Mërgimtarët ankohen se po i “rrjep” policia

  • 28 July 2016 - 17:43
Mërgimtarët ankohen se po i “rrjep” policia

Në rajonin e Gjakovës është rritur dukshëm numri i gjobave në trafik

Me gjoba për të mbushur arkën e Komunës

Siç pohojnë në Drejtorinë rajonale të policisë së trafikut në Gjakovë, rritja e numrit të kontrollimeve dhe patrullimeve ka rezultuar me rritjen e gjobave të shqiptuara, që, sipas opozitës komunale, janë rezultat i rekomandimeve të zyrtarëve komunalë për t’u mbushur arka e Komunës

Tashmë është bërë praktikë e përmotshme që gjatë muajve të verës, veçanërisht në korrik dhe në gusht, kur bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë në Perëndim vijnë në atdhe për pushime, në rrugët tona të krijohen “lëmshe pa fije”. Kjo, si duket, është prezent në të gjitha viset e Kosovës, edhe për faktin se numri i mërgimtarëve që vijnë për pushime është vërtet i madh. Megjithatë, duket se ky problem është posaçërisht i theksuar në komunën e Gjakovës, jo pse këtu ka më shumë mërgimtarë që vijnë për pushime, por për shkak të gjendjes jo të mirë të rrugëve, veçanërisht të atyre në hyrje-dalje të qytetit, që paraqesin “fyt të ngushtë”, e ku krijohen aso lëmshe, saqë shpesh fitohet përshtypja se makinat po vendnumërojnë dhe nuk po ecin fare, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Paratë nuk i gjejmë në baltë, por i fitojmë me shumë mund!

Për të evituar sadopak këto tollovi dhe parregullsi në trafik, që paraqiten edhe si pasojë e ngarkesës së madhe, policia rajonale e trafikut në Gjakovë gjatë këtyre ditëve të verës i ka intensifikuar patrullimet dhe kontrollimet. Këtë e pohon edhe komandanti i kësaj policie, Albin Sahatqija. “Duke u nisur edhe nga përvoja e viteve të kaluara, kemi vlerësuar se ka nevojë për një kontroll të intensifikuar dhe të ashpërsuar, gjithnjë me qëllim që të evitojmë parregullsitë në trafik, e posaçërisht për të evituar aksidentet, që në këtë periudhë të vitit zakonisht janë më të shpeshta. Mund të them se në këto dy-tri javët e fundit numri i patrullimeve të ekipeve tona të policisë janë për 30-40% më të shpeshta se në periudhën e mëhershme”, ka thënë Sahatqija. Rritja e numrit të kontrollimeve ka rezultuar edhe me rritjen e numrit të gjobave ndaj vozitësve të pakujdesshëm. Edhe pse komandanti Sahatqija pohon se tërë kjo bëhet vetëm sipas ligjit dhe me qëllim të mirë, që të evitohen parregullsitë në trafik, mërgimtarët kanë mendim tjetër. “Ka që nja 10 ditë që kam ardhur në shtëpi për pushime dhe deri më tash policia e trafikut m’i ka shqiptuar dy gjoba. Kujtoj se në të dy rastet policia ka mundur të mjaftohet me vërejtje, por nuk e bëri këtë. Kam përshtypjen se edhe policia e ndan mendimin e disa tregtarëve të pandërgjegjshëm, të cilët mendojnë se ne kemi mjaft para dhe, siç thotë populli, i kemi “pa dhimbtë”! Edhe këto masa të policisë po më duket se po ndërmerren sa për të na “rrjep” neve mërgimtarëve, e po harrohet se këto para nuk i gjejmë në baltë, por i fitojmë me mund”, është ankuar këto ditë Ndue Morina, që jeton e punon në Zvicër.

Policia mohon akuzat për “urdhra politikë”

Vlerësim akoma më të ashpër për këto masa të policisë ka këshilltari komunal nga ‘Vetëvendosje’, Agon Batusha, i cili ditë më parë, në mbledhjen e Asamblesë Komunale të Gjakovës, duke folur për aksionet e policisë së trafikut kohët e fundit, ka thënë se ato janë të porositura! “Ditët e fundit jemi dëshmitarë të një rigoroziteti shumë më të madh të policisë së trafikut. Ne dyshojmë se kjo bëhet me rekomandime nga Komuna dhe atë me të vetmin qëllim që sa më shumë të mbushet arka komunale”, ka thënë Batusha. Komandanti i policisë së trafikut, Albin Sahatqija, kurrsesi nuk pajtohet me këtë akuzë të këshilltarit komunal, Batusha. “Veprimet tona asnjëherë nuk bazohen në urdhra politikë, por në analizat profesionale që ne i bëjmë për rrezikshmërinë në trafik. Këto analiza janë në funksion të planifikimit të masave që duhet ndërmarrë e që nënkuptojnë rritjen e numrit të oficerëve të trafikut dhe të patrullimeve. Sipas këtyre analizave, ka dalë se në 6 muajt e parë të këtij viti numri i fatkeqësive në trafik ka qenë dukshëm më i madh në rrugët urbane sesa në ato rajonale e magjistrale. Kështu, në këtë periudhë, brenda qyteteve të rajonit të Gjakovës kanë ndodhur 239 aksidente, karshi 117 fatkeqësive që kanë ndodhur në zonat rurale. M’u për këtë arsye i kemi shtuar patrullimit brenda qyteteve për të evituar mosrespektimin e shenjave të trafikut, parkimin e parregullt të makinave dhe shkeljet e tjera të rregullave dhe atë me të vetmin qëllim që të evitojmë aksidentet dhe të vëmë sa më shumë rregull në komunikacion”, ka thënë Sahatqija për gazetën. Një gjë është e sigurt - qytetarët e Gjakovës, ata rezident apo ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit, gjatë kësaj vere duhet të jenë shumë më të kujdesshëm kur të qarkullojnë me makina, nëse dëshirojnë të shmangin gjobat policore.

(Kosova Sot)