25-vjetori i BERZH në Shqipëri, Rama: Me “Drejtësinë” rrisim interesin e investitorëve

  • 26 July 2016 - 20:03
25-vjetori i BERZH në Shqipëri, Rama: Me “Drejtësinë” rrisim interesin e investitorëve

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar ceremoninë e 25-vjetorit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shqipëri, për të folur jo vetëm për investimet e bëra dhe ato që priten të bëhen, por edhe për Reformën në Drejtësi.

Duke theksuar se Shqipëria ka humbur shumë kohë për të arritur deri në ditët e sotme, Rama tha se “është krenar që ia dolëm me miratimin e kësaj reforme tepër të rëndësishme, që ishte edhe pjesë e programit qeverisës të Partisë Socialiste”. Madje premtoi se kjo qeveri koalicioni do të jetë qeveri reformash deri në ditën e fundit të mandatit.

Ai nuk harroi të përmendte as faktin që kjo reformë mbështetej nga qytetarët në një shumicë dërrmuese, thuajse absolute, sikurse edhe nga aleatët më të rëndësishëm të vendit.

“Tashmë - tha Rama, - kemi hyrë në një epokë të re të historisë kombëtare, pas votimit me konsensus të Reformës me Drejtësi. Me këtë hap që kemi bërë kemi rritur edhe interesin e investitorëve të huaj për të investuar në vendin tonë”.

Duke falënderuar BERZH-in për ndihmën e çmuar të dhënë, teksa nënvizoi se nuk ka qenë vetëm ofrues parash, por edhe njohurish, Rama bëri të ditur se sot është nënshkruar edhe një marrëveshje e re me këtë bankë për financimin e bujqësisë.

(Kosova Sot)