Ja kur janë thyer barrierat diskriminuese në SHBA

  • 26 July 2016 - 20:44
Ja kur janë thyer barrierat diskriminuese në SHBA

Hillary Clinton ka bërë historinë, duke u bërë femra e parë që ka arritur ta marrë nominimin e njërës prej dy partive të mëdha politike për zgjedhjet presidenciale. Kjo arritje e saj vjen 180 vjet pasi një person jo i bardhë ishte zgjedhur për herë të parë në një pozitë të lartë politike. Më poshtë ua kemi sjellë një pasqyrë të të arriturave në politikë nga femrat dhe minoritetet ndër vite. 47 vjet pasi George Washington ishte përzgjedhur president dhe ishte formuar Kongresi, ishte zgjedhur njeriu i parë me ngjyrë të zezë të lëkurës në një post të lartë publik, transmeton gazeta Kosova Sot.

Alexander Twilight ishte zgjedhur në Legjislaturën e Vermontit në vitin 1836. Ai gjithashtu ka qenë afrikanoamerikani i parë që kishte diplomuar nga kolegji. Njerëzit me ngjyrë nuk ishin zgjedhur në Kongres deri disa dekada më vonë, gjatë epokës së Rindërtimit pas Luftës Civile, kur skllevërve të dikurshëm në shtetet jugore u ishte dhënë e drejta për të votuar dhe për të mbajtur pozita publike. Mirëpo, deri në lëvizjen për të drejtat civile të zinjtë nuk kishin arritur përfitime të mëdha. Masaçusetsi e kishte zgjedhur Edward W. Brooke-n, një republikan me ngjyrë të lëkurës, për Senat më shumë se 50 vjet pasi Amendamenti i Shtatëmbëdhjetë ua kishte lejuar votuesve që të votonin drejtpërsë- drejti për senatorët e SHBA-së.

Përzgjedhja e guvernatorëve dhe senatorëve

Carl B. Stokes, stërnipi i një skllavi, e kishte mposhtur nipin e presidentit William Howard Taft në garën për kryetar të qytetit të Klivlendit dhe kësisoj ishte bërë personi i parë me ngjyrë të zezë të lëkurës, që ishte zgjedhur kryetar i një qyteti të madh amerikan. Shirley Chisholm ishte bërë femra e parë me ngjyrë në Dhomën e Përfaqësuesve. Pa vonuar shumë kishte filluar edhe përzgjedhja e kandidatëve hispanikë, që kryesisht vinin nga territoret që dikur kanë qenë spanjolle si puna e Kalifornisë dhe Nju-Meksikos. Antonio Francisco Coronel ishte zgjedhur kryetar i Los Anxhelosit pak kohë pasi Kalifornia ishte bërë shtet, ndërsa Romualdo Pacheco ka qenë përfaqësuesi i parë hispanik në Kongres me të drejtë të plotë vote. Jo shumë kohë më parë, Susana Martinez, një republikane nga Nju-Meksiko, është bërë femra e parë hispanike që është zgjedhur guvernatore. Shtetet perëndimore ua kishin dhënë femrave të drejtën e votës më herët sesa pjesa tjetër e SHBA-së, gjë kjo që kishte bërë që në këtë zonë femrat të bëheshin më herët pjesë e legjislaturës shtetërore - Clara Cressingham, Carrie C. Holly dhe Frances Klock në Colorado, derisa për Kongres ishte përzgjedhur Jeannette Rankin nga Montana. Numri i femrave që garonin për pozita të larta ishte rritur pasi u ishte lejuar e drejta e votës të gjitha femrave në SHBA në vitin 1919. Bertha K. Landes njihet si femra e parë që është zgjedhur kryetare e një qyteti të madh amerikan, kur ishte zgjedhur në kreun e Sietëllit në vitin 1926. Shumica e guvernatoreve dhe senatoreve ishin përzgjedhur për t'i zëvendësuar bashkëshortët e tyre të ndjerë.

Homoseksuali i parë i zgjedhur

Në Senat, Hattie Wyatt Caraway, një demokrate nga Arkansasi, ishte caktuar në vitin 1931 që ta kompletonte mandatin e fituar nga bashkëshorti i saj, që kishte vdekur. Ajo e kishte fituar një mandat të plotë një vit më vonë, duke u bërë femra e parë e zgjedhur në Senat. Margaret Chase Smith, një republikane nga Mejni, fillimisht ishte caktuar në Kongres për ta kompletuar mandatin e bashkëshortit të saj, ajo i kishte kaluar pesë mandate në Dhomën e Përfaqësuesve, para se të zgjidhej për Senat në vitin 1948. Nancy Landon Kassebaum, republikane nga Kansasi, ka qenë femra e parë që e ka fituar ulësen në Senat pa u caktuar fillimisht që ta përfundojë mandatin e bashkëshortit të ndjerë. Historia e guvernatoreve femra fillon në vitin 1924, kur Nellie Tayloe Ross, një demokrate nga Uiomingu, ishte zgjedhur në zgjedhje speciale për ta përfunduar mandatin e bashkëshortit të saj të vdekur. Në të njëjtin vit në Teksas ishte zgjedhur guvernatore Miriam Ferguson, gjithashtu demokrate, e cila ka qenë bashkëshorte e guvernatorit pararendës, i cili kishte vendosur të mos kandidonte më. Në anën tjetër, shumica e aziatiko-amerikanëve, që janë zgjedhur në pozita të larta, kanë qenë nga Kalifornia dhe Havai, që ishte bërë shteti i pesëdhjetë në vitin 1959. Lesbiket janë votuar më herët sesa meshkujt homoseksualë.

Elaine Noble është bërë personi i parë homoseksual (gjithmonë flitet për personat që kanë qenë të hapur në orientimin e tyre seksual) që kishte fituar një ulëse në një legjislaturë shtetërore, kur ishte votuar në Masaçusets. Tammy Baldwin, ka qenë personi i parë homoseksual që është zgjedhur në Kongres. Ajo vazhdon të jetë personi i parë homoseksual që është zgjedhur në Senat. Megjithatë, kanë mbetur edhe shumë 'tabu' pa u thyer. Ende nuk është zgjedhur asnjë mashkull homoseksual në Senat. E njëjta vlen edhe për femrat hispanike. Madje Amerika kurrë nuk ka pasur asnjë guvernatore femër me ngjyrë të zezë të lëkurës, ose ndonjë guvernator homoseksual. Femrat zakonisht janë të dytat që e thyejnë barrierat diskriminuese. Pra, fillimisht është zgjedhur një person me ngjyrë ose një hispanik për një pozitë, pastaj është zgjedhur një femër, para se të vazhdohej me thyerjen e barrierave tjera.  

(Kosova Sot)