Harta e tmerrit në Evropë
443 viktima në 18 sulme
Sulmet terrorist për cak kanë pasur shtetet evropiane
Një sërë sulmesh të frikshme përgjatë Evropës gjatë dy vjetëve të fundit i kanë lënë shumë qytetarë duke jetuar me frikë të skajshme, në vende të ndryshme të Kontinentit të vjetër
Një sërë sulmesh të frikshme përgjatë Evropës gjatë dy vjetëve të fundit i kanë lënë shumë qytetarë duke jetuar me frikë të skajshme, në vende të ndryshme të Kontinentit të vjetër. Në vitin 2014, katër njerëz ishin vrarë në një sulm të frikshëm në Bruksel, në vitin 2015 plot 267 njerëz e kanë humbur jetën në mbarë kontinentin, ndërsa, deri më sot, të paktën 172 persona kanë vdekur në sulmet e frikshme.
Këto viktima në Evropë e kanë humbur jetën në 18 sulme të mëdha kundër njerëzimit, të kryera nga fanatikët e çmendur. Tani, kur Franca po mundohet të këndellet pas masakrimit të priftit 84-vjeçar nga ana e dy fanatikëve të ISIS-it në Reun të Normandisë, më poshtë ua kemi sjellë sulmet e tmerrshme që për cak kanë pasur shtetet evropiane, që prej vitit 2014, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".
Sulmet në vitin 2014
Bruksel, Belgjikë: 24 maj – katër të vdekur
Kamerat e sigurisë e kanë kapur momentin kur disa burra të armatosur, anti-semitik, kanë qëlluar për vdekje tre vizitorë në një Muze Hebre në Bruksel. Tre persona, përfshirë dy turistë nga Izraeli, kishin vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima e katërt kishte vdekur në spital.
Tours, Francë: 20 dhjetor – tre të lënduar
Një francez, që ishte konvertuar në islam, është qëlluar nga policia pasi kishte sulmuar me thikë tre oficerë të policisë.
Dijon, Francë: 21 dhjetor – 13 të lënduar
Trembëdhjetë njerëz ishin lënduar pas një sulmi të kryer nga një pacient i psikiatrisë, i cili i kishte sulmuar këmbësorët duke bërtitur “Allahu Ekber”.
Nant, Francë: 22 dhjetor - 11 të lënduar
Njëmbëdhjetë njerëz kishin mbetur të lënduar pasi një shofer e kishte ngarë kamionin e tij në një treg të Krishtlindjeve në Francën perëndimore.
Sulmet në vitin 2015
Paris, Francë: 7 janar - 12 të vrarë
Dy burra të armatosur me kallashnikovë ishin futur në selinë e revistës satirike ‘Charlie Hedbo’ duke hapur zjarr në drejtim të stafit, duke lënë 12 të vrarë, në sulmin që terroristët kanë thënë se është hakmarrje për paraqitjen e profetit Muhamed në karikatura.
Paris, Francë: 8 janar – një i vrarë dhe një i plagosur
Në jug të Parisit më 8 janar një person i armatosur kishte qëlluar për vdekje një police dhe kishte plagosur një tjetër, para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Paris, Francë: 9 janar – katër të vrarë
Një person i armatosur kishte marrë katër pengje kur ishte ikur nga policia. Mirëpo, kur policia kishte arritur të futej në ndërtesën ku po fshihej, që të katër pengjet ishin gjetur të vdekur.
Kopenhagë, Danimarkë: 14-15 shkurt – dy të vrarë dhe pesë të lënduar
Në një fjalim, ku po fliste një artist që e kishte punuar karikaturën e Profetit Muhamed, kishte ndodhur një sulm që kishte lënë dy të vrarë dhe pesë të lënduar.
Paris, Francë: 19 prill – një i vrarë
Një grua franceze ishte vrarë nga një burrë i armatosur, pasi ai aksidentalisht e kishte plagosur veten në këmbë, teksa po mundohej ta kryente një sulm në kishë.
Zvornik, Bosnjë dhe Hercegovinë: 27 prill – një i vrarë dhe dy të plagosur
Një person i armatosur, që bërtiste “Allahu Ekber” është futur në një stacion policie në lindje të Bosnjës, ku ka vrarë një oficer policie dhe ka plagosur dy të tjerë, para se të qëllohej për vdekje.
Dijarbakër, Turqi: 5 qershor – katër të vrarë, më shumë se 100 të lënduar
Dy shpërthime gjatë një tubimi kurd në Turqi kishin lënë katër të vrarë dhe qindra të plagosur, në atë që nga presidenti turk, Tayyip Erdogan, ishte cilësuar si një provokim të dizajnuar për ta destabilizuar vendin para zgjedhjeve parlamentare.
Lion, Francë: 26 qershor – një i vrarë
Një punëtori të fabrikës i ishte hequr koka në selinë e kompanisë amerikane ‘Air Products’ në Lion të Francës jugore.
Ankara, Turqi: 10 tetor – 102 të vrarë, më shumë se 400 të lënduar
Dy burime të sigurisë turke pretendojnë që ISIS-i ka qenë prapa dy shpërthimeve që ua kanë marrë jetën 102 personave në një tubim paqësor në Ankara.
Paris, Francë: 13 nëntor: 137 të vrarë, afro 400 të lënduar
Një seri e sulmeve të koordinuara ka filluar në afërsi të stadiumit kombëtar të Francës, ku po zhvillohej një ndeshje miqësore në mes të Francës dhe Gjermanisë. Sulmi ishte përcjellë nga sulme të tjera në kafene, restorante dhe hapësira kulturo-historike në qendër të Parisit.
Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë: 18 nëntor – dy të vrarë, pesë të lënduar
Në atë që është përshkruar si sulm nga një person i izoluar, dy ushtarë janë vrarë dhe pesë të tjerë janë lënduar.
Sulmet në vitin 2016
Bruksel, Belgjikë: 22 mars – 35 të vrarë, më shumë se 300 të lënduar
Dy sulmues vetëvrasës që me vete bartnin bomba në çanta dore e kanë sulmuar aeroportin në Bruksel. Bombat kanë shpërthyer nëntë sekonda pas njëri-tjetrit.
Magnanvill, Francë: 14 qershor – dy të vrarë
Një oficer policie është therur për vdekje bashkë me bashkëshorten e tij nga një burrë që e kishte shprehur aleancën e tij me ISIS-in.
Stamboll, Turqi: 28 qershor- 41 të vrarë, më shumë se 230 të lënduar
Tri shpërthime që kishin ndodhur në aeroportin ‘Ataturk’ të Stambollit ua kishin marrë jetën 41 personave, 23 prej të cilëve kanë qenë shtetas turq.
Nisë, Francë: 14 korrik - 84 të vrarë
Një person në Nisë ka vrarë 84 persona kur e ka drejtuar kamionin e tij nëpër një turmë që ishin mbledhur për ta festuar Ditën e Bastijës.
Uurzburg, Gjermani: 18 korrik – pesë të lënduar
Një imigrant shtatëmbëdhjetëvjeçar me një sëpatë dhe një thikë kishte sulmuar udhëtarët në një tren regjional, duke lënduar katër anëtarë të një familjeje turiste nga Hong-Kongu. ISIS-i menjëherë kishte reaguar duke e cilësuar sulmuesin si ‘ushtar të Kalifatit’.
Munih, Gjermani: 22 korrik – nëntë të vrarë
Një person i armatosur, i moshës tetëmbëdhjetëvjeçare, ka kryer sulmin e tmerrshëm në afërsi të një qendre tregtare në Munih të Gjermanisë, në sulmin që ua ka marrë jetën edhe tre kosovarëve.
Ansbah, Gjermani: 24 korrik - 15 të lënduar
Një sirian ka lënduar 15 persona kur e ka hedhur veten në erë jashtë një festivali muzikor në Ansbah të Gjermanisë jugore.
Rouen, Francë: 26 korrik – një i vrarë dhe një i plagosur
Dy sulmues kanë vrarë një prift në një kishë të Francës, duke e prerë në fyt dhe kanë lënduar seriozisht një murgeshë.
(Kosova Sot)