Prokurorët dhe gjyqtarët të "siten"

  • 27 July 2016 - 08:04
Prokurorët dhe gjyqtarët të

Duhet t'u hapet rruga profesionistëve dhe guximtarëve.

"Kosovës i duhet një verifikim rrënjësor i prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që të pastrohet nga ata që nuk meritojnë të jenë aty, pasi ka edhe me qindra e mijëra gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, të cilët janë të gatshëm të punojnë në vendosjen e sundimit të ligjit", është shprehur deputeti Adem Salihaj,raporton Gazeta Kosova Sot 

Ndonëse është shtuar si çështje se duhet doemos të rregullohet me ligj, por edhe me Kushtetutë ende mbetet mister se a i druhen gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë procesit të një verifikimi të hollësishëm dhe në detaje për prejardhjen e pasurisë së tyre marramendëse, ku shumë nga ta kanë krijuar pa ndonjë shpjegim dhe arsyetim pasuritë milionëshe që i posedojnë, të paraqitur së fundmi, teksa për një pjesë tjetër të kësaj pasurie ekzistojnë dyshimet se ajo nuk është deklaruar fare. Lidhur me këtë çështje, njohësit e kësaj fushe kanë thënë se askush nuk merret me hulumtimin e prejardhjes së pasurisë së tyre, ngase s'ka as kush të merret, pasi vetë ata që duhet të merren me këtë çështje janë të tillë. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se Kosova është bërë parajsë për të gjithë keqpërdoruesit e parasë së qytetarëve. Së këndejmi, Salihaj thotë se politikanë dhe funksionarë të tjerë shtetërorë pasurohen në mënyrë marramendëse, duke blerë vila super luksoze, pastaj, siç tha, ndërtojnë shtëpi të shtrenjta dhe po ashtu deponojnë para nëpër banka brenda dhe jashtë Kosovës. 

Tërmeti do të nisë në Prokurori Sipas Salihajt, askush nuk merret me hulumtimin e prejardhjes së pasurisë së tyre. "Në fakt, s'ka as kush të merret, sepse vetë ata që duhet të merren me këtë çështje janë të tillë. Andaj, Kosovës i duhet një verifikim rrënjësor i prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që të pastrohet nga ata që nuk meritojnë të jenë aty, pasi ka edhe me qindra e mijëra gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, të cilët janë të gatshëm të punojnë në vendosjen e sundimit të ligjit", është shprehur deputeti Adem Salihaj. Analisti Shefqet Dibrani thotë se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët si dhe bosët e tyre nga politika i druhen reformave që do të ndodhin në drejtësi, ngase reformat e përfolura duhet të sjellin verifikimin e secilit punonjës zyrtar. "Është e pritshme se tërmeti do të nisë pikërisht në Prokurori, pasi spastrimi në këtë institucion do t'i sjellë vlera reale të tashmes dhe të ardhmes së vendit, dhe si rrjedhojë do të ndalej korrupsioni masiv dhe do të niste të funksiononte shteti ligjor, e bashkë me të edhe fillojnë rezultatet pozitive në zhvillimin ekonomik, pastaj në jetën kulturore, në mjekësi, në arsim e deri tek skemat sociale nëpër të cilat kanë kalëruar gjithfarë zyrtarësh, të cilët kanë përhapur korrupsionin dhe keqpërdorimin masiv", theksoi ai. 

Pasuritë milionëshe të zbardhen Më tej, Dibrani ka nënvizuar se nëse drejtësia do të reformohej dhe nga aty do të niste verifikimi i pasurive milionëshe që kanë zyrtarët politikë, ata publikë dhe stafi civil në administratën e Kosovës, sigurisht, përveç përgjegjësive penale, sipas tij, do të ketë edhe konfiskime marramendëse të pasurive dhe të uzurpimeve pa leje. " E kuptoj se kjo duket e paarritshme dhe në anën tjetër mjaft shqetësuese, por bota njeh raste kur disa qindra zyrtarë të lartë kanë shkuar brenda ditës prapa grilave dhe po ashtu ka vende të cilat deri në 18 ministra i kanë shkarkuar në të njëjtën ditë duke i vënë të gjithë para përgjegjësisë penale për korrupsion masiv, dhe madje në shumicën e këtyre rasteve ju kanë konfiskuar pasuritë e paligjshme atyre dhe familjarëve të tyre që kanë qenë të involvuar në këtë proces", ka theksuar më tej ai. "Andaj, besoj se kjo ditë do të vijë dhe secili do të vihet në bankën e zezë për të bëmat e veta dhe për gjithçka të keqe që ka bërë në dëm të institucioneve dhe në dëm të atdheut", ka potencuar analisti Shefqet Dibrani për gazetën "Kosova Sot". 

Hajnat e parasë publike të shkojnë në burg Deputeti nga 'Nisma' për Kosovën, Zafir Berisha tha për gazetën "Kosova Sot" se jo rastësisht një pjesë e madhe e tyre janë vetë pjesë e kapjes nga politika për shkak të privilegjeve dhe pasurisë në kurriz të qytetarëve që e kanë bërë dhe, kësisoj, sipas tij, jo rastë- sisht e kemi edhe këtë situatë të rëndë në drejtësinë kosovare, por sido që të jetë, Berisha thotë se është optimist se të gjithë ata që kanë vjedhur paranë publike dhe kanë keqpërdorur pozitën për përfitime personale duhet të dalin para drejtësisë dhe në këtë drejtim, siç tha, jo vetëm t'u konfiskohet ajo pasuri, por edhe të shkojnë prapa grilave kushdo qoftë ai. " Nuk besoj se kanë ndonjë justifikimi për atë pasuri, pasi pasuria brenda një periudhe të shkurtër nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, kur e kemi parasysh gjendjen ekonomike në vend, dhe pasurimi brenda natës ose një periudhe të shkurtër natyrisht se duhet të hetohet te kushdo qoftë dhe jo vetëm te personat në drejtësi, por edhe tek ata në politikë, por edhe në fushat e tjera", ka deklaruar deputeti Zafir Berisha.

(Kosova Sot)