Punët e dorës drejt zhdukjes

  • 28 July 2016 - 17:34
Punët e dorës drejt zhdukjes

Prizrenit po i zbehet një traditë e njohur

Prodhimet e importit rrezikojnë gratë që bëjnë punë artizanale

“Nga paslufta, ne si punëdore mund të punojmë dhe gjëra të bukura. Por, kot, tanimë me këtë zeje nuk mund të jetohet, e as nuk mund të mbijetohet, pos që mund ta ndihmoj pak familjen. Mirëpo, kjo ndihmë tani është e vogël, sepse dikur kemi pasur shumë angazhime e punë, e besa edhe fitime. Tani, mezi ia dalim të ndihmojmë familjen”, ka thënë Myzaferja

Dikur moti Prizreni, pos që njihej për zeje të ndryshme, edhe punëdorja e atyre grave e burrave të këtij qyteti ishte e njohur në mbarë botën, e sidomos në Ballkan. Mirëpo, që nga pas lufta,  punëdorja ka devalvuar shumë, shprehet për “Kosova Sot” Myzafere Jëlliqi, 61- vjeçare, e dikur që ishte njohur për duar të arta, që prodhonte prodhime dore deri në bizhuteri. Tanimë në gjithë Prizrenin thuhet se janë dy- tri gra punëtore dhe nuk kursejnë as mundin, e as djersën që së paku të mbijetojnë.

 

Image

 

“Dikur nga zeja e punëdores mund të jetonte mirë një familje. Por, tani, për fat të keq, prodhimet e dobëta për një përdorim e kanë devalvuar këtë punë dhe përkushtim tonë”, tregon ajo. Myzaferja dhe dy- tri gra të tjera tashmë më shumë kanë dashuri për profesionin se sa përfitime materiale. “Prizreni vizitohet shumë, por në të shumtën e rasteve punimet joreale të importuara nga Kina e Turqia po e ulin edhe punë tonë”, tregon ajo. “Nga pas lufta, për fat të keq, ne si punëdore mund të punojmë dhe gjëra të bukura. Por, kot, tanimë me këtë zeje nuk mund të jetohet, e as nuk mund të mbijetohet, pos që mund ta ndihmojë pak familjen. Por, kjo ndihmë tani është e vogël, sepse dikur aq shumë kemi pasur angazhime e punë, e besa edhe fitime. Tani, mezi ia dalim të ndihmojmë familjen”, ka thënë Myzaferja, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

 

Image

 

Mallrat nga Kina vërshojnë tregun

Sipas Myzaferes, prodhimet që vijnë nga Kina janë shumë të dobëta. “Por, tani jeta na ka varfëruar Kosovën, në përgjithësi, dhe kjo po bën që ne të jemi në këtë gjendje”, shprehet ajo për gazetën. Edhe zonja Jëlliqi tregon se me duar të saj punon xhemperë, punon çorape, meste, prodhon bizhuteri, për të cilat i ndihmon edhe djali i cili e sjell materialin e papërpunuar nga Turqia. “Pastaj kemi prodhime nga Suedia dhe me këto duar arrij edhe në këtë moshë të punojë pa ndalur”, shprehet më tej ajo. “E di se turistët, po ta dinin këtë vlerë, ata do të paguanin edhe punën e dorës, edhe vlerën e atyre margaritarëve. Por, ata në të shumtën e radhëve mashtrohen nga shitës të rrugëve e ambulantorë,  që marrin mallra në tregjet e Turqisë e më shumë të Kinës”, ka vijuar më tej Jëlliqi. Duke evokuar angazhimet e dikurshme, Jëlliqi edhe njëherë kujtoi se si atëherë nga punëdorja aq shumë fitohej sa një familje mund të jetonte nga puna dhe duart e një anëtareje. “Por, tani e gjithë puna aq shumë është devalvuar, saqë nëse vazhdon kështu padyshim se ne duhet të mendojmë këtë zeje ta lëmë”, thotë ajo.

Image

 

Shoqata e alarmuar

Kryetari i SHZAP-it në Prizren, Sami Dida, duke u njoftuar me këto fakte, se punëdorja dikur zeje që shumë familje prizrenase mbijetonin, tanimë po rrezikohen. Kjo do të thotë se edhe  prodhimet vendore  më nuk po mbrohen. “Prandaj, ne do të mendojmë që këtë çështje ta ngremë në nivel vendi, për ta mbrojtur”, ka thënë ai. Nderim Shala tregon se me punimet  e nënës së tij dhe gruas, e tash edhe të vajza merren me përpunimin e jelekëve të arit dhe stolisjeve të ndryshme, mban familjen. Ai për “Kosova Sot” thotë se kjo punë është punë e vështirë, por është punë që mund të jetohet pa ia shtrirë dorën askujt. Ai tregon se me këto punë dore ka mbërritur të jetojë  dhe t’i shkollojë fëmijët . “Është punë e ndershme, e vështirë, por punohet në shtëpi dhe ka vlerë të mirë. Çmohet shumë kjo punë jo vetëm në Kosovë, por tash për këto prodhime kanë filluar të interesohen edhe nga jashtë”, thekson më tej Nderimi.

Vizitorët, të befasuar me punimet e dorës

Sipas Nderimit, për këto prodhime ka interesim të madh, sidomos nga shtetet e Perëndimit, të cilat po mahniten me këto punime të punuara nga duart e kosovarëve. “Ata befasohen për precizitetin e këtyre punimeve”, ka potencuar ai. Në Prizren pastaj tregon se janë shumë gra që merren me këtë zeje dhe ato të gjitha këto familje jetojnë mirë. Kurse, zyrtari i Odës Ekonomike, Afrim Tejeci derisa flet për "Kosova Sot", pohon se tashmë duke ditur rëndësinë e grave të këtilla do të shohin mundësinë që këto duar të arta të margaritarëve të mos i lënë nën mëshirën e kohës. “Por, do të shohim mundësinë e gjetjes së tregut real për këto”, thotë ai. Kurse, drejtori i Turizmit në Prizren, Haxhi Seferqaj tregon se kjo do të ndodhë një ditë dhe këto mallra do të shohim mundësinë si t'i avancojnë.

(Kosova Sot)