Kompromisi me bosët e krimit lë Kosovën pa sundim ligji

  • 26 July 2016 - 08:05
Kompromisi me bosët e krimit lë Kosovën pa sundim ligji

"Disa politikanë, edhe pse dihet se kanë bërë pasuri marramendëse falë pushtetit politik, përsëri pranohen si aleatë në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, edhe pse ata janë kupola", ka thënë analisti Fadil Lepaja,raporotn Gazeta Kosova Sot 

Herët a vonë, modeli i Shqipërisë duhet të zbatohet

Çështja se a është e gatshme Kosova që të bëjë ndryshime thelbësore në Kushtetutën e vendit, në mënyrë që të mundësojnë reformën në drejtësi, ashtu siç ndodhi në Shqipëri me reformën, edhe tek ne ka ardhur si imperativ i kohës, ngase reformën në drejtësi po e kërkojnë në vazhdimësi vendet e Kuintit dhe shtetet mike, por edhe shoqëria civile dhe analistët e deputetët e Kuvendit. Sipas tyre, përveç tjerash, edhe pa zgjedhjen e kupolës së Gjyqësorit, në këtë rast KGJK-së, si trupë e pavarur dhe me etikë e integritet profesional, nuk do të ketë drejtësi dhe as reforma, pasi vlerësohet se me njerëzit aktualë në krye të Gjyqësorit, në mesin e të cilëve edhe të tillë që janë të inkriminuar, asnjëherë nuk do të ketë sundim të rendit dhe të së drejtës në vend. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se sipas të gjitha gjasave kjo kastë politike nuk është e gatshme as të bëjë reforma dhe as që ta përparojë Kosovën. Sipas tij, vendi ynë është në krizë nga pavetëdija, po ashtu niveli i ulët i arsimimit dhe me një mbingarkesë të theksuar të stafit civil dhe publik, pastaj siç tha me një administratë të burokratizuar dhe me oligarkë politikë të pangopshëm që e kanë ngulfatur perspektiven e mirë në këtë vend. Andaj, nuk e besoj kurrë se në rrethana normale do të ndodhin reformat e dëshiruara, por ato mund të ndodhin vetëm me presionin e ShBA-së dhe të BE-së, përndryshe ne duhet të përgatitemi për një maratonë të gjatë durimi që nuk prodhon perspektivë dhe dinjitet". 

Kupola e krimit në institucione Më tej Dibrani ka nënvizuar se në asnjë vend të botës reformat nuk janë të suksesshme nëse ato bëhen vetëm sa për sy e faqe dhe në nivele lokale e periferike, sikurse propozimet dhe idetë që nuk implementohen lehtë nëse, sipas tij, ato kanë nisur në nivele të ulëta nga qytetarët dhe organizatat joqeveritare, ngase siç tha "gjithkund kupola e krimit dhe e dallavereve gjenden në strukturat më të larta udhëheqëse, të cilat kanë sistemuar njerëzit e vet kudo, pra edhe në KGJK dhe bordet e tjera të rëndë- sishme. Prandaj, pa një mobilizim serioz dhe të gjithanshëm nuk do të kemi as reforma dhe as ndryshim të përshpejtuar!". Por, Dibrani megjithatë është i bindur se Kosova pashmangshëm do të shkojë drejt modelit të Shqipërisë dhe, sipas tij, rasti i Shqipërisë është shumë i mirëseardhur, ngase siç tha shihet se shqiptarët janë në agjendën amerikane dhe kjo ka rëndësi për të ardhmen e vendit tonë. "Sigurisht, amerikanët e kanë kuptuar se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme as të gjyqtarëve dhe as të prokurorëve, andaj sikur janë në kërkim të një modaliteti, i cili merr kohë derisa t'i sistemojnë dhe të aftësojnë një brez që më vete nuk bartin mëkatin e së tashmes dhe as nuk akuzohen për të kaluarën e tyre. Nëse mendohet kështu atëherë në Gjyqësorin e Kosovës duhet të vjen një brez nën moshën dyzetvjeçare, të trajnuar dhe specializuar në Amerikë. Në këtë drejtim, mendoj se ka mjaft student të rinj, të cilët me pak investim do të bëheshin brezi i art i Kosovës!", është shprehur Dibrani. 

Pasojat e kapjes së shtetit nga mafia politike Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, mendon se pa krijimin e një elite politike të pakontestuar dhe të pakorruptueshme nuk ka asnjë gjasë që të luftohet krimi dhe korrupsioni. Tutje, Salihaj shton se vendosja e sistemit të gjyqësisë nën kontrollin e një shteti tjetër është një zgjidhje, por, siç thotë, as përafërsisht e mirë siç do të ishte sikur këtë ta bënim ne vet."Vendosja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin e një shteti tjetër do të thotë t'i jepet mundësia dikujt tjetër që ta kontrollojë indirekt shtetin, sepse i ka të gjitha mundësitë për vendosjen e një drejtësie selektive për të eliminuar politikanët e një krahu politik dhe për t'i toleruar politikanët e një krahu tjetër. Por, në fund, ndoshta edhe ajo është një zgjidhje krahasuar me situatën e pashpresë që e kemi, ngase qytetarët e Kosovës pothuajse janë dorëzuar para një shtetit të kapur plotësisht nga mafia politike", ka theksuar deputeti Adem Salihaj për gazetën "Kosova Sot". Analisti Fadil Lepaja thotë se kjo është një ide e radhës se si të dekriminalizohet shoqëria shqiptare, por nuk mendon se përmes trajnimeve tremujore do të jetë edhe aq e lehtë që të bëhen ndryshime. "Mendoj se ajo që mungon edhe tek miqtë tanë ndërkombëtarë është kalkulimi i gabuar lidhur me kriminelët e mirë dhe ata të këqij. Disa politikanë, edhe pse dihet se kanë bërë pasuri marramendëse falë pushtetit politik, përsëri pranohen si aleat në luftë kundër krimit dhe korrupsionit, edhe pse ata janë kupola".

Drejtësia të vihet në shërbim të qytetarëve Avokati Nikë Shala tha se në vendin tonë duhet të ndodhë reformim cilësor në fushën e drejtësisë dhe për këtë, sipas tij, kërkohet një kontribut i të gjithë aktorëve, të cilët janë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në Kosovë, ngase, siç tha, është evidente se në vend është krijuar një klimë e përgjithshme e mosbesimit ndaj sistemit të drejtësisë. "Andaj së këndejmi reforma, përveçse duhet të ndodhë, edhe duhet të jetë në përputhje me modelet ekzistuese të shteteve demokratike që kanë një histori dhe kulturë juridike në këtë fushë". Por, avokati Nikë Shala beson se për ta arritur këtë qëllim nuk do të mungojë as vullneti politik për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbështetur sistemin e drejtësisë me burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore dhe rrjedhimisht këto ndryshime apo reforma duhet, siç tha, "të ndikojnë dukshëm në forcimin e sundimit të ligjit në vend. "Ndërsa, reforma për drejtësinë, e miratuar së fundi nga Parlamenti i Shqipërisë, është një lajm i mirë për shtetin shqiptar, ngase hap rrugën për realizimin e ambicieve të shqiptarëve drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, andaj edhe Kosova, e cila synon që të anëtarësohet në familjen evropiane, duhet t'i përmbushë të gjitha kushtet e domosdoshme për të ardhmen, në mënyrë që drejtësia të vihet në shërbim të qytetarëve dhe të vendit", ka deklaruar avokati Nikë Shala për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)