Partitë kosovare i shmangen reformës në drejtësi

  • 28 July 2016 - 08:03
Partitë kosovare i shmangen reformës në drejtësi

Politikanët shprehin vetëm keqardhje që nuk ka konsensus.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni në pushtet, Sadri Ferati (LDK), në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ishte dashur që të gjitha partitë politike të uleshin dhe të gjenin një konsensus minimal për hapat që do duhej të merreshin në këtë drejtim, dhe, sipas tij, është për keqardhje pse ajo nuk po ndodh,raporton Gazeta Kosova Sot 

Edhe pse janë pjesë e koalicionit aktual që po e qeverisin vendin, ka deputetë të sinqertë nga radhët e partive në pushtet që e pranojnë haptazi dhe shprehin keqardhje se përse partitë politike nuk po ulen në një tryezë të përbashkët për të gjetur një konsensus nacional, në mënyrë që ta reformojnë sa më thellësisht sistemin e brishtë të drejtësisë. Kjo pasi në një mënyrë edhe situata ku kemi ardhur si vend është treguesi më i mirë se me këtë drejtësi të kalbur dhe të brishtë asnjëherë nuk do të na hapet rruga drejt integrimeve evropiane. Lidhur me çështjen në fjalë një pasqyrë më të qartë e japin opinionet e njohësve të kësaj fushe. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni në pushtet, Sadri Ferati (LDK), në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se një gjendje jo e mirë në cilëndo fushë, e posaçërisht në drejtësi, që është në interes të forcimit të shtetit dhe në interes të qytetarëve, është e një rëndësie aq të madhe saqë, sipas tij, realisht ishte dashur që të gjitha partitë politike të uleshin dhe të gjenin një konsensus minimal për hapat që do duhej të merreshin në këtë drejtim dhe është për keqardhje pse ajo nuk po ndodh.

Mungojnë dialogu dhe mirëkuptimi Ferati thotë se përveç drejtësisë ka edhe plot çështje të tjera për të cilat nuk po krijohet konsensusi ndërmjet partive politike në vend. "Nuk është e vetmja fusha e drejtësisë që në Kosovë nuk po krijohet konsensusi, pasi kemi edhe tema të tjera politike që ne kemi mbetur rob të një viti, duke i diskutuar dhe nuk po gjendet forma e hapjes së dialogut dhe krijimit të disa parimeve, pra minimumi konsensusi për të shkuar më tutje. Unë nuk e di arsyen pse nuk po ulen, por dua të shpreh keqardhjen time se pse nuk po ulen", është shprehur deputeti Sadri Ferati. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka bërë me dije për gazetën "Kosova Sot" se ligjet të cilat aprovohen sa i përket lëmit të drejtësisë ato shkojnë përmes harmonizimit të grupeve parlamentare, duke i amendamentuar në komisionet përkatëse, ku marrin pjesë si pozita, por edhe opozita, mirëpo, sipas tij, gjithmonë kur shumicën e votës e ka pozita, atëherë, siç tha, këtu qëndron edhe favorizimi tek ajo në kuptimin e votimit, duke dalë kësisoj edhe ligjet e dobë- ta. "Sigurisht se kjo formë e veprimit i konvenon pozitës për shkak se do që ta politizojë drejtësinë duke e mbajtur peng dhe duke i realizuar qëllimet e veta". Ndërsa sa i përket asaj nëse ishin ulur në një tryezë me partitë në pushtet për të diskutuar rreth mundësisë së një reformimi të plotë në sistemin e drejtësisë, Isufi ka thënë se ata si opozitë kanë marrë pjesë në hartimin dhe në amendamentimin e ligjeve që kanë të bëjnë në sferën e drejtësisë, por që, siç tha, "ato gjithmonë bazohen në interesat që i imponon pozita momentalisht", ka theksuar Isufi. 

Republika, në gjendje amullie Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se nuk ka asnjë dyshim dhe se është çështje e padiskutueshme ajo që qeverisë aktuale sot i përshtatet një amulli e tillë dhe një gjendje e letargjisë të sistemit gjyqësor ku, sipas tij, me qindra e mijëra lëndë nuk janë të kryera, pastaj shuam të tjera janë të parashkruara, por edhe të zhdukura, derisa siç tha "ndër të tjera nëse merret rasti i kryeministrit ku kundër tij janë 74 denoncime që shtypi i ka elaboruar dhe askush si ka kontestuar, por këtu nuk dua të them se është fajtor ai, por që edhe mund të jetë fajtor. Andaj, po të ishte gjyqësori efikas do të kishte proceduar dhe do të dilte me rezultate. Kjo lë të kuptojë se Qeverisë aktuale nuk i përshtatet që të bëjë reformime substanciale në sistemin e drejtësisë në Kosovë, derisa ka mundësi që ta reduktojë qeverinë përgjysmë, pasi ka më shumë ministra se znj. Merkel, që ky është absurditet dhe me ato kursime të investohej në sistemin e drejtësisë, ngase ka nevojë për gjykatës dhe prokurorë". Më tej, Smaka ka nënvizuar se nevoja në këtë aspekt është imediate, derisa në anën tjetër qeveria është indolente, ngase, sipas tij, partitë politike pozitare që e konstituojnë qeverinë nuk kanë interes së paku deri në zgjedhjet e ardhshme për të bërë ndryshime në këtë drejtim dhe gjendja është e këtillë, andaj Smaka ka gjykuar se siç tha "shtypi mediat duhet të bëjnë presion më të madh dhe që mund ta bëjnë atë, pasi e kanë instrumentin në dorë". "Po ashtu edhe shoqëria civile, pastaj klasa akademike, duhet të bëjë presion më të madh që të bëhet reformimi i pashmangshëm i sistemit të drejtësisë", ka potencuar profesori i së drejtës, Riza Smaka, për gazetën "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)