Drejtorisë së Turizmit në Prizren, Haxhi Seferqaj tregon se janë të përkushtuar jashtëzakonisht shumë që këtë vit turistët të mirëpriten me respekt dhe të kenë lehtësira të konsideruara për qasje drejt monumenteve historike të Prizrenit. "Në këtë kontekst kemi hapur tashmë tri qendra turistike të vendosura në hyrje- dalje dhe një tjetër në qendër të Prizrenit, kemi bërë takime me ciceronët dhe po kështu me pronarë hotelesh dhe me operatorë për t'u përballur sa më mirë me fluksin e turistëve. Ky invazion rritet gjatë kohës sa mbahet Festivali "Dokufest", shprehet ai. Seferqaj shprehet se Komuna, në bazë të kapacitetit që, ka ndarë 150 mijë euro për Parkun e Biznesit, derisa 30 mijë janë ndarë për Kullën e Jeshkovës. "Drejtoria jonë me mjetet e mbetura ka për qëllim promovimin e turizmit në këtë qytet. Prizreni është tashmë qyteti që ka një traditë të trashëguar pas lufte në zhvillimin e turizmit, kjo për faktin se ka një trashëgimi të mirë të monumenteve të lashta", pohoi Seferqaj për"Kosova Sot". Tutje, ai shton: "Jemi në përfundim të realizmit të një projekti për të gjithë ciceronët. Turizmi është edhe një mundësi për hapjen e vendeve të punës jo vetëm stinore, por edhe të përhershme. Jemi në hulumtim të rikthimit të disa zejeve të vjetra, të cilave edhe do t'u japin prioritet". Sipas tij, dëshmia më e freskët është vendimi për fshatin turistik Nashec.

"Nuk kemi eksperiencë të duhur në turizëm"

Sa i përket fushës së turizmit, njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamed Krasniqi shprehet se investimet për një vend pune në turizëm janë më të ulëtat se ne çfarëdo veprimtarie tjetër ekonomike. Ai shton se ka mundësi për investime në këtë fushë, por nuk ka eksperiencë në fushën e turizmit në vend. "Që të aktivizohen këto veprimtari ekonomike nevojiten partnerë që e njohin problematikën e menaxhimit të tyre. Projektet e vogla praktikisht e kanë ngulfatur infrastrukturën ekzistuese energjetike dhe rrugore, prandaj ato jo vetëm që nuk po hapin perspektiva të zhvillimit, por po bëhen pengesë zhvillimore për të ardhmen", shprehet ai. Krasniqi shprehet se për shkak te mosardhjes së investitorëve të jashtëm nuk po shënohet as derdhje e kapitalit të freskët, i cili do ta përshpejtonte zhvillimin ekonomik dhe punësimin e qytetarëve të aftë për punë. Pronarët e lokalit "Beska", Besim e Mërgim Shkreli tregojnë se këtë vit ka turistë më shumë, sidomos nga Shqipëria. Ata shtojnë se falë mysafirëve nga Shqipëria dhe Turqia ata shkojnë mirë me biznes. Ramadan Gashi nga Prishtina është shprehur për gazetën se në Prizren vjen me kënaqësi, sepse është qytet historik. "Kemi Prevallën e Bogën, por si qytet e kemi vetëm Prizrenin, i cili është i njohur për qofte e prodhime tradicionale".  

(Kosova Sot)